Dede paralajmëron se do qëndrojnë vetëm 20 lojtarë. Tirana i jep rrogat përgjysmë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 17, 2013 | 14:20

Dede paralajmëron se do qëndrojnë vetëm 20 lojtarë. Tirana i jep rrogat përgjysmë

tiranaTe Tirana dje ka qenë ditë rrogash. Në llogaritë e futbollistëve është hedhur paga e muajit shtator, veçse jo për të gjithë. Ka nga ata që do t’u duhet të presin, pasi do të bëhen disa rishikime dhe vetëm më pas do kenë mundësi t’i tërheqin paratë e tyre. Disave u ka ardhur “sms”-ja nga banka, ndërsa disa të tjerëve akoma jo. Edhe pse u ishte komunikuar ditën e hënë se do mund të paguheshin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për të gjithë. Fakti që një pjesë nuk janë shlyer ka lidhje me rishikimin edhe një herë të kontratave, të cilat janë firmosur muaj më parë. Ndaj futbollistët janë akoma në pritje për të parë se çfarë do ndodhë.
Klauzolat – Jo vetëm likuidim me minutazh, pasi kjo pjesë është e parashikuar në kontratë dhe lojtarët e kanë nënshkruar me vetëdije, por edhe dëmtimet kanë bërë që pagat e atyre që janë dhënë dje të mos merren të plota. Lojtarët që kanë probleme fizike dhe nuk luajnë një përqindje të caktuar takimesh në muaj, rrogën do ta marrin të minimizuar. Kësisoj, frika e gjithsecilit tashmë është që të mos dëmtohen më, pasi një gjë e tillë do t’u cenonte të ardhurat. Por sikundër është pasqyruar gjatë kësaj kohe edhe në gazetë, te bardheblutë problemet në infermieri kanë qenë të mëdha. Për rrjedhojë, kur t’u shlyhet detyrimi mujor do marrin më pak, ndryshe nga sa e kanë të parashikuar.
Rishikimi – Kujtojmë që një javë më parë drejtuesit e klubit, konkretisht administratori Alimehmeti, thirri në zyrën e tij 12 futbollistë për të diskutuar rishikimin e kontratave që ata kanë firmosur muaj më parë. Mirëpo ata e kanë refuzuar në mënyrë kategorike, duke mos e pranuar kështu kërkesën e bërë nga kreu i klubit. Jemi vetëm në javën e 7-të të sezonit futbollistik, ndaj lojtarët nuk kanë pranuar kurrsesi t’u ulet rroga, duke qenë se muaj më parë kanë nënshkruar me kushte të tjera. Megjithatë, klubi nuk ka hequr dorë nga nisma e ndërmarrë, e cila është ndjerë edhe në likuidimet e përgjysmuara të një dite më parë.

Nis stërvitja, dje me dy seanca
Pas së martës pushim, për shkak të festës së Kurban Bajramit, dje ekipi ka rifilluar përgatitjet. Janë zhvilluar dy seanca, paradite dhe pasdite. Ndonëse ka pasur reshje shiu, skuadra ka qenë e përqendruar te stërvitja, duke qenë se ndeshja me Bylisin, që është kaq jetike, po afron. Grupi ka qenë i plotë, pasi edhe Marsel Çaka me Erjon Hoxhallarin janë rikthyer. Kujtojmë që të dy të rinjtë kanë qenë të grumbulluar me Shpresat U21. Mungesat për këtë javë dihen tashmë: është Erando Karabeci me Dorian Kërçikun, të pezulluar për shkak kartonësh. Dhe kjo do ta detyrojë numrin një të stolit të bëjë disa lëvizje në 11-she. Megjithatë, gjithçka do të përcaktohet sot, kur dhe do të zhvillohet një ndeshje kontrolli brenda grupit.

dedePrapaskena, Dede paralajmëron se do qëndrojnë vetëm 20 lojtarë
Duket se te Tirana do ripërsëritet historia e disa muajve më parë, kur u përjashtuan nga ekipi tetë futbollistë edhe pse ishin nën kontratë me klubin. Pikërisht të hënën, kur skuadra rinisi përgatitjet për ndeshjen kundër Bylisit, trajneri Nevil Dede bëri një minianalizë, në të cilën u komunikoi të tijve se vetëm 20 prej tyre do vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës, ndërsa të tjerët do të largohen, duke qenë se nuk janë më në planet e tij. Gazeta zbulon prapaskenën, e cila sigurisht ka krijuar njëfarë tensioni në grup, pasi po ndihet pasiguri prej gjithsecilit. Tekniku ka theksuar se ai do të mbajë vetëm ata që i konsideron të vlefshëm te bardheblutë, ndërsa pjesën tjetër do e skarcojë. Në asnjë moment nuk ka përmendur emra, duke mos iu drejtuar askujt në veçanti. Ai ka sqaruar se megjithëse lojtarët që mund t’i zërë “lapsi” mund të kenë kontrata, një gjë e tillë i mbetet vetëm klubit për ta zgjidhur. Mjafton të kujtojmë që kjo ka ndodhur edhe gjatë muajit maj, kur ikën nga Tirana disa prej futbollistëve. Edhe pse ata kishin një marrëveshje me drejtuesit, ajo nuk u mor aspak në konsideratë. Madje klubi vazhdon t’i vuajë edhe sot pasojat, pasi është në proces gjyqesh apo ka humbur të tillë. Padi që përkthehen në shuma të mëdha parash të shpërdoruara. Rasti më konkret është ai i Ilion Likës, i cili i ka fituar plot 50 milionë lekë klubit kryeqytetas, shumë që ende nuk e ka marrë. Apo edhe gjyqi i sotëm që kanë me Arbër Abilaliajn, për të mos përmendur pastaj Klodian Duron e shumë të tjerë. Nëse do procedohet në të njëjtën mënyrë, atëherë paditë në DHZK kundër Tiranës do vijojnë të shtohen.
ADELA MERKO





www.minuta90.com