100 milionë lekë “trazojnë” Egnatian dhe Dinamon, ja llogaritë për sfidën vendimtare
Egnatia dhe Dinamo do të përballen nesër në orën 16:30. Ky takim në “Arena Egnatia” është mjaft interesant dhe disa llogari mund të jenë duke trazuar dy klubet.

Bëhet fjalë për vendin e parë, që mbahet aktualisht nga Egnatia. Rrogozhinasit kanë dy pikë më tepër se blutë dhe ruajtja e kreut deri në fund do të përkthehej me bonus ekonomik. Kujtojmë se skuadra që e mbyll në krye Superioren, para fazës “Final Four”, fiton 100 milionë lekë të vjetra shpërbim.
Duke marrë parasysh se diferencat janë të vogla, ekziston edhe mundësia që të dyja skuadrat ta mbyllin me pikë të barabarta. Në këtë rast do të merreshin parasysh përballjet direkte.
Dueli i parë mes tyre është fituar nga Egnatia me rezultatin 0-2. Përballja tjetër përfundoi barazim 1-1, ndërsa e fundit u fitua nga Dinamo 2-1. Në këtë mënyrë dinamovitët mund ta kërkojnë më tepër fitoren, jo vetëm për të marrë vendin e parë, por dhe për bonusin në përballjet direkte.
Çfarë parashikon rregullorja
Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret më poshtë:
Pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Abissnet Superiore në sezonin përkatës;
Numri më i madh i golave të shënuar gjatë Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Abissnet Superiore, sezoni futbollistik përkatëse;
Me short;
PANORAMASPORT.AL













