Trajneri i ri i Tomorit kërkon fat në debutimin në Fier, beratasit i besojnë matematikës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 12:40

Trajneri i ri i Tomorit kërkon fat në debutimin në Fier, beratasit i besojnë matematikës

Kreu i pankinës së Tomorit i është besuar trajnerit beratas, Iken Droboniku. Ai është njohje e vjetër e klubit, si një ish-sulmues i Tomorit dhe Apolonisë, por edhe si trajner i ekipeve zinxhir.

Iken DOBRONIKU dhe zv.trajneri Lisjan Hadaj

Në eksperiencat e tij të mëparshme, Droboniku ka qenë dhe trajner i parë e në disa raste zv.trajner në krah të emrave të njohur që kanë drejtuar Tomorin. Së bashku me ndihmësin e tij Lisjan Hadaj, një ish-futbollist i Tomorit, ndonëse në vetëm dy ditë punë në drejtimin e skuadrës, janë përpjekur të organizojnë punën dhe t’i përgatisin denjësisht beratasit për takimin e sotëm në Fier.

Tomori do të kërkojë një rezultat pozitiv, që do t’i shërbente mbijetesës. Trajneri në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para debutimit me Apoloninë pohoi se ai dhe ekipi besojnë deri në fund te arritja e mbijetesës.

IKEN DROBONIKU – “Si fillim, më duhet të falënderoj klubin dhe presidentin Ervin Demo, që më besuan drejtimin e Tomorit deri në fund të sezonit, pavarësisht momentit të vështirë që po kalon skuadra. Unë së bashku me ndihmësin tim Lisjan Hadaj do të japim gjithçka nga vetja dhe së bashku me futbollistët të provojmë deri në fund të shpëtojmë Tomorin nga rënia.  Për sa kohë na mban në lojë matematika, atëherë janë të shumta arsyet përse të mos besojmë te mbijetesa, sepse i tillë është futbolli që të mban shpresat gjallë.

Kam vetëm dy ditë në krye të skuadrës, por futbollistët i njoh mirë nga puna si zv.trajner gjatë periudhës së fundit dhe kam shumë besim te potenciali i tyre. Ata do të dinë të reagojnë mjaft mirë që nga ndeshja me Apoloninë dhe e ritheksoj se është matematika ajo që na shton motivimin. Apolonia është një kundërshtar që meriton respekt për futbollin e bukur që luan, por ne s’kemi presion dhe do të provojmë të luajmë vetëm për pikët që na nevojiten. Debutimi im në Fier është një ndjesi e bukur, sepse dikur kam luajtur për Apoloninë. Shpresoj që të kem fat së bashku me skuadrën”, ka përfunduar trajneri i ri i Tomorit, Iken Droboniku.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"