Viti i ri nis me spastrime te Lushnja, klubi konfirmon 3 largime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2024 | 12:28

Viti i ri nis me spastrime te Lushnja, klubi konfirmon 3 largime

Klubi lushnjar ka bërë vetëm një përforcim deri më tani në merkato, duke zyrtarizuar mesfushorin Henri Sulovari. 21-vjeçari i lindur në Fier ka qenë më parë pjesë e Laçit në Superiore, ndërsa në dy sezonet e fundit ka luajtur me Besën e Kavajës.

lushnja

Ai ka nënshkruar deri në fund të sezonit me Lushnjën. Ndërkohë, klubi lushnjar ka ndërprerë bashkëpunimin me tre futbollistë. “Panorama Sport” mëson se bëhet fjalë për Visard Fikajn, Gilberto Gegën dhe Niko Zisin, që nuk do të jenë më pjesë e Lushnjës për pjesën e dytë të sezonit. Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i Lushnjës, Marius Sula.

“Po, Gega, Zisi dhe Fikaj zyrtarisht nuk janë më pjesë e Lushnjës”, deklaroi ai. Ndërkohë, pritet që në ditët në vijim të ketë konfirmime për afrime te lushnjarët, por në klub janë të rezervuar për të dhënë detaje.

STËRVITJA – Që nga dita e enjte e 4 janarit, lushnjarët kanë zbritur në fushë dhe po përgatiten në mënyrë të organizuar, në kuadër të rifillimit të kampionatit. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani i zhvillon seancat stërvitore në fushën stërvitore të Plugut, ndërsa gjithçka bëhet në kuadër të ndeshjes së radhës, që do të luhet më 20 janar kundër Tomorit në stadiumin “Roza Haxhiu”.

Teksa duhen edhe dy javë deri në rifillimin e kampionatit, me shumë mundësi verdhejeshilët do të grumbullohen për një minifazë. “Akoma nuk është vendosur, por me shumë mundësi do të grumbullohemi”, ka theksuar dje për “Panorama Sport” drejtori sportiv i Lushnjës.

ALBAN ALUSH – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"