VIDEO/ Nga arsyet e vërteta të “divorcit” me Barcelonën te e ardhmja, Mesi rrëfen gjithçka mes lotësh. Ja fjalët e yllit argjentinas në konferencën e lamtumirës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2021 | 0:30

VIDEO/ Nga arsyet e vërteta të “divorcit” me Barcelonën te e ardhmja, Mesi rrëfen gjithçka mes lotësh. Ja fjalët e yllit argjentinas në konferencën e lamtumirës (E PLOTË)

Në orën 12:00 të mes ditës së djeshme ishte dalja e fundit e Lionel Mesit në “Camp Nou” si lojtar i Barcelonës. I veshur me një kostum elegant, u fut i vetëm në sallën e konferencave.

Mesi52

Menjëherë sapo hoqi maskën nuk i mbajti dot lotët. Shokët e skuadrës, familja dhe trofetë e fituar me klubin e shoqëruan në këtë moment të vështirë të karrierës së tij. “Nuk e di nëse mund të flas. Në ditët e fundit kam menduar se çfarë të them, por këtu jam bllokuar.

Mesi argjentinasi

Pas kaq shumë vitesh është tmerrësisht e vështirë dhe nuk isha i përgatitur për t’u larguar. Vitin e kaluar kur doli historia e burofaksit isha gati të ikja, por këtë herë jo. Kam ardhur si fëmijë këtu dhe pas 21 vitesh do të largohem me bashkëshorten dhe me tre djemtë katalano-argjentinas.

Nuk mund të jem më shumë krenar sesa tani për atë që kam bërë. Do të rikthehem sërish në Barcelonën. Kam kaluar shumë gjëra të bukura dhe të vështira këtu.

Dua të falënderoj njerëzit për dashurinë që më kanë thënë. Do të më mungoni shumë. Do të më pëlqente të largohesha me duartrokitjet e tifozëve, por kështu ishte e thënë.

Nuk më dalin fjalët tani. Faleminderit të gjithëve”. Lotët nuk iu ndalën kurrë dhe buza i dridhej nga emocionet. Kështu Leo Mesi e nisi fjalën e tij dhe në fund u duartrokit nga të gjithë të pranishmit duke bërë që emocionet të shtoheshin më shumë dhe lotët të mos ndaleshin. Pastaj ishte radha e konferencës me gazetarët.

Ndiheni i tradhtuar apo i gënjyer në këtë histori?

Jo. Ne bëmë gjithçka që mund të bënim. Unë flas në aspektin tim dhe jo për të tjerët. Kam qenë gjithmonë i hapur dhe i drejtpërdrejtë me tifozët e Barcelonës. Transparenca nga ana ime nuk do të mungojë kurrë. Por, kur unë rri i heshtur, thuhen shumë gjëra të pavërteta. Duhet të flasim, të tregojmë të vërtetat, të japim opinione dhe mendime. Secili mund të thotë çfarë të dojë, por unë them të vërtetën për njerëzit me të cilët u rrita gjatë këtyre viteve.

Mendonit që ta ulnit rrogën aq shumë sa për ta zyrtarizuar kontratën tuaj në La Liga?

Unë e ula rrogën time 50% dhe e mbyllëm marrëveshjen. Nuk m’u kërkua asgjë tjetër pas këtij momenti. Gjithçka që do të thuhet është gënjeshtër. Ne bëmë gjithçka dhe nuk ishte e mundur. Ka shumë gjëra që nuk janë të vërteta.

Ju mungon një Champions më shumë në palmaresin e pasur me Barcelonën?

Sigurisht që nuk më vjen mirë dhe e kam peng që më mungon një Champions. Ishim shumë pranë në vitet e fundit, por humbëm ndaj Liverpulit.

Në kohën e Guardiolës ishim një ekip fantastik dhe mund të fitonim më shumë, por kam fituar shumë gjëra të tjera. Nuk kam pengje për karrierën që kam bërë. Objektivi im është të fitoj Champions-in dhe shumë tituj të tjerë. Dua që të marr shembull nga Dani Alvesh, i cili kudo që shkon fiton trofe. Dua t’i afrohem sa më shumë.

Mund të bënit ndonjë çmenduri për të qëndruar te Barcelona?

Unë e kam thënë edhe më parë. Kam bërë gjithçka për të qëndruar dhe nuk ishte e mundur. Nuk kam asgjë për të thënë.

Pse e mbyllët kaq shpejt këtë histori duke qenë se ka ende merkato?

Këtë e shpjegoi edhe presidenti. Klubi ka një borxh shumë të madh dhe nuk do që të zhytet akoma më shumë. Nuk mund të bëhej gjë, sepse edhe La Liga nuk e lejonte. Unë duhet të mendoj edhe për karrierën time dhe tani është koha për ta bërë këtë.

Sa vite i kanë ngelur Mesit në karrierën e tij si futbollist?

Varet se si do të përgjigjet fiziku im. Kam shumë miq që më thonë se sa e vështirë është që të përshtatesh me jetën përtej futbollit. Jemi të mësuar me një rutinë për shumë vite dhe nuk është e lehtë. Por, unë do të vazhdoj të punoj dhe të jem kompetitiv.

Mund të na e shpjegoni foton me disa futbollistë të PSG-së në Ibiza?

