Tirana prezanton blerjet, akord me Kageren e Ndikumanan. Halili e Morina: Mbijetojmë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Janar 29, 2014 | 13:24

Tirana prezanton blerjet, akord me Kageren e Ndikumanan. Halili e Morina: Mbijetojmë

Tirana, tri blerjet e dimritTirana zyrtarizon edhe 3 blerje të merkatos së dimrit. Donatorët dhe drejtuesit e bardhebluve, dje në mesditë, kanë nënshkruar formalisht edhe kontratat me Francis Kahatën, Gilberto Fortunaton dhe Erlind Koreshin. Janë pikërisht këto emrat më të rinj që i bashkëngjiten organikës së kryeqyteteve për pjesën e mbetur të sezonit. Marrëveshjet janë të njëjta për lojtarët. Ata kanë firmosur për 6 muaj, por, nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët, mund të rinovojnë edhe për sezonin pasardhës. Ishin Lulzim Morina, Refik Halili dhe Krenar Alimehmeti, ata që prezantuan dy mesfushorët dhe sulmuesin. Me afrimin e këtyre të fundit, ata shfaqin bindjen se Tirana nuk do e diskutojë mbijetesën në Superiore. Megjithatë, merkato nuk është mbyllur ende, pasi klubi është në pritje edhe të dy futbollistëve afrikanë, të cilët vetëm nesër do të mbërrijnë në tokën shqiptare. Teksa na ndajnë pak ditë nga rifillimi i kampionatit, bardheblutë vijojnë lëvizjet në merkato. Me prezantimin e kryer dje, Tirana e çon në 5 numrin e marrëveshjeve të mbyllura. Pas Likës e Deliç, kanë nënshkruar edhe Koreshi, Kahata dhe Gilberto, elementë që përforcojnë mesin e fushës dhe sulmin.
Kahata Francis Kahatës i mjaftuan 45 minuta për të bindur Tiranën për formën e tij. Mesfushori i Kombëtares së Kenias konsiderohet si një nga blerjet më cilësore dhe, në kushte të tilla, prej donatorit Halili iu dorëzua edhe fanella me numrin 7. Gjatë kësaj kohe ai do të përfitojë 3 mijë euro në muaj.
Gilberto Sulmuesi brazilian i është afruar Tiranës që prej datës 6 janar. Pas një shkëputjeje disa ditore, ai u rikthye për të nënshkruar një kontratë me bardheblutë, prej së cilës do përfitojë afro 3.5 mijë euro në muaj. Ndonëse lojtari nuk është përshtatur me grupin, stafi teknik ka besim se kjo gjë nuk do vonojë.
Koreshi I ardhur nga Lushnja, Erlind Koreshi llogaritet si një nga afrimet më të goditura brenda vendit. Mesfushori 27-vjeçar ka qenë një nga lojtarët e kërkuar prej trajnerit Magani. Pas bisedimeve të shumta, më në fund u arrit akordi dhe ai është zyrtarisht pjesë e 24 herë kampionëve të vendit.

Gafa e klubit, nuk ka përkthyes në prezantime
Skuadra e Tiranës bëri dje prezantimet e radhës nga merkato e dimrit. Ndonëse dy nga tri blerjet e reja ishin të huaj, klubi kryeqytetas nuk kishte marrë asnjë përkthyes gjatë konferencës që zhvilluan, duke mos u dhënë kështu mundësinë mesfushorit Francis Kahata dhe sulmuesit Gilberto Fortunato që të jepnin deklaratat e tyre të para si lojtarë të bardhebluve pasi nënshkruan kontratat përkatëse. Keniani dhe braziliani nuk kanë dhënë asnjë prononcim që prej momentit që u janë bashkuar 24 herë kampionëve të vendit. Ky ishte vetëm një detaj, të cilin ndoshta organizuesit e kësaj konference për mediat nuk e kishin menduar. Megjithatë, pjesa tjetër shkoi mirë dhe sipas parashikimeve. Tirana, që prej hapjes zyrtare të merkatos së dimrit ka kryer dy konferenca. Në të parën u prezantuan Ilion Lika dhe Ivan Deliçi. Në fakt edhe atëherë e njëjta gjë ndodhi, pasi mesfushori malazez, ashtu si dhe keniani me brazilianin, nuk arriti që të fliste.

