U shpall kampion me Partizanin dhe Skënderbeun, futbollisti 34-vjeçar tërhiqet nga futbolli i luajtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2024 | 20:17

U shpall kampion me Partizanin dhe Skënderbeun, futbollisti 34-vjeçar tërhiqet nga futbolli i luajtur

Futbollisti vlonjat, Hektor Idrizaj ka marrë një vendim surprizues ditën e sotme, teksa bëri me dije se nuk do të jetë më pjesë e futbollit të luajtur, duke “varur këpucët në gozhdë”, pas 17 viteve kontribut për futbollin shqiptar. Vetë ish-mbrojtësi ka njoftuar se ka mbyllur aventurën me Elbasanin, për të nisur sfidë të re po me të njëjtin klub. 

idrizaj

34-vjeçari ka pasur karrierë të pasur gjatë 17 viteve. Ai fillimisht kontribuoi për vendlindjen e tij Vlorën me ekipin e Flamurtarit, më pas me Bylisin, Teutën, Skënderbeun, Kamzën dhe Partizanin. 

Kujtojmë se në karrierën e tij u shpall kampion me Partizanin, ndërsa fitoi dhe Superkupën me Teutën. Po ashtu ishte pjesë e Skënderbeut, që fitoi kampionatin e Kategorisë së Parë sezonin e kaluar. 

Postimi i Hektor Idrizajt: 

“Gjithçka fillon si një ëndërr! Sot vendos të tërhiqem nga futbolli i luajtur. Në skuadrën time, ka lojtarë që kanë lindur pasi unë kam bërë debutimin tim të parë. 

Jam thellësisht mirënjohës për rrugëtimin që kam bërë, për miqtë e çmuar që kam gjetur dhe për mësimet e paharrueshme që kam marrë. Futbolli për mua është shumë më shumë se një lojë – është një mënyrë jetese. 

Dua të falenderoj nga zemra secilin prej jush që ka qenë pjesë e këtij udhëtimi fantastik – nga shokët e skuadrave (Flamurtari 2007-2008, Bylis 2008-2012, Teuta 2012-2014, Flamurtari 2014-2016, Skenderbeu 2016-2017, Kamza 2017-2019, Partizani 2019-2021, Teuta 2021-2022, Skenderbeu 2023, Elbasani 2023-2024), trajnerët dhe tifozët që më kanë mbështetur gjithmonë. 

Inkurajimi juaj i pakufishëm ka ushqyer pasionin tim dhe i ka bërë këto 17 vitet e fundit të jashtëzakonshme. 

Në fund, dua të shpreh falenderimin për familjen verdheblu @afelbasani për mundësinë për të vazhduar sëbashku një sfidë të re.” 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"