Historia e fotos është një budallallëk. Unë kisha lënë takim me Di Marian dhe Paredesin. Nejmar më telefonoi duke më thënë se ishte aty dhe sigurisht që do ta takoja. Ishte edhe Verrati dhe kështu bëmë një foto. Më thanë me shaka që mund të shkoja te Parisi. Ishte një rastësi. Për momentin është kaq, por mund të thuhen shumë gjëra. Ishte thjesht një foto mes miqve me pushime.

Mund të luani në një skuadër kundërshtare të Barcelonës?

Unë jam fitues. Dua që të luaj në skuadra që luftojnë për trofe. Nëse do të qëndroja këtu, do të luftoja për të fituar gjithçka. Meqë ra fjala këtu, dua të uroj Dani Alveshin për medaljen e artë në Olimpiadë. Dua të luftoj që ta arrij dhe ta kaloj. Njerëzit e dinë se si jam unë. Unë doja të qëndroja, ndërsa tani dua të shkoj diku dhe të fitoj trofe.

Si e përjetuat lajmin?

Ishte si një dush i ftohtë. Tani po rikuperohem nga ajo që ndodhi. Por, kur të largohem do të jetë akoma më keq. Mirëo, kur të rikthehem të luaj futboll do ta harroj gjithçka dhe do të më kalojë pak nga pak.

Mendoni se ishin të kota shpresat për vazhdimësinë tuaj?

Jo. Nuk ishin të pavërteta. Ne ishim të bindur të gjithë që do të qëndroja. Kishim rregulluar gjithçka dhe nuk kishim probleme. Mendoj se unë gjithmonë kam qenë i sinqertë me njerëzit. Kurrë nuk i kam gënjyer.

Kishit vendosur të largoheshit në fundin e sezonit?

Kur u mbyllën zgjedhjet për president te Barcelona, unë u takova me Laportën dhe drekova me të. Folëm për gjithçka dhe pas atij momenti isha i bindur për të qëndruar, sepse nuk do të kishte probleme. Kontrata ime nuk ka qenë kurrë problem. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi.

Si e imagjinoni Mesin pa Barcelonën dhe Barcelonën pa Mesin?

Te Barcelona do të vijnë lojtarë të tjerë shumë të mirë. Lojtarët vijnë dhe ikin. Siç e tha Laporta, klubi është gjithmonë më i rëndësishëm dhe më i madh se të gjithë. Në fillim do të jetë e vështirë dhe e çuditshme, por të gjithë do të mësohemi. Barcelona ka një organikë mjaft të mirë dhe me futbollistë të rëndësishëm.

Si ndiheni në këto momente?

Jam shumë i trishtuar që do të largohem nga klubi që dua dhe kjo gjë erdhi atëherë kur nuk e mendoja. Kurrë nuk kam gënjyer. Vitin e kaluar doja të largohesha, ndërsa këtë vit doja të qëndroja. Për këtë jam më shumë i mërzitur.

A është ky momenti më i vështirë i karrierës?

Po. Ky është. Kam pasur momente shumë të vështira, humbje dhe eliminime. Por, rikthehesh në stërvitje dhe gjithçka harrohet. Ama, kjo gjë nuk kthehet më. Ky është fundi. Tani nis një tjetër historike dhe është moment shumë i vështirë për mua.

Nëse do të pyesnim se cilën foto do të zgjidhnit për karrierën tuaj te Barcelona, cila do të ishte?

Është shumë e vështirë. Ka shumë foto të bukura, sidomos ato ku fiton tituj. Kam shumë foto për të kujtuar historinë time të jashtëzakonshme këtu.

Ku do të luani në sezonin e ardhshëm?

PSG-ja është një mundësi, por ende nuk kam asgjë për të përfunduar me asnjë ekip. Kur doli komunikata kisha shumë telefonata. Disa klube u interesuan për mua. Për momentin nuk ka asgjë të mbyllur, por po flasim.

Cila është gjëja më e trishtueshme në këtë histori?

Kam shumë gjëra në mendje. Jam i bllokuar dhe nuk po e kuptoj dot realitetin për t’u larguar nga klubi dhe për të ndryshuar jetën. Kam 16 vite këtu në skuadrën e parë. Tani do të nis gjithçka nga zeroja dhe do të ndryshoj. Është e vështirë për familjen time. Por, do të përshtatemi dhe do të jemi mirë. Është ndryshim i vështirë, mirëpo duhet ta pranojmë dhe të nisim gjithçka nga e para.

A bëri Barcelona gjithçka për t’ju mbajtur?

Nuk e di. Laporta ka thënë se ishte faji i La Ligës. Unë bëra gjithçka që mundja. Kam dëgjuar shumë gjëra që u thanë për mua, por unë doja të qëndroja.

Çfarë ndodhi në ditët e fundit? Ju erdhët në Barcelonë për të qëndruar?

Është e vërtetë, por për shkak të La Ligës nuk mund të zyrtarizohej marrëveshja, sepse ne e gjetëm gjuhën e përbashkët.

Cili është momenti më i bukur juaji te Barcelona?

Janë shumë vite këtu, shumë gjëra të përjetuara. Është e vështirë, por ndoshta do të zgjedh momentin e debutimit. Ishte fillimi i gjithçkaje, ku nisa të bëja ëndrrën realitet. Gjithçka që ndodhi më vonë ishte e mrekullueshme, por do të zgjedh debutimin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"