VIDEO/ Nisin përgatitjet e para për sfidën me Arabinë Saudite, Kombëtarja fillon stërvitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2022 | 18:14

VIDEO/ Nisin përgatitjet e para për sfidën me Arabinë Saudite, Kombëtarja fillon stërvitjen

Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin e saj për sfidën me Arabinë Saudite dhe menjëherë ka nisur me stërvitjen për t’u bërë gati për këtë sfidë.

kombetarja

Më konkretisht në këtë seancë të zhvilluar në kompleksin Tropikal në Durrës ishin Arlis Shala, Albion Marku, Erdenis Gurishta, Andi Hadroj, Esin Hakaj, Stivian Janku, Eneo Bitri, Esat Mala, Lorenco Vila, Arinaldo Rrapaj e Xhuliano Skuka nga klubet shqiptare, ndërkohë që morën pjesë edhe mesfushori Odise Roshi dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, të cilit i kishin mbyllur impenjimet e tyre me klubet këtë fundjavë.

Gjithashtu, me ekipin u stërvit sot edhe portieri i Teutës, Endri Dema, teksa nesër e deri të hënën do të bashkohen me përfaqësuesen edhe lojtarët Sherif Kallaku, Ardit Deliu, Redon Xhixha dhe Arbnor Muçolli. Sakaq pesë nga futbollistët e ftuar do të udhëtojnë menjëherë në Abu Dabi të hënën për t’u bërë pjesë e Kombëtares. Bëhet fjalë për Ardit Tolin, Mario Mitaj, Bekim Balaj, Elhan Kastrati dhe Gentian Selmani, të cilët janë të impenjuar këtë të diel me klubet e tyre.

Trajneri Reja është takuar fillimisht me të gjithë lojtarët dhe pas një bisede të shkurtër grupi ka bërë një seancë të lehtë pa shumë ngarkesë, duke qenë se shumica kanë luajtur dje ndeshje me klubet e tyre.

Përfaqësuesja kuqezi do të zhvillojë përgatitjet në Durrës deri të hënën pasdite, kur do të udhëtojë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe për miqësoren.

Të martën e 25 tetorit ekipi do të zhvillojë seancën zyrtare në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit aty ku do të zhvillohet edhe ndeshja të mërkurën, që do të nisë në orën 18:30 sipas orës lokale (16:30 sipas orës shqiptare).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"