Vinicius si Benzema dhe Rodrigo majtas, Siti u kap “mat” me 2 lëvizje të Ançelotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 14:00

Vinicius si Benzema dhe Rodrigo majtas, Siti u kap “mat” me 2 lëvizje të Ançelotit

Pep Guardiola e paralajmëroi përpara ndeshjes: Ançeloti nuk është thjesht menaxhues i mirë i futbollistëve, por një trajner që ka “shpikur” pozicione të reja për Pirlon, Krosin apo Bellinghamin. Pritej një tjetër lëvizje magjike e italianit dhe erdhi me Rodrigon në krahun e majtë dhe Viniciusin në qendër të sulmit si Karim Benzema.

vinicius rodrygo

Një lëvizje që dha fryte maksimale edhe pse në atë krah u shënua vetëm një gol, ai i kundërsulmit të Rodrigos. Sigurisht që mund të ishin tre ose 4 gola të tjerë. Kjo lëvizje ishte e duhura për të futur në jetë një skuadër që e nisi duke humbur ndeshjen që në minutën e parë. Një lëvizje të tillë e ka shpejtuar edhe Roberto Martinez, trajneri i kombëtares së Portugalisë.

“Ndryshimi në të majtë e befasoi Sitin. Aktivizimi i Viniciusit në qendër e detyroi Sitin që të mbrohej jashtë zone, diçka që nuk është mësuar ta bëjë shpesh. Tërheqja e tij deri në mesfushë tërhiqte mbrojtjen dhe lironte hapësira për Rodrigon në të majtë. Një lëvizje që realisht i befasoi “qytetarët”, ka thënë Martinez. Vinicius e bëri detyrën e tij duke e mbyllur ndeshjen me 2 asiste. Lojtari i fundit i Realit që ka dhënë 2 asiste në një ndeshje në çerekfinale ka qenë Marselo në vitin 2012 kundër APOEL-it, po ashtu në “Bernabeu”.

Rodrigo po ashtu bëri mirë në atë zonë. Goli i tij përmbysi ndeshjen për 114 sekonda. Dy sezone me parë sërish e njëjta gjë me golat e Rodrigos. Braziliani gjithmonë është i aftë për t’i bërë keq Sitit pasi i ka shënuar 3 gola në total, 2 në gjysmëfinale dhe 1 në çerekfinale. Ai konfirmoi se Champions-i është kompeticioni i tij. Deri tani ka arritur 20 gola në 48 ndeshje dhe është vetëm 23 vjeç dhe 91 ditë.

“Mendoj se ata nuk e prisnin që unë të luaja majtas, pasi ai është pozicioni i Viniciusit. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër”, ka thënë braziliani. Nëse Reali i Madridit nuk e humbi sfidën me Sitin dhe arriti që të merrte maksimumin nga një ndeshje e nisur jo mirë, kjo ishte edhe për meritë të lëvizjes gjeniale që bëri italiani. Guardiola kishte të drejtë: Ai nuk është thjesht një menaxher i grupit. Në fakt, nuk na duhej kjo ndeshje për ta kuptuar.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"