VOLEJBOLL FEMRA/ Tirana super në 2024-ën, likuidon edhe Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2024 | 13:48

VOLEJBOLL FEMRA/ Tirana super në 2024-ën, likuidon edhe Pogradecin

Tirana e volejbollit të femrave vijon serinë e rezultateve të shkëlqyera në këtë pjesë të dytë të sezonit.

tirana volej

Pas dopietës së fitoreve që shënoi fundjavën e kaluar në Ligën Gjergj Kastrioti, vajzat e Hasan Gurabardhit e kanë nisur më këmbë të mbarë edhe fazën e dytë të kampionatit, teksa dje kanë likuiduar Pogradecin me rezultatin e pastër 3-0 në takimin e vlefshëm për javën e tetë të Superligës. Skuadra bardheblu u shfaq dominuese në “Farie Hoti”, ndërsa afrimet e merkatos së dimrit po bindin gjithnjë e më shumë, me kryeqytetaset që e kanë rritur ndjeshëm kualitetin.

Ndaj pogradecareve, Tiranës i mjaftuan vetëm 64 minuta lojë për ti mbyllur llogaritë. Liqenoret provuan të rezistonin në setin e parë, por ekuilibrat në parket nuk zgjatën shumë, teksa Tirana nisi të dominonte me kalimin e minutave, duke e fituar setin e parë 25-20. Në setin e dytë superioriteti i vajzave bardheblu është edhe më i madh, fraksion që mbyllet 25-16. I ngjashëm ishte edhe seti i tretë, teksa blerja më e re Kamani Conteh realizon dy pikët finale, duke vulosur setin 25-17 dhe të gjithë takimin 3-0.

Ishte pikërisht volejbollistja amerikane edhe lojtarja më e mirë e ndeshjes, duke stampuar plot 24 pikë për Tiranën. Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, Barleti mundi 3-0 Lushnjën, ndërsa me të njëjtin rezultat Skënderbeu dhe Partizani fituan respektivisht ndaj Vllaznisë në transfertë dhe Teutës në shtëpi.

14 15PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"