Tirana arrin akordin në parim me Koreshin. Morina dhe Deliç shkëlqejnë në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2014 | 11:20

Tirana arrin akordin në parim me Koreshin. Morina dhe Deliç shkëlqejnë në miqësore

Skenderbeu-Lushnja 2-0, Korreshi ne dyluftim me ArapinErlind Koreshi ka arritur parimisht akordin me Tiranën. Mesfushori i Lushnjës dje ka qenë në kryeqytet, ku nisi më konkretisht bisedimet me drejtuesit. Tashmë ka një marrëveshje në parim, por lojtarin e mban “peng” vetëm leja e kalimit. Pritet që brenda tri ditësh donatorët bardheblu të kenë një takim me homologët e Lushnjës, për të arritur një konsensus në këtë drejtim. Sikundër dihet, futbollisti në kontratën që ka nënshkruar, ka një klauzolë që e detyron që të depozitojë në llogarinë e klubit verdhejeshil 15 mijë euro në rast se do të largohet. Pra, pikërisht këtu është ngërçi dhe pritet që deri në fundjavë të ketë ndonjë zhvillim pozitiv në këtë drejtim. Burime të sigurta pranë lojtarit zbulojnë se sot, ose maksimumi nesër, ai do të dalë në stërvitje me bardheblutë. Megjithatë gjithçka varet edhe prej zhvillimeve që mund të ketë në vazhdim ky transferim. Ka qenë vetë trajnerit Magani që e ka kërkuar këtë element, i cili gjatë pjesës së parë të sezonit ka shkëlqyer me ekipin e qytetit të tij. Ai mund të luajë në disa pozicione, edhe pse më mirë adaptohet në qendër të mesfushës, por edhe në krahun e djathtë të këtij reparti.
Bisedimet Tirana është në pritje të Francis Kahata Nyambura dhe Aco Stojkov. Më te dy vijojnë bisedimet dhe ata u kanë komunikuar drejtuesve kryeqytetas që do të mbërrijnë shpejt në Shqipëri. Mesfushori i Kombëtares së Kenias është në planet e bardhebluve dhe, sikundër mësohet, ai tashmë është pajisur me vizë e maksimumi të hënën do të dalë në stërvitje. Edhe maqedonasi ka dhënë shpresa se mund të vijë te Tirana, por kjo çështje në fundjavë mund të marrë zgjidhje. Nga ana tjetër, mësohet se po ashtu edhe dy lojtarë të huaj do të vijnë në kryeqytet, për t’u vëzhguar nga stafi teknik. Emrat tyre nuk zbulohen ende, ndonëse mendohet se brenda pak ditëve ata do të vihen nën urdhrat e Gugash Maganit. Do të jetë ky i fundit që do të thotë fjalën e fundit nëse e bindin apo jo. Klubi po mendon edhe pistën e një tjetër sulmuesi për të blinduar këtë repart.

Tirana-TerbuniGoleadë bardheblu, Morina dhe Deliç shkëlqejnë në të parën
TIRANA-TIRANA U19 10-0
GOLAT: Sallaku 11′(aut), Morina 27′, 30′, Çota 38′, Sorra 43′, Deliç 55′, Peposhi 57′, 60′, Hoxha 65′, Taku 78′ (11-m)
TIRANA: Çaka, Kotobelli, Vrapi, Pashaj, Kërçiku, Taku, Muça, Karabeci, Limani, Çota, Morina; Trajner: G.Magani. U aktivizuan: Çela, Kaja, Çaushaj, Sina, Deliç, Hoxha, Sorra, A.Peposhi.
TIRANA U19: Saraçi, Lamçe, Skënderaj, Sallaku, Bogdani, Karameta, Llagami, Shurdhi, Cake, Hoxhallari, Bytyçi; Trajner: A.Kola. U aktivizuan: Xