Tirana fiton ndaj Tërbunit, Hoxha realizon dopietë. Dede i kënaqur, por do përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2013 | 13:03

Tirana fiton ndaj Tërbunit, Hoxha realizon dopietë. Dede i kënaqur, por do përforcime

Tirana gooolTËRBUNI – TIRANA 0-2
GOLAT: Hoxha 40′, 65′
TËRBUNI: Guga (Mema 60), Vargu, Ceka, Sulollari, Mehmeti, Baholli, Baze, Berberi, Doda (Salia 65′), Greca, Marku (Mersini 70′). Trajner: V.Xhoni
TIRANA: Cana, Pashai, Hoxhallari, Muça, Çota, Hoxha (Sorra 70′), Peposhi, Taku, Kastrati (Strakosha 80′), Llënxa, Çaço (Hysenbelliu 70′). Trajner: N.Dede
GJYQTARË: A.Kastrati, L.Jubani, J.Podgorica

Tirana ka zhvilluar dje një miqësore me Tërbunin, të cilin e ka mundur me rezultatin 2- 0. Kanë mjaftuar golat e mesfushorit të ri Glori Hoxha, i ardhur nga Shkëndija, që bardheblutë e Dedes ta mbyllnin me triumf përballë pukjanëve, skuadër kjo që militon në Kategorinë e Parë. Ajo çka binte në sy ishte prania e më shumë se 400 tifozëve në shkallët e stadiumit. Ndërkaq, të pranishëm ishin edhe mjaft personalitete si nga klubi i Tiranës dhe nga Puka, si kryetari i bashkisë, Beqir Arifaj, apo deputeti Mark Frroku.
Ndeshja Ndeshja nisi e qetë nga të dyja skuadrat, të cilat në fillim u dukën sikur po studionin lojën e njëra-tjetrës. Por pas minutës së 10-të loja erdhi në rritje. Në të 18-ën, bardheblutë kishin rastin më të pastër me anë të Çotës, mirëpo portieri i Tërbunit e shpëtoi ekipin nga një gol i sigurt. Në minutën e 30-të, Greca i gjendur i vetëm përballë portierit bën më të vështirën, duke nxjerrë topin jashtë. Në minutën e 40-të, bardheblutë krijuan një aksion të bukur, nga ku do të vinte dhe goli. Nga pakujdesia e mbrojtjes pukjane përfitoi mesfushori Hoxha, i cili realizoi, duke i kaluar të tijtë në avantazh. Pjesa e parë u mbyll 1-0. Ndërkaq, në fraksionin e dytë të dy trajnerët e ekipeve bënë zëvendësime, për të provuar lojtaret e rinj që janë afruar. Në minutën e 50- të, Tërbuni fitoi një 11-metërsh, ekzekutimin e të cilit e mori përsipër Greca, por që e nxori jashtë. Në këtë 45-minutësh, bardheblutë ishin dominues në fushën e lojës. Në minutën e 65-të erdh edhe goli i dytë, përsëri me autor mesfushorin Hoxha. Ky i fundit pasi shmangu dy lojtarë, nuk e pati të vështirë të mposhtte portierin pukjan. Në të 75-ën, kryeqytetasit fituan një 11 metërsh, por portieri 20- vjeçar Mema ia mohoi golin Çotës. Duhet theksuar se ekipet çaluan në mesin e fushës dhe në sulm, duke shpërdoruar raste pa fund.

Dede i kënaqur, por kërkon përforcime
Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, pas përfundimit të takimit miqësor u shpreh i kënaqur për lojtarët që aktivizoi. “Jam i kënaqur nga disa lojtarë të rinj që aktivizova sot (dje), por përsëri Tirana ka shumë punë për të bërë. Duhet të afrojmë edhe disa lojtarë cilësorë për të qenë kompetitivë sezonin e ri dhe për të marrë trofe. Falënderoj sportdashësit pukjanë që na mbështetën. I uroj suksese Tërbunit dhe shpresoj që ta shohë veten një ditë në Superiore. Në Pukë do të qëndrojmë edhe 3 ditë, sepse kushtet janë shumë të mira për ta stërvitur ekipin”, – ka përfunduar trajneri Dede.

Gjoni i gëzohet formës së lojtarëve
Trajneri i Tërbunit, Viktor Gjoni, pas përfundimit të ndeshjes miqësore me Tiranën u shpreh i kënaqur me formën e të rinjve. “Jam i kënaqur me lojtarët që u aktivizuan ndaj kryeqytetasve. Ne provuam disa lojtarë të rinj që synojnë të veshin fanellën pukjane dhe falënderoj drejtorin teknik Shahin Berberi bashkë me Mersinin, të cilët kanë punuar me ekipin dhe kanë afruar disa lojtarë të rinj cilësorë. Dua t’i uroj suksese për sezonin e ri Tiranës”, – ka përfunduar numri një i pankinës së Tërbunit, Gjoni.
DITMAR PEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"