Halili dhe MorinaMorina dhe Halili: Me merkaton e bërë nuk e diskutojmë mbijetesën
Nuk e diskutojnë mbijetesën në Superiore. Dhe këtë e bazojnë jo vetëm te merkatoja që janë duke bërë, por edhe te forca e grupit. Donatorët e Tiranës, Lulzim Morina dhe Refik Halili, gjatë fjalës së dhënë një ditë më parë kanë deklaruar se skuadra e tyre nuk do të bjerë, përkundrazi. Nga ana tjetër nuk kanë nguruar që të shpallin edhe synimet për sezonin e ardhshëm, teksa pretendohet titulli kampion. I pari që mori fjalën ishte Morina, i cili bëri edhe prezantimin e tri blerjeve. “Sot (dje) po bëjmë prezantimin e tri blerjeve të radhës, shpresojmë shumë që të mbyllim me sukses edhe marrëveshjen me dy lojtarë të tjerë. Presim nga momenti në moment nënshkrimin e kontratave, duke shpresuar që me këto afrime të deritanishme dhe të të tjerëve që do të vijnë, të ndërtojmë një ekip dinjitoz. Me ambicien që vitin tjetër të prezantohemi më fuqishëm dhe të fitojmë titullin. Jam i kënaqur me lëvizjet e deritanishme, janari dihet që nuk të mundëson shumë mundësi. Kemi bërë mirë”, – tha sponsori. Sakaq, homologu i tij Halili shprehu bindjen se me lojtarët e afruar, si dhe me ato që priten, Tirana është në rrugën e mbarë. “Koreshi, Gilbeoto dhe Kahata janë blerjet e reja, nga të cilët ne presim shumë. I pari është një lojtar i mirënjohur i kampionatit shqiptar, por jemi optimist edhe për Gilberton. Sakaq, prej Kahatës kërkojmë që golat e realizuar në Kenia, t’i shënojë edhe me ne. Merkatoja po vjen drejt mbylljes, por ne presim ende. Kërkesat e stafit i kemi plotësuar. Ne na interesojnë golat, e ndaj kemi punuar shumë me sulmin. Në mbrojtje, me kërkesë të trajnerit jemi të kënaqur. Kemi lojtarë të mirë në këtë repart. Synojmë mbijetesën dhe jam i bindur që do t’ia dalim. Këtë e mbështesim te forcat dhe blerjet tona, që janë cilësore. Do e përballojmë me sukses kampionatin. Sa i përket Morinës, jam i bindur se do të bëhet, pasi është një marrëveshje e arritur ndërmjet drejtuesve korçarë dhe lojtarit. Tashmë pritet vetëm konfirmimi prej Takajt, ndaj mendoj se do të jetë pjesë e jona”, – përfundoi donatori, i cili shpjegoi edhe disa prej lëvizjeve në merkato.

KagereAkord me Kageren dhe Ndikumanan, pritet vetëm Stojkov
Merkatoja e Tiranës nuk ësh të drejt mbylljes, përkundrazi, pikërisht të enjten priten të mbërrijnë dy blerjet e radhës. Medie Kagere nga Ruanda dhe Selemani Ndikumana nga Burundi janë lojtarët më të rinj që do u bashkohen bardhebluve. Një gjë të tillë e ka rrëfyer edhe donatori Refik Halili një ditë më parë, teksa zbuloi se janë mbyllur marrëveshjet edhe me dy sulmuesit. Madje është zyrtarizuar edhe transferimi i lejekalimit nga klubet e tyre drejt Tiranës. “Në këto minuta klubi po punon me dokumentacionin. Madje vetëm mbrëmë (të hënën) kemi nënshkruar kontratën me njërin prej tyre, pikërisht Kageren nga Ruanda. Për një orë vjen edhe kartoni. Gjatë ditës së sotme (dje) ndërkaq do të mbyllim marrëveshjen me Ndikumanën dhe nesër (sot) do vijë edhe transferimi për kartonin e tij. Mendoj se të enjten do të jenë të dy këtu në Shqipëri. Procedurat janë drejt mbylljes, vizat janë dërguar me postë dhe nesër i presim”, – tha sponsori, duke treguar edhe zhvillimet e ditës së djeshme në lidhje me dy sulmuesit që do i bashkohen ekipit ditën e enjte, 24 orë para mbylljes zyrtare të merkatos.
Stojkov Mesfushori maqedonas, Aco Stojkov, mund të jetë një blerje e Tiranës, megjithatë për të bërë zyrtarizimet e radhës pritet që fillimisht lojtari të japë OK-in përfundimtar. Lojtari pritet që vetëm sot të marrë avionin nga Hong Kongu drejt Maqedonisë, e ndoshta këto do të jenë edhe orët vendimtare për këtë operacion, i vetmi që po zvarritet së tepërmi. Lojtari ka gjetur akordin financiar me Tiranën, e nëse vjen, do përfitojë 7 mijë euro në muaj, megjithatë ende nuk e ka dhënë “po”-në finale. “Me sa kam informacion, Aco Stojkov do të kthehet nga Hong Kongu në Maqedoni vetëm të mërkurën, për arsye se ka pasur disa vonesa me prerjen e biletës së avionit. Ne e kemi gjetur akordin në parim me të, këtu i referohem pjesës së financave. Pra, kemi gjetur gjuhën e përbashkët në këtë drejtim, duke i plotësuar edhe kushtet që ai ka kërkuar. Megjithatë, fjala e fundit i takon vetëm mesfushorit. Nëse ndodh që ai të thotë ‘po’, atëherë do të jetë një blerje për Tiranën, ndoshta dhe e fundit”, – përfundoi Halili.

