Vllaznia, ikën Grima, vjen Eugent Zeka si drejtor sportiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2016 | 15:50

Vllaznia, ikën Grima, vjen Eugent Zeka si drejtor sportiv

Paraditen e sotme ka pasur një lëvizje në strukturat drejtuesve të klubit Vllaznia, ku Eugent Zeka është emëruar drejtor sportiv duke zëvendësuar ish-portierin Armir Grima. Ky i fundit e ka mbajtur këtë post gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa prej disa muajsh ka marrë detyrën e trajnerit të Kombëtares së femrave.

Zeka

“Grima ditët e fundit ka paraqitur dorëheqjen në klub për shkak të angazhimeve të tij profesionale, sepse siç dihet, ai mban aktualisht pozicionin e trajnerit të Kombëtares së futbollit të femrave. KF Vllaznia falënderon Armir Grimën për kontributin e dhënë prej vitesh edhe si drejtues, dhe i uron suksese në punën e tij të re”, thuhet në një njoftim të klubit kuqeblu, ku theksohet se Eugent Zeka u emërua pas shqyrtimit të shumë kandidaturave.

“Ëndrra ime ka qenë gjithmonë t’i shërbej Vllaznisë dhe sot që kjo ëndërr m’u realizua, jam shumë i lumtur. Jam i përkushtuar maksimalisht për të bërë më të mirën për këtë klub”, kanë qenë fjalët e tij të para për faqen zyrtare të Vllaznisë.

Klubi shkodran bën me dije se në ditët në vijim do të ketë një konferencë për media, ku Zeka do të prezantohet dhe do të shpalosë objektivat e punës së tij.

Zeka Eugent

Biografia

I lindur në Shkodër në vitin 1974, Zeka ka shumë vite që jeton në Itali. Atje ka përfunduar të gjitha kurset për trajner, madje ka marrë edhe licencën më të lartë të trajnimit, atë UEFA PRO, në një nga shkollat më të mira në botë, në Koverçano.

Më pas 42-vjeçari ka punuar tek ekipi i Estelas në Serinë B, ku ka kryer detyrën e trajnerit të moshave dhe njëkohësisht edhe atë të mjeshtrit të teknikës për gjithë Akademinë e këtij klubi.

Mandej, Eugent Zeka ka kaluar te klubi Sestri Levante në Serinë D, ku ka kryer detyrën e zëvendëstrajnerit të ekipit të parë dhe njëkohësisht ka qenë edhe drejtor teknik i Akademisë.

Vitet e fundit ka qenë zbulues talentesh për klubin e Xhenoas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"