“Vendi i tetë një dështim”, Shehi: Jemi për Europë, e përmbysim Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2020 | 23:39

“Vendi i tetë një dështim”, Shehi: Jemi për Europë, e përmbysim Skënderbeun

Në Shkodër po bëhen gati për një finale me Skënderbeun. Fitorja është objektivi i vetëm, ndonëse e kanë të qartë se të lehtë nuk do ta kenë. I këtij mendimi është edhe Dajan Shehi, ndonëse paralajmëron se Vllaznia i ka që të gjitha forcat për t’i mposhtur korçarët dhe parakaluar në renditje. 

MG_4991-SHEHI-MIKELTHEPINACOM

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” elbasanasi flet edhe për konkurrencën e shtuar në qendër të mbrojtjes, por zotohet që bashkë me Malotën do ta ruajnë të paprekur portën.

Vllaznia në këtë sezon nuk i ka fituar kurrë dy ndeshje radhazi në shtëpi, a mund të ndodhë surpriza kundër Skënderbeut?

Na pret një përballje shumë e vështirë, kundër një Skënderbeu që po bën mirë këtë vit. Por ne besojmë se do të dalim me kokën lart nga kjo ndeshje. Shpresojmë të arrijmë te fitorja, ndonëse e dimë që misioni nuk do të jetë i lehtë, pasi është një duel që secila skuadër kërkon pikët maksimale për t’iu larguar vendeve të fundit. Gjithsesi, jemi të mobilizuar dhe do të luftojnë deri në frymën e fundit.

Skënderbeu është kundërshtari juaj më i afërt në renditje, a mund të vijë rokada këtë javë?

Për këtë luhet kjo ndeshje. Vllaznia do parakalimin e Skënderbeut, e këta të fundit shkëputjen nga ne. Ne duhet ta fitojmë, pasi duhet të largohemi sa më shpejt nga vendi i tetë, se ekipi ynë nuk është ndërtuar për të qëndruar në të tilla pozita.

Çfarë duhet të bëjë më shumë Vllaznia për ta fituar këtë ndeshje?

Vllaznia në këtë ndeshje duhet të tregoj shpirt gare, pasi për ne është një finale. Nuk na lejohet asnjë hap fals, pasi do bëhet shumë e vështirë më pas. Duhet të kemi kujdes sulmin e Skënderbeut, pasi janë shumë të rrezikshëm.

Konkurrencë e madhe edhe në mbrojtje, jeni tre lojtarë për dy vende. Sa po i vlen kjo skuadrës?

Konkurrenca i bën mirë çdo lojtari dhe çdo ekipi, vetëm kështu motivohesh dhe jep më të mirën në stërvitje dhe ndeshje. Besoj se po i vlen shumë Vllaznisë.

Me mungesën e Adilit, rikthehet në qendër dyshja Shehi-Malota. Jeni bërë gati për të ruajtur portën e paprekur?

Me Malotën kam gati një vit që luajmë dhe kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Së bashku e kemi mbajtur të paprekur portën për 11-të ndeshje dhe shpresojmë që ta mbajmë edhe përballë Skënderbeut.

Gara është e ngjeshur jo vetëm për kreun dhe Europën, por edhe në fund. Sa të rrezikuar jeni? 

Për zonën e “Play out”-it shikoj 6 ekipe të rrezikuara dhe ai që do gabojë më tepër, do t’i duhet që të luajë ndeshje ekstra. Di të them vetëm që nëse mbetemi të 8-t, atëherë do të ishte dështim për Vllazninë. Ne jeni ndërtuar për të shkuar në Europë. Shpresojmë që të shkojmë, do ishte diçka e bukur për ne dhe tifozët.

Këtë Vllazni e shihni më të fortë apo më të dobët momentalisht, sesa ajo e pjesës së parë të sezonit?

Mendoj se forca e Vllaznisë është e njëjtë, madje mund të them se skuadra ka përmirësim. Kam shumë besim se në fund të sezonit objektivi do jetë i arritur. Gjithmonë ka vend për të bërë më mirë, por me punë e përkushtim do përpiqemi çdo ditë e më shumë që të shkojmë aty ky duhet.

 ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"