Titullar që 18 vjeç, portieri i Flamurtarit: Duroni pak, do kthehemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2020 | 12:04

Titullar që 18 vjeç, portieri i Flamurtarit: Duroni pak, do kthehemi

Është vetëm 18 vjeç, por e thotë troç: “Jam gati të mbroj portën e Flamurtarit”. Me largimin e Shpëtim Moçkës, Saugli Alimuçaj është tashmë titullar i kuqezinjve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri tregon emocionet, por edhe përgjegjësinë që ka mbi supe. Apelon që të gjithë të bëjnë pak durim pasi ky grup premton për të ardhmen.

saugli alimucaj

“Kjo është një nga arritjet e mia të para deri tani. E kisha ëndërruar që fëmijë të mbroja portën e Flamurtarin dhe ja ku jam. Është një privilegj i madh që të mbrosh ngjyrat e ekipit të zemrës, por edhe përgjegjësi. Kështu që, më duhet të jem shumë i vendosur dhe të bëj çka mundem për të mbrojtur sa më mirë dhe të paprekur portën. Mendoj se jam gati për të qenë titullar, pasi këtë mundësi e kam pritur. Kam punuar dhe do punoj sa më shumë për të dalë me kokën lart. Jam plotësisht i gatshëm dhe stërvitem shumë. Jam shumë kërkues nga vetja dhe dua që të rritem sa më shumë. Jemi një ekip i ri në moshë dhe moseksperienca bën që ekipi të ketë ulje-ngritje. Pavarësisht kësaj, ne mundohemi shumë, pasi e duam Flamurtarin. Djemtë e rinj janë shumë të angazhuar dhe seriozë në përgatitje. Unë shikoj se ky ekip me këta elementë që ka do të ecë para. Dua t’u them të gjithëve të kenë pak durim”, tha gardiani.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"