Bardheblutë, javën tjetër zgjidhen financat. Alimehmeti: Disa alternativa, po diskutojmë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 11, 2013 | 12:35

Bardheblutë, javën tjetër zgjidhen financat. Alimehmeti: Disa alternativa, po diskutojmë

alimehmetiBordi drejtues i Tiranës kishte parashikuar të zhvillonte dje mbledhjen e radhës për të diskutuar mbi të ardhmen e ekipit, por edhe çështjen e financave, e cila ende nuk ka marrë zgjidhje te bardheblutë. “Është e vërtetë që ishte parashikuar një mbledhje, por ajo nuk është zhvilluar, pasi kanë munguar një pjesë e anëtarëve të bordit drejtues dhe në një situatë të tillë mbledhja është anuluar. Kjo mbledhje është lënë për t’u zhvilluar javën e ardhshme”, – është shprehur në një prononcim për “Panorama Sport” administratori i bardhebluve, Krenar Alimehmeti. Ky i fundit gjithashtu bën me dije edhe axhendën e diskutimit që kishte takimi i djeshëm. “Ishin pika të zakonshme për t’u diskutuar si në çdo mbledhje, ku më kryesorja ishte ajo financiare”, – ka thënë drejtuesi i Tiranës.
Sponsorët – Alimehmeti tregon diçka në lidhje me sponsorët që mund të jenë pjesë e Tiranës sezonin e ardhshëm, duke qenë se aktualisht bardheblutë kanë probleme financiare dhe një pjesë e titullarëve janë larguar drejt ekipeve të tjera të kampionatit shqiptar, pikërisht për këtë arsye. “Deri në këto momente jemi në bisedime me disa firma që mund të jenë donatorë te Tirana në të ardhmen, por ende nuk kemi asgjë konkrete. Mund të them se gjithçka është në rrugën e duhur dhe shumë shpejt do të kemi një zgjidhje të financave, ndoshta që javën e ardhshme. Kjo do të jetë edhe tema kryesore e mbledhjes së bordit që kemi parashikuar të zhvillojmë”, – ka vijuar Alimehmeti, i cili tregohet mjaft diskret kur bëhet fjalë për emra kompanish apo investitorësh. “Jemi në fazat e para dhe asgjë nuk mund të jetë zyrtare. Kur të kemi edhe diskutime konkrete, atëherë mund të flasim për emra firmash apo individësh që janë të interesuar për të investuar në ekip”, – ka përfunduar administratori i Tiranës. Deri në këto momente merkatoja e Tiranës ka njohur vetëm largime futbollistësh, megjithëse trajneri Dede mësohet të ketë kontaktuar disa prej lojtarëve që dëshiron t’i ketë në ekip.

Plotësohet grupi, vjen Hysenbelliu
Ditën e djeshme, në fazën përgatitore të bardhebluve që po zhvillohet në Pukë, është bashkuar edhe mesfushori Fatmir Hysenbelliu, i cili ka rinovuar kontratën me Tiranën. Duhet thënë se Hysenbelliu pati edhe ofertë nga një klub i niveleve të larta në kampionatin austriak, megjithatë ai zgjodhi ta vazhdojë karrierën në Kategorinë Superiore dhe më konkretisht me Tiranën. Mesfushori u bashkua me bardheblutë fazën e dytë të sezonit të shkuar dhe bëri një paraqitje mjaft të mirë, duke u përshtatur me pjesën tjetër të ekipit. Edhe për sezonin e ardhshëm ai do të jetë një pikë e fortë në formacionin e trajnerit Dede.

Stërvitja
Bardheblutë vazhdojnë me ritëm të lartë përgatitjet në Pukë, ku janë grumbulluar prej disa ditësh. Trajneri Dede ka parashikuar seanca stërvitore dy herë në ditë, duke përfituar edhe nga klima e mirë që ka qyteti. Bardheblutë do të qëndrojnë rreth 10 ditë në këtë fazë përgatitore dhe më pas do të rikthehen në kryeqytet për të vazhduar aty përgatitjet. Të dielën është parashikuar të zhvillohet një takim miqësor ndaj Tërbunit.
Armand Halili






www.minuta90.com