Nëse Uellington qëndron, bëhen 8 sulmues
Tirana ka vuajtur në sulm dhe këtë e dëshmojnë më së miri golat e shënuar gjatë pjesës së parë të sezonit, vetëm 6. Në kushte të tilla, edhe merkatoja u përqendrua pikërisht te ky sektor, ofensiva. Duke bërë disa llogari, nisur edhe nga ndryshimet që kanë ndodhur në organikë gjatë muajit janar, Gugash Magani pritet të ketë 8 futbollistë të gatshëm për sulmin, katër prej të cilëve mund të jenë të huaj. Veç Mirel Çotës, Glori Hoxhës dhe Ergys Sorrës, të cilët janë që nga pjesa e parë e kampionatit, grupit i janë bashkuar Gilberto Fortunato dhe Mario Morina (ndonëse për të pritet OK-i fillimisht). Por jo vetëm kaq, pasi të enjten do vijnë edhe dy të tjerë pikërisht Medie Kagere nga Ruanda dhe Selemani Ndikumana nga Burundi, për të cilët drejtuesit thonë që kanë nënshkruar. Por vetëm të hënën skuadrës i është bashkuar në provë edhe një tjetër brazilian, Uellington Gonçalves. Nëse edhe ky qëndron, atëherë në total bëhen 8 lojtarë të gatshëm për ofensivën. Dhe me kaq shumë alternativa, tekniku Magani do të detyrohet që të bëjë edhe disa spastrime. Madje, pritet që në vazhdim të huazohen disa lojtarë.

Morina i vetmi pa firmë, mbetet pezull
Mario Morina është i vetmi nga 6 lojtarët e afruar te Tirana dhe që vazhdon të stërvitet nën urdhrat e Maganit, që nuk ka nënshkruar kontratë. Ai mbetet pezull dhe duket se kjo çështje do të mbyllet vetëm më datë 30, ditë kur kthehet edhe Skënderbeu nga Spanja. Nga Korça vijnë sinjale që krijojnë panik te Tirana, por nga ana tjetër donatori Halili shpjegon: “Jam i bindur se gjithçka do të mbyllet me sukses për Morinën. Është arritur një marrëveshje ndërmjet drejtuesve korçarë dhe lojtarit. Tashmë pritet konfirmimi i Takajt, e pastaj mendoj se do të jetë pjesë e jona. Tashmë presim vetëm viston, duke qenë se presidenti i Skënderbeut i ka premtuar Morinës. Nëse nuk do të bëhet, është pjesë e tyre, pasi nuk ndërhyjmë dot në çështjet e tyre. Ne besojmë se me Morinën do të mbyllet”.

Peqini, takim me drejtuesit për kontratën
Roland Peqini ka qenë dje i pranishëm në ambientet e klubit bardheblu. Mbrojtësi, i cili vazhdon të jetë pjesë e Tiranës, është takuar me administratorin Alimehmeti dhe donatorët Halili e Morina. Qëllimi është i qartë, kërkohet prishja e kontratës me mirëkuptim, me qëllim që të dyja palët të mos dalin të dëmtuara. Lojtari që mbas operacionit nuk është dukur më në ambientet stërvitore, pasi është akoma në proces rikuperimi. Megjithatë “divorci” është thuajse i sigurt, vetëm se pritet që të arrihet një marrëveshje mes lojtarit dhe klubit. Nëse kjo gjë ndodh, atëherë mbrojtësi elbasanas, i cili ka një kontratë me Tiranën deri në fund të sezonit, do të jetë përfundimisht i lirë. Faza e rikuperimit të tij do të zgjasë edhe pak kohë, ndaj zgjidhja e vetme është “divorci”.

Ndryshimet, ja si mund të luajë Tirana në Krujë
Në Krujë pritet që Tirana të udhëtojë ndryshe. Gjashtë afrime në total dhe tri të tjera në pritje, shfaqin hapur rritjen e konkurrencës dhe lëvizjet në skemë. Katër nga blerjet e janarit mund ta nisin si titullarë me Kastriotin, duke filluar me Likën në portë. Në mbrojtje do të rreshtohet katërshja Kërçiku-Muça- Vrapi-Pashaj; para difensivës Taku me Karabecin. Sa i përket sulmit, do t’i besohet Morinës, i cili në fakt ende nuk është blerje zyrtare, pasi pritet OK-i nga Korça që të nënshkruajë kontratën. Sakaq, prapa sulmuesit do të luajë Koreshi, ndërsa në krahët e mesfushës Kahata me Çota.
ADELA MERKO






www.minuta90.com