Tirana, festë mes bojkotit. Halili dhe Magani premtojnë: Sezonin tjetër luftojmë për titull

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Maj 11, 2014 | 22:58

Tirana, festë mes bojkotit. Halili dhe Magani premtojnë: Sezonin tjetër luftojmë për titull

Tirana festeBesa bie me bojkot nga kategoria, ndërsa Tirana feston mbijetesën nën praninë e 5 mijë tifozëve të pranishëm në “Qemal Stafa”. Bardheblutë fituan 3-0 ndeshjen në tavolinë pa e luajtur dhe e mbyllin këtë sezon, edhe pse mes vështirësive, në vendin e 6-të të tabelës së renditjes. Ajo që ishte përfolur në Kavajë prej ditësh, mori formë të prerë dje në orën 14:00, kur presidenti Nexhat Bizhdili vendosi që skuadra të mos udhëtonte fare drejt kryeqytetit, duke u dorëzuar para kohe. Pavarësisht se matematika i lejonte të shpresonin ende mbijetesën, kavajasit u bashkohen zyrtarisht Bylisit, Kastriotit dhe Lushnjës në Kategorinë e Parë.
Pritja Për të respektuar rregulloren, Tirana vazhdoi planet e saj, ndonëse ishte fakt që Besa nuk do të zbriste në fushë. Festa startoi që në orën 16:00, kur stadiumi po mbushej. Dje hyrja ishte falas, çka solli një interes të jashtëzakonshëm të tifozëve. Ngjyrat dhe këngët bardheblu kishin zaptuar këtë impiant. Në orën 17:00 ekipi i Maganit zbriti në fushë. Në shenjë respekti iu drejtuan tribunave përballë dhe më tej atyre kryesore për t’i përshëndetur. Ndërkohë, gjyqtarët e takimit ndodheshin në pistën e tartanit, në pritje që të kryenin procedurën. Pak minuta më vonë skuadra doli për të bërë nxehmjen. Sipas rregullit të FSHF-së, ekipi pritet 45 minuta nga orari i paracaktuar, ndaj në orën 18:11 ekipi i Tiranës dhe treshja e arbitrave dolën në fushë. Topi i parë u gjuajt në mënyrë simbolike nga Elvis Sina, i cili dje pas 25 vitesh karrierë mes sukseseve dhe trofeve te 24 herë kampionët e vendit i dha fund futbollit të luajtur. Skuadra qëndroi në fushë vetëm një minutë dhe menjëherë kryesori Sino sinjalizoi se pritja mbaroi.
Festa Në kushte të tilla, te bardheblutë nisi festa, mes duartrokitjeve, fishekzjarrëve dhe jo vetëm. Në fushë u futën edhe dy donatorët, Julian Morina dhe Refik Halili. Ky i fundit, përtej falënderimeve, u garantoi tifozëve një Tiranë kampione. “Bashkë ia dolëm! Në emër edhe të donatorit Morina, ju falënderojmë (u referohej tifozëve) për mbështetjen e dhënë, pasi me ju u bëmë edhe më të fortë. Ju garantoj që sezonin tjetër do të shpallemi kampionë. Do përforcohemi në merkato dhe pa dyshim ai do të jetë sezoni ynë”, – u shpreh donatori Halili dje nga mesi i fushës.

Magani konference para ndeshjes me SkenderbeunMagani: Festa e ligjshme, sezonin tjetër për titull!
Gugash Magani, gjatë deklaratës së dhënë në fund të ceremonisë festive, për mediat u shpreh i lumtur për mbijetesën e Tiranës së tij. Tekniku konfirmon dëshirën për të qëndruar dhe nuk nguron që të flasë edhe për merkaton. “Festa është e ligjshme! Ka qenë një punë shumë e madhe e të gjithëve. Duke filluar nga lojtarët, për të kaluar te donatorët dhe mbi të gjithë te tifozët, të cilët janë pjesë e rëndësishme e jona. Kur triumfon, çdo gjë shkon mirë, ndaj e shijuam këtë ditë, edhe pse nuk zbritëm në fushë. Ja ka vlejtur çdo përpjekje dhe çdo sakrificë. Më vjen realisht keq që Besa ra nga Superiorja, Kavaja është një qytet me traditë dhe që meriton respekt. Nuk e gjykoj vendimin e tyre, besoj se nuk ka të bëjë me Tiranën, por me ndonjë revoltë për arsye të tjera. Ndoshta mund të kishin marrë një vendim tjetër, të paktën të luhej me të rinjtë, për hir të sportdashësve që e mbushën stadiumin. Besoj që do e vazhdoj punën te Tirana, gjithsesi le t’ia lëmë kohës. Jo gjithçka është në dorën tonë, pasi fillimisht duhet të vendosë pushteti lokal. Në rast se do të ketë përgjigje pozitive, atëherë ne do ta forcojmë ekipin me blerje cilësore gjatës verës dhe do i futemi kampionatit vitin tjetër për të fituar titullin”, – tha fillimisht Magani. Në fund, i pyetur për merkaton dhe konkretisht për Nexhipin dhe Partizanin, trajneri u përgjigj: “Nuk konfirmoj dot diçka që është jo zyrtare. Do të ulemi në vazhdim

SinaCeremoni lamtumire, Sina: 25 vite të arta si bardheblu!
Pas 25 vitesh karrierë mes suksesit, dje Elvis Sina i ka dhënë lamtumirën futbollit të luajtur. Për kapitenin e bardhebluve u realizua një ceremoni madhështore. Një stadium i tërë e nderoi, duke i thërritur në kor emrin dhe e duartrokitur. Në këtë çerekshekulli si bardheblu ka fituar jo pak, por plot 19 trofe; konkretisht 6 tituj kampionë, 6 kupa dhe 7 Superkupa. Gjatë fjalës së tij para 5 mijë sportdashësve, mbrojtësi legjendar i emocionuar u shpreh: “Ju falënderimet për gjithçka! Jam i nderuar, sidomos nga ju tifozë, që si gjithnjë dini ta mbushni këtë stadium dhe të na surprizoni, pa harruar klubin dhe donatorët. Falënderoj trajnerit tim të parë, i cili në moshën 11-vjeçare më hapi dyert, Shkëlqim Muçën! Por, mbi të gjitha, edhe Gugash Maganin, me të cilin pas 25 vitesh po mbyll futbollin. Ky njeri meriton shumë, pasi falë punës së tij të palodhur dhe mbështetjes ky ekip ia doli!”. Të gjithë lojtarët kishin veshur nga një fanellë me emrin e Sinës, të cilin në fund e ngritëm peshë.

Darkë dhe premio për bardheblutë
Festa e Tiranës nuk zgjati vetëm në fushë, por më gjatë se kaq. Në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme donatorët kishin organizuar një darkë. Të pranishëm ishin të gjithë protagonistët e këtij sezoni, duke filluar nga lojtarët, stafi teknik dhe të gjithë drejtuesit. Lojtarët kanë festuar dhe me të drejtë, pasi mes shumë vështirësive arritën që ta shpëtonin këtë Tiranë. Drejtuesit menduan që të jepnin edhe një shpërblim prej 10 milionë lekësh për të gjithë ekipin. Megjithatë, ky është vetëm fillimi, pasi pjesa dërrmuese e tyre do të përfitojnë edhe bonuset që i kanë me klauzolë në kontratë.
ADELA MERKO





www.minuta90.com