Tomori drejt “greminës”, Çaushllari: Janë të vonuar, ja si shpëtohet sezoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2024 | 11:52

Tomori drejt “greminës”, Çaushllari: Janë të vonuar, ja si shpëtohet sezoni

Ish-mesfushori i njohur i Tomorit dhe i shumë skuadrave në Slloveni dhe Belgjikë, Ilir Çaushllari, është i shokuar nga kriza që po kaplon skuadrën beratase, që po shkon drejt rënies në Kategorinë e Dytë.

WhatsApp Image 2024-03-24 at 11.12.55

49-vjeçari që jeton prej vitesh në Belgjikë, ka qenë së fundmi në vendlindjen e tij, Berat, duke ndjekur edhe ndeshjen Tomori-Luzi, që u fitua nga këta të fundit me shifrat 1-2 dhe përkoi me dorëheqjen e trajnerit Febron Ziu. Çaushllari ka folur për “Panorama Sport” lidhur me situatën ku ndodhet Tomori, duke bërë edhe një apel të fortë për të gjithë faktorët në qytetin e Beratit. Ai i cilëson si të pafalshme eksperimentet me trajnerët.

“Me gjithë qëndrimin tim të shkurtër në Berat, shkak për të cilin u bë një festë familjare, më ka mjaftuar që të informohem nga afër me të gjitha zhvillimet në skuadrën e vendlindjes. Gjithçka e ndjekim nga larg, ku dhe jetojmë, por shumë më ndryshe është realiteti kur e prek nga afër. Surprizat janë të shumta dhe kjo në kuptimin kur të lënë një shije apo ndjesi aspak pozitive. Sapo erdha në Berat të shtunën e kaluar, kam zbritur nga makina dhe u futa në tribunën e stadiumit për të ndjekur pjesën e dytë të përballjes me Luzin. U befasova vërtetë, jo vetëm nga niveli i dobët i skuadrës, por edhe nga ngjarjet e rënda të një marrëdhënie të acaruar dhe ekstreme mes tifozërisë dhe trajnerit. Më mjaftoi ajo që pashë, pasi bisedova edhe me figura të njohura të futbollit beratas. Rezultatet negative në seri dhe renditja në vendin e fundit nuk të lënë shumë vend për të dalë në konkluzionin se futbolli beratas është në një krizë të thellë. Mendoj se kjo vjen prej nivelit të dobët të organizimit dhe funksionimit të klubit”, ka thënë fillimisht ish-mesfushori Çaushllari, për të vijuar më pas duke vënë gishtin në plagë.

“Tomori nuk ka ekipe fëmijësh, por vetëm një akademi private dhe për këtë duhet falënderuar dinastia Arbëri. Nuk ka fusha futbolli, nuk ka sponsor dhe mbi të gjitha nuk ka projekte për të ardhmen. Kjo është aktualisht panorama e zymtë e klubit. Skuadrën e parë e dominojnë eksperimentet me trajnerë me ose pa eksperiencë, të cilët punojnë pa objektiva dhe vetëm sa e dobësojnë ekonomikisht klubin. Mungon guximi për të afruar trajnerët e rinj që përfaqësojnë futbollin modern. Bëhet merkato sa për të plotësuar organikën dhe rezultati është vendi i fundit, duke acaruar tifozërinë”, theksoi beratasi.

SITUATA – Çaushllari u fokusua tek ajo që ndodh me trajnerët në krye të Tomorit. Ish-lojtari që dikur ka qenë pjesë e Genk në Belgjikë, i bën thirrje bashkisë që të emërojë një teknik që në këtë situatë merr përsipër shpëtimin e sezonit.

“Për mua lëvizja e trajnerit është e vonuar, sepse kujt i vlen tani drejtimi i një skuadre kur humbjet në seri i shikonin të gjithë dhe askush nuk ndërhynte për shkarkim të menjëhershëm. Unë jam vetë trajner dhe në punën tonë orientohemi nga ambicia e rezultateve pozitive. Kjo është e mishëruar edhe tek objektivi që ka klubi, ndërsa në Berat më vjen keq ta them, por janë shumë larg standardeve bashkëkohore në organizim dhe funksionimin e një skuadre. Për mua, klubi dhe bashkia duhet të emërojnë një trajner që merr përsipër shpëtimin e Tomorit. Një trajner është në gjendje që t’i kthejë skuadrës identitetin e saj”, përfundoi Çaushllari.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"