Vjen braziliani Uelington, Halili: Nëse biem nga kategoria, përgjegjësia vetëm e imja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2014 | 13:41

Vjen braziliani Uelington, Halili: Nëse biem nga kategoria, përgjegjësia vetëm e imja

KarabeciTirana do të mbijetojë. Të paktën kështu pretendojnë kapiteni i bardhebluve, Erando Karabeci, dhe sulmuesi i saporikthyer, Mario Morina. Gjatë prononcimit të djeshëm për mediat, që të dy lojtarët nuk kanë nguruar t’i shtojnë dozat e optimizmit në prag të startit të pjesës së dytë të kampionatit, duke theksuar se me afrimet gjatë merkatos së këtij muaji, skuadra është fuqizuar dhe nuk do ta diskutojë mbijetesën në Kategorinë Superiore, pavarësisht se për momentin është në vend të fundit të renditjes.
Karabeci – “Tirana është gati të fillojë luftën, pasi e tillë është për ne. 17 javë kampionat ku ne nuk kemi se çfarë të humbim, por duhet me patjetër që t’i konsiderojmë si finale. Kemi bërë një fazë përgatitore mjaft të mirë, pavarësisht se e bëmë në Tiranë. Jemi stërvitur me dy seanca në ditë, nën një regjim dhe ushqim gati perfekt. Ndaj mund të them se jemi më se gati për ta përballuar këtë kampionat. Kemi pasur afrime cilësore në të gjitha repartet duke filluar nga porta, ku kemi pasur probleme, por që tani e kemi siguruar dhe deri te lojtarët e tjerë si Mario (Morina) dhe të huajt. Gjithsesi, mendoj se të gjithë duhen vlerësuar në ndeshje kampionati, pasi në miqësore nuk shihet ndonjë gjë e madhe”, – ka thënë kapiteni.
Mbijetesa – Më pas, ai ka pohuar se do të bëjnë të pamundurën për të mos qenë ata lojtarët që rrëzuan Tiranën. “Situata e pikëve është e vështirë, por ne jemi optimistë se do t’ia dalim. Nëse nuk e kemi këtë shpresë, atëherë më mirë të mos zbresim fare në fushë. Unë mendoj se do ia dalim dhe nuk do mbetemi ne në histori si lojtarët që rrëzuan Tiranën. Sa i përket kalendarit, unë jua thashë edhe më parë se nuk ka ndeshje të lehta për ne, pasi të gjitha janë luftë dhe na duhen 3 pikët në çdo përballje”, – ka përfunduar Karabeci.
Morina – Sakaq, sulmuesi Mario Morina ka theksuar se ka ardhur te Tirana për ta ndihmuar dhe se nuk ka asnjë problem me drejtuesit e Skënderbeut. “Kam ardhur këtu për të bërë gola dhe për të ndihmuar ekipin. Normalisht këtu ndihem si në shtëpinë time dhe kam parë që edhe drejtuesit janë optimistë. Me blerjet që janë bërë, them se kjo Tiranë ia del të qëndrojë në Superiore. Nuk ika nga Skënderbeu se ndihesha keq, por erdha te Tirana sepse kjo është shtëpia ime dhe doja që ta ndihmoja. Kartoni im është çështje mes drejtuesve të dy klubeve, por mua më është dhënë OK-ji se mund të luaj te Tirana. Që nga momenti kur unë nuk ika në Portugali, nënkuptonte se do luaja për këtë skuadër, ndaj them se jam 100 për qind i Tiranës”, – është shprehur Morina.

Halili Refik dhe Duka“Nëse biem nga kategoria, përgjegjësia vetëm e imja”
Donatori i Tiranës, Refik Halili, ka pohuar se do e mbajë gjithë përgjegjësinë, në rast të një dështimi të skuadrës këtë sezon. Gjatë një interviste për “A1 Report”, Halili ka folur edhe për afrimet e reja dhe pjesën e dytë të sezonit.
Si i gjykoni afrimet te Tirana?
Ilion Lika është sipas meje portieri më i mirë në Shqipëri dhe është rikthyer te Tirana për ta ndihmuar këtë skuadër. Edhe Morina është një rikthim dhe një lojtar i mirë, i cili besoj se do të na bëjë shumë punë. Kahata gjithashtu është një futbollist me cilësi, të cilat do i shikojmë më mirë gjatë sezonit. Për këtë lojtar jemi ndihmuar shumë edhe nga tifozët, të cilët, pasi e kishin parë në internet, këmbëngulën që ne ta afronim. Deliç gjithashtu është një afrim cilësor, teksa them se merkatoja do të vazhdojë deri në ditët e fundit.
U tentua të afrohej Salihi, por një gjë e tillë nuk u arrit, pse?
Në radhë të parë, Salihit i uroj më të mirën dhe besoj se është e kuptueshme për të që të vazhdojë të luajë jashtë Shqipërisë. Ne si klub, nga dëshira e madhe dhe interesi që kemi ndaj tij, i bëmë një ofertë marramendëse për kushtet e Shqipërisë, të cilën do e konsideroja si lajthitje në kushte normale. Megjithatë, ua thashë se ishim të detyruar nga situata dhe dëshira, ndaj edhe pretenduam të harxhonim gjithë arsenalin për Salihin.
Po Gilman Lika?
Edhe për këtë lojtar bëmë një lajthitje. Me z.Morina menduam një ofertë të majme. Ne e takuam dhe fakti është se jemi në pritje të një përgjigjeje, ndonëse nuk mund të presim gjatë. Ne kemi lënë një afat deri të mërkurën. Vetë Gilmani duhet ta kuptojë se për ne çdo minutë është një stres i vërtetë. Një kthim përgjigjeje do të ishte më idealja. Ne vazhdojmë tolerancën, vazhdojmë ta presim, por përgjigja e vonë na dëmton. Gilmanin e donim, si për emrin dhe për lojtarin që është, por edhe për imazhin.
Thatë që merkato vazhdon…
Po, brenda kësaj jave, do të vijnë edhe dy lojtarë të tjerë shumë të mirë nga Afrika. Me këta kemi pasur shumë probleme pasi, siç e dini, janë procedurat e vizave. Por, ashtu sikundër vepruam me Kahatën, do bëjmë edhe me këta të dy dhe besoj se do ia arrijmë që t’i sjellim, sepse janë lojtarë shumë të mirë. Nëse vijnë edhe ata, atëherë jam i sigurt se Tirana do të jetë kampione e pjesës së dytë të këtij sezoni, referuar këtu pikëve, lojës dhe gjithçkaje tjetër.
Dukeni shumë optimist, por edhe skuadrat e tjera kanë bërë merkato cilësore, apo jo?
Po, e vërtetë. Klubet e tjera si Kukësi, Partizani, Teuta synojnë që të kapin Skënderbeun e vendit të parë. Por, unë po u them se të gjitha këto, përfshi edhe Skënderbeu, do të kenë punë me Tiranën. Ne do bëhemi protagonistë absolutë në këtë pjesë të sezonit. Në bazë të llogarive të mia, referuar gjithnjë edhe fuqizimit të skuadrës, nëse grumbullojmë pikë si një skuadër që kërkon titullin kampion, atëherë jo vetëm që nuk e diskutojmë mbijetesën, por ma quani edhe lajthitje, mund edhe të kapim vendin e katërt. Nuk është një deklaratë e papërgjegjshme. Unë them se me këtë skuadër mbijetesa nuk diskutohet.
Sa përgjegjësi do të keni ju dhe z.Morina nëse nuk arrihet mbijetesa?
Përgjegjësia është shumë e madhe. Unë dhe Morina kemi përgjegjësinë totale, pasi kemi vendimmarrje të barabartë. Megjithatë, unë jam optimist, pasi e njoh shumë mirë kampionatin. Kam besim te vetja ime. Në qoftë se do bien nga kategoria, përgjegjësia do jetë vetëm e imja. E them me bindje këtë gjë, paçka se ekipin e kemi marrë në një moment shumë të keq, më të keqin në gjithë historinë e vet.

wellingtonkalamariaVjen Uelington, luante me Bushin te Kallamariaja
Një brazilian nis provën te Tirana. Quhet Daniel Dos Santos Gonçalves Uelington, i datëlindjes 7 korrik 1983. Sulmuesi ka nisur dje provën te bardheblutë, ndonëse nuk dihet nëse do mund të firmosë një kontratë apo jo. Sipas informacioneve, ai do të qëndrojë edhe për disa seanca të tjera stërvitore para se të merret një mendim nga ana e trajnerit Magani. Karriera e Uelington nisi në kategoritë inferiore në futbollin amator në Brazil dhe vetëm në 2003-shin iu imponua futbollit europian dhe elitar. Atë sezon ai u afrua te klubi grek i Apollon Kalamariasë, drejtuesit e të cilit besonin se kishin pikasur një talent (ishte vetëm 20 vjeç). Te kjo skuadër Uelington numëron më shumë se 100 ndeshje, por arriti të shënonte vetëm 10 gola deri në 2008-ën, kur u largua përfundimisht prej saj. Më pas kaloi te Thrasivoulos, ku në 25 ndeshje shënoi vetëm një gol dhe në sezonin 2009- 2010 veshi fanellën e Diagoras, skuadër që militonte në kategoritë e ulëta në Greqi. Në 2010-2011 braziliani do provonte të tregonte vetveten tek Anagenisi Karditsa, por sërish në 12 ndeshje nuk shënoi më shumë se 2 gola. Nuk qëndroi as aty dhe në 2010-2011 kaloi tek Agrotikos Asteras, ku në 10 ndeshje shënoi 1 gol. Në 2011-2012 luajti për Doksa Drama FC (15 ndeshje, 1 gol) dhe në 2012-2013 te Niki Volos (28 ndeshje, 2 gola). Në verën e vitit të shkuar firmosi një kontratë për Panelefsiniakos, skuadër e kategorisë së katërt në Greqi, me të cilën shënoi 1 gol në 13 ndeshje. Por, sipas Alban Bushit, me të cilin ky lojtar ka luajtur tek Apollon Kallamaria në sezonet 2006- 2008, Uelington është një nga ata sulmues që do u bëjë punë bardhebluve. “E mbaj mend si lojtar. Luante si sulmues i dytë dhe në mjaft raste edhe si mesfushor krahu. Ishte goxha i mirë, gjithnjë flas për atë periudhë kur kam luajtur edhe unë natyrisht. Më pas, di që u largua në disa skuadra të vogla në emër, por që kishin presidentë të fuqishëm nga ana financiare. Më kujtohet se e pat kërkuar edhe Olimpiakosi, por shkoi te Thrasivoulos, sepse i ofruan më shumë parà. Nuk e di se në çfarë gjendjeje është tani, por sipas gjykimin tim, do i bëjë goxha punë Tiranës”, – ka pohuar menaxheri i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi.

Uanga rrezikon afrimin për shkak të… gruas
Alan Uanga, një nga tre lojtarët afrikanë, është kërkuar nga Tirana, madje i janë bërë gati të gjitha dokumentet, me qëllim që ai të vijë te bardheblutë. Dje është mësuar se lojtari ka pasur probleme dhe mund edhe të mos udhëtojë drejt Shqipërisë. Sipas informacioneve, Uanga është i martuar me një grua me mjaft pushtet në Kenia, e cila ka kërkuar që ai të qëndrojë në kampionatin vendës. Nuk dihet nëse ai do e marrë udhëtimin drejt Shqipërisë, duke qenë se në kryeqytet pritet të vijë në mesjavë. Së bashku me këtë lojtar pritet edhe Medie Kagare. Lojtari i Kombëtares së Ruandës shihet si një përforcim shumë i mirë te bardheblutë dhe me të është ranë dakord tashmë për gjithçka. Madje, klubi i ka dërguar edhe vizën, kështu që ai do të bëhet pjesë e bardhebluve që këtë javë. E njëjta gjë edhe porsa i përket Selemani Ndikumana. Ky i fundit luan për kombëtaren e Burundit, me të cilën ka shënuar 13 gola. Orët në vazhdim pritet të sjellin zyrtarizimin e dy transferimeve nga tre sulmuesit e piketuar.

Aco Stojkov, sot pritet vendimi për maqedonasin
Aco Stojkov vijon të mbetet pezull. Sulmuesi maqedonas i Vardarit ka kërkuar kohë për të dhënë një përgjigje përfundimtare dhe, sipas drejtuesve, sot është dita e fundit. Nëse lojtari do të arrijë akordin përfundimtar me dy donatorët e Tiranës, me shumë gjasa do të dalë po sot në stërvitje. Burime nga klubi bëjnë me dije se me lojtarin është diskutuar edhe dje, deri në orët e vona të mbrëmjes. 30- vjeçari ka kërkuar jo më pak se 7 mijë euro në muaj si rrogë, kjo edhe për faktin që deri para pak kohësh ishte pjesë e Kombëtares së Maqedonisë. Ai ka luajtur për FK Belasica, Specia, Partizanin e Beogradit, Debreçenin, Njiregihaza, FC Arau, Zob Ahan dhe së fundmi për Vardarin. Sulmuesi ka qenë pjesë e të gjitha kombëtareve të moshave të Maqedonisë, teksa numëron edhe 41 ndeshje dhe 5 gola me ekipin e parë gjatë periudhës 2002-2010.

Firmos Sejdo, gjen akordin me klubin
Xhino Sejdo ka firmosur me Tiranën dhe nga dje ka rinisur stërvitjen. Portierit, të cilit i kishte përfunduar kontrata, deri dje konsiderohej një lojtar i larguar. Por, pasi është diskutuar mes lojtarit dhe drejtuesve, është gjetur një akord për vijimin e kontratës edhe për të paktën deri në fund të këtij sezoni. Sejdo luan që prej 2011-2012-ës te bardheblutë, ndonëse është konsideruar gjithnjë si portier i dytë ose i tretë. Sakaq, të larguar nga Tirana janë: Peqini, Çaushaj, Mamujesi, G.Hoxha, Kastrati, Hysenbelliu, Jovanoviç, Gerc, Semedo dhe Çaço.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"