Vukomanoviç: U ndëshkuam nga një episod
Kastrioti ka qenë “i dënuar” që të mos pushojë as dje, duke prishur kështu ritualin pas çdo ndeshje. Kjo ndoshta erdhi sa për humbjen e pësuar në Tiranë, aq edhe për faktin se në mesjavë krutanët do të luajnë një tjetër përballje, atë me Bylisin për kupë. Ndonëse luajtën më mirë se kundërshtari dhe kontrolluan pjesën dërrmuese të ndeshjes me bardheblutë, ata u ndëshkuan nga një episod, ai i golit të Gilman Likës. Mbrojtësi serb, Branislav Vukomanoviç, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” analizon paraqitjen e skuadrës së tij dhe shpreh keqardhjen për disfatën. “Zhvilluam një pjesë të parë të mirë, por fatkeqësisht dështuam. Një gol i Inkangos i anuluar padrejtësisht dhe një i pësuar nga një goditje dënimi, na bëjnë që t’i qajmë pikët e lëna, pasi nuk e meritonim humbjen. Nëse 45 minutat e para do të kishin përfunduar 0-0, sigurisht që tani mund të flisnim ndryshe. Mirëpo pas atij episodi, ne ndryshuam. Nuk arritëm ta kthenim rezultatin, e humbëm kontrollin e lojës dhe nuk i zbatuam detyrat e dhëna nga trajneri. Ishte një humbje që nuk na shkon për shtat, po ja që ky është futbolli. Sidoqoftë, mendoj se duhet të përqendrohemi tek ndeshja e radhës në kupë me Bylisin. Unë besoj se Kastrioti e ka mundësinë që ta marrë menjëherë veten. Pozitive në këtë ndeshje është kontingjenti i plotë, sepse në këtë mënyrë trajneri do mund rreshtojë formacionin më të mirë”, – ka thënë Vukomanoviç, i ardhur në Krujë gjatë merkatos së janarit. Me një përvojë të madhe ndërkombëtare, ai e ka fituar shumë shpejt vendin e titullarit te Kastrioti.
Murat Aruçi













