Zguro: Me Strugën bëjmë historinë. Jam në kulmin e formës, super i lumtur nëse marr ftesë nga Silvinjo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2023 | 16:37

Zguro: Me Strugën bëjmë historinë. Jam në kulmin e formës, super i lumtur nëse marr ftesë nga Silvinjo

Vangjel Zguro është në kulmin e karrierës. 30-vjeçari e ka nisur nga ekipi mëmë, Pogradeci, për të provuar më pas elitën, por ka luajtur edhe në SHBA apo tashmë ka kaluar sërish kufirin për të kontribuar në suksesin historik në Kupat e Europës, te Struga e Maqedonisë së Veriut.

zguro

Në Shqipëri numëron në karrierën e tij ekipe nga të “katër anët” e vendit, konkretisht, Pogradeci e Butrinti, Korabi, Luftëtari, Kamza e Kukësi apo dhe Skënderbeu e Bylisi. Me kampionët e Maqedonisë së Veriut ka luajtur në Kupat e Europës, ndërsa ambiciet rriten për të ardhmen… Në një intervistë enkas për “Panorama Sport” anësori i majtë nga Pogradeci shpalos objektivat me projektin strugan.

Zguro nga Superiorja një eksperiencë e re në Maqedoninë e Veriut, me Strugën. Pse kjo zgjedhje?
Zgjodha Strugën dhe nuk u mendova dy herë, sepse ishte ekipi kampion në fuqi, por nisur edhe nga projekti që ata kishin si klub. Është një eksperiencë e re, për më tepër me një klub me ambicie dhe aty kam fatin që të stërvitem me një staf shumë profesionist, por kemi edhe një grup shumë të mirë lojtarësh.

U përshtatët shpejt me klubin tuaj të ri?
Po, sepse gjeta një ambient të mrekullueshëm, staf dhe djem të shkëlqyer dhe kjo është më kryesorja, që ka ndikuar edhe në ecurinë tonë të deritanishme, me pjesëmarrjen në Europë.

Jeni në Europë, por ka nisur edhe kampionati, çfarë synimesh ka Zguro dhe Struga në vijim?
Objektivi është i vështirë, por jo i parealizueshëm, duke pasur mënyrën si punojmë dhe grupin e lojtarëve, të ruajmë titullin dhe të dalim sërish në krye në fund të sezonit. Por duke qenë se jemi edhe në Europë, të jemi me “këmbë në tokë” dhe të ecim sa më larg. Kemi shansin e artë që të bëjmë historinë dhe të kapim grupet, por duhet hap pas hapi dhe me punë. Çdo gjë është e mundur.

Cilët janë si rivalët më solidë në garën për titull?
Kampionati këtu është i fortë, ka cilësi, ka edhe rritje nga viti në vit edhe në aspektin e infrastrukturës. Por unë shoh si rivalët tanë më të fortë në betejën e titullit kampion Shkëndijën e Tetovës, por edhe Shkupin. Do të jetë një garë e fortë deri në fund, sepse kampionati sapo ka nisur dhe ka shumë beteja për t’u zhvilluar.

Keni një projekt afatgjatë me Strugën?
Të shohim, pse jo. Po përjetoj me të vërtetë një eksperiencë shumë të bukur, duke luajtur me një ekip në nivele të larta, si në kampionatin e vet, ashtu edhe në Europë. Kështu që dëshira ime është e madhe, t’ia lëmë kohës dhe të kemi sa më shumë fat unë dhe skuadra, sepse në futboll fati zë një pjesë shumë të rëndësishme.

Zguro, e keni pasur ëndërr fanellën kuqezi, tashmë që jeni në kulmin e formës dhe duke pasur parasysh se në stol është Silvinjo….
Është ëndërr e çdo sportisti që të veshë fanellën kuqezi, “kurrë mos thuaj kurrë”, jam në kulmin e moshës, por edhe të formës sportive, kështu që do të isha super i lumtur nëse më vjen një ftesë kuqezi.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"