Tirana-Vllaznia, “klasikja” e krizës fitohet nga bardheblutë. Dede: Po na ikin lojtarët

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 15, 2013 | 10:58

Tirana-Vllaznia, “klasikja” e krizës fitohet nga bardheblutë. Dede: Po na ikin lojtarët

Copy-of-Klodian-Duro-ne-Tirana-Vllaznia-0-0-320x246Tirana – Vllaznia 1-0
GOLI: Çota 26′
TIRANA: Çaka, Marku, Sina, Llënga, Kalari, Muça, Peposhi, Çaçi, Sorra, Kërçiku, Çota; Trajner: N.Dede. U aktivizuan: Sejdo, Kaja, Xhafa, Hoxha.
VLLAZNIA: Selimaj, Beqiri, Sykaj, Gocaj, Semina, Tafili, Bardulla, Hajdari, Ramadani, Shtubina, Gjini; Trajner: A. Canaj. U aktivizuan: Belisha, Kraja, Rexha, Dema, Hallunaj, Dhrami, Dibra, Kruja, Vecaj, Guri.
GJYQTAR: I.Zhuli
KARTON I VERDHË: Sorra 61′, Kalari 74′, Kaja 80′, Xhafa 85′

Tirana-Vllaznia fitohet nga bardheblutë. Këta të fundit mjaftohen me një gol të Çotës, të shënuar në të 26-tën për të fituar testin e shtatë miqësor për këtë periudhë. Klasikja shqiptare, sikundër të gjithë janë mësuar ta quajnë përballjen mes këtyre dy ekipeve, në fakt ishte shumë larg atyre të zakonshmeve. Madje, mund të quhet pa frikë si përballja e krizës, pasi të dyja klubet kanë të njëjtin ngërç në këtë periudhë, nuk kanë financa dhe rrjedhimisht nuk kanë bërë merkato. Ajo që binte sy në këtë 90-minutësh, ishte stoli i boshatisur i bardhebluve, teksa kishte shumë mungesa, por edhe largime, ku më i fundit është Afrim Taku. Megjithatë, kur vjen puna te rezultati, kryeqytetasit ia dolën, duke fituar.
Pjesa e parë Takimi nis shpejt dhe me të dyja skuadrat agresive në fushë, teksa mundohen që të marrin kontrollin e topit dhe të krijojnë rastet e tyre. Por, përpos përpjekjeve, episodet konkrete për minuta të tëra mungojnë. Bardheblutë në fakt mundohen të fitojnë terren dhe ia dalin. Në të 26-tën vjen goli i parë i takimit, por edhe i vetmi. Sorra kroson nga e majta për Çotën, i cili, i ndodhur para kuadratit, godet fuqishëm me kokë dhe e dërgon në rrjetë, duke çarë edhe këtë të fundit madje. Mundohen kuqeblutë që të kundërsulmojnë në të njëjtën mënyre, teksa Beqiri tenton me kokë, por Çaka pret i sigurt topin. Loja vazhdon, por rastet konkrete dhe të rrezikshme mungojnë, për pasojë ky 45-minutësh mbyllet pa ndryshime në rezultat.
Pjesa e dytë Ky fraksion nis me lëvizje në formacione, sidomos tek ai shkodran, që fut thuajse të gjithë stolin. Ndërsa Tirana aktivizoi ata të paktë që kishte gati në pankinë. Në të 50- tën Sorra befason me një goditje nga distanca, po portieri i ri Hallunaj pret. Shkodranët shtojnë presionin mbi vendësit dhe rastet për gol gjithashtu. I sapofuturi Dhrami në të 77-tën gjuan fort, por topi përfundon mbi tra. Pak minuta më vonë është sërish sulmuesi që tenton, por Sejdo shpëton kuadratin. Minutat e fundit e luajtura në errësirë, më shumë se rastet apo golat që mungonin, shtuan vetëm kartonët e verdhë te bardheblutë. Ndeshja u mbyll këtu me fitoren minimale të kryeqytetasve ndaj Vllaznisë.

Debutimet
Katër lojtarë kanë debutuar dje në “Selman Stërmasi”. Tre për llogari të Tiranës, ndërsa një tjetër për Vllazninë. Dorian Kërçiku, Erjon Xhafa dhe Ervis Kaja, janë futur dje në fushë në këtë miqësore. I pari ka nënshkruar zyrtarisht kontratë me klubin bardheblu, ndërsa dy të tjerët janë ende në pritje. Sakaq, në kampin shkodran luajti sulmuesi Arbër Dhrami, i cili ka shumë pak ditë që është vënë nën urdhrat e trajnerit Canaj. Që të katërt bënë paraqitje vërtet të mirë, duke i bindur trajnerët.

LARGOHET TAKU
Afrim Taku dje nuk është parë në stadium dhe aq më tepër në fushë. Mesfushori i bardhebluve, pasi ka kërkuar letrat e veta në klub, duket se ka vendosur të largohet nga skuadra kryeqytetase. Futbollisti madje u ka shprehur shokëve të skuadrës se nuk ka në plan të vijë në stërvitje, gjë që dëshmon se “divorci” mes palëve është i pashmangshëm. Tashmë mbetet vetëm për t’u parë se ku do të jetë e ardhmja e këtij 23-vjeçari.

“Po na ikin lojtarët, në pritje të zgjedhjes”
Nevil Dede, pas ndeshjes miqësore me Vllazninë për mediat, u shpreh se: “Ne vazhdojmë të stërvitemi dhe të zhvillojmë miqësore, por problemet vazhdojnë të njëjtat. Uroj vetëm që të mos na ikin më lojtarë, kjo është e gjitha. Ju e patë dhe vetë se edhe Taku nuk ishte sot, shpresoj që në vazhdim të mos kemi rrjedhje të tjera. Ne edhe pse po punojmë për të mbajtur tonusin e përgatitjeve, problemi është i njëjti, s’kemi kontingjent. Deri dje jemi stërvitur me 12 futbollistë, ndërkohë që na janë shtuar edhe tre, po që nuk mjaftojnë për të përballuar sezonin. Kjo nuk është gjë e vogël, madje është problem i madh shumë, ndonëse dihet që janë të tjerë njerëz që vendosin. Lojtarët s’janë të qetë dhe kjo duhet kuptuar. Unë nuk dorëzohem gjithsesi, një gjë të tillë mund ta bëj vetëm kur të mos kem as 11 lojtarë për të dalë në fushë”.

Titullarët duam t’i kthejmë, por s’ka financa”
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, këmbëngul për të bërë merkato. “Kjo ishte miqësorja e tretë që ne zhvillojmë që kur unë jam ulur në pankinë. Jam i kënaqur me punën, dhe për momentin ne po mundohemi të rikthejmë ish-titullarët e sezonit të kaluar te Vllaznia për të plotësuar grupin. Kjo është periudha më e ngarkuar dhe shtyrja njëjavore do të na bëjë shumë punë për të rikuperuar formën e skuadrës deri në startin e sezonit. Financat na kanë munguar dhe duke qenë se puna në skuadër që ne po bëjmë është kolosale, unë mendoj që edhe vëmendja e kryebashkiakut apo donatorëve në këto çaste duhet të jetë më e madhe për Vllazninë. Sa u përket malazezëve Rajoviç e Vujadinoviç, janë dy kualitete që kanë bërë shumë për Vllazninë. Por edhe në këtë aspekt çështja financiare është ajo që është kthyer në ngërç”, – tha Canaj.
ADELA MERKO






www.minuta90.com