Zero miqësore për Skënderbeun, Gvozdenoviç: Nuk pres shumë nga janari, të ruajmë ekuilibrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2024 | 8:31

Zero miqësore për Skënderbeun, Gvozdenoviç: Nuk pres shumë nga janari, të ruajmë ekuilibrat

Skënderbeu ka nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit me seanca të detajuara dhe stërvitje intensive sipas programit të caktuar nga trajneri Ivan Gvozdenoviç. Për numrin një të pankinës korçare përgatitjet do të jenë të përqendruara kryesisht në aspektin fizik si dhe për rregullimin e disa manovrave që kanë shfaqur probleme gjatë pjesës së parë të sezonit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gvozdenoviç flet në lidhje me përgatitjet dhe për merkaton.

gvozdenovic

Ivan, shumë pak ditë pushimi për ekipin, menjëherë në përgatitje…
Po, e drejtë, por kështu ishte kalendari dhe menduam që të shfrytëzonim këto ditë për të qenë gati me nisjen e pjesës së dytë të kampionatit. Kishim shumë pak ditë në dispozicion dhe menduam t’i shfrytëzojmë në maksimum për të marrë më të mirën e lojtarëve dhe për të qenë gati për pjesën tjetër të kampionatit.

Superiorja rifillon shpejt, a do të ketë Skënderbeu teste miqësore gjatë kësaj periudhe?
Në fakt kemi menduar me kujdes gjithçka dhe vendosëm që të përgatitemi intensivisht në aspektin fizik dhe atë taktik. Për këtë arsye vendosëm që të mos zhvillojmë asnjë test miqësor, por të përqendrohemi vetëm te seancat stërvitore. Duam që të marrim më të mirën nga lojtarët dhe të jemi gati për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Egnatias. Për këtë ekipi do të zhvendoset në Tropikal për të vijuar atje përgatitjet.

Veç përgatitjeve jeni edhe në fazë merkatoje. A do të ketë lëvizje te Skënderbeu?
Normalisht që në periudhë të tillë të gjitha ekipet kanë nevojë për përforcime, kështu që edhe ne nuk bëjmë përjashtim. Por të gjithë e dimë që në këtë periudhë është e vështirë që të gjenden lojtarë cilësorë dhe të lirë nga ekipet e tjera. Ndaj do të duhet që të lëvizim me tepër kujdes dhe të ruajmë balancat që kemi si grup. Jemi një grup cilësor dhe nuk duam që të prishim ekuilibrat. Ndaj edhe kjo periudhë është delikate. Megjithatë po shohim me kujdes nëse mund të kemi ndonjë mundësi të mirë që të na shërbejë në pjesën e mbetur të sezonit.

Merkatoja është e hapur edhe në dalje. A i druhet largimeve Gvozdenoviç?
Unë shpresoj që të njëjtin grup të pjesës së parë të kampionatit t’a kem edhe në vazhdim pasi nisa një aventurë me ta dhe jam përgjithësisht i kënaqur me atë që kemi treguar deri tani. Por e di që në mes janë edhe politikat e klubit dhe nëse vjen ndonjë ofertë tunduese duhet të ndryshojmë. Megjithatë këto janë punë që i përkasin presidentit Takaj dhe drejtuesve. Unë mendoj vetëm për fushën dhe do të jap më të mirën për të mbajtur ekipin brenda objektivave.

Një ecuri e mirë, por humbja në Shkodër ishte goditje e rëndë, apo jo?
Padyshim, goditje shumë e rëndë dhe ende jemi të mërzitur. Por duhet të lemë pas gjithçka dhe të fokusohemi te ndeshja e radhës. Është shumë herë më i rëndësishëm reagimi pas një humbje të tillë sesa të mendosh për humbjen. Prandaj ne do të mundohemi të reagojmë sa më mirë të jetë e mundur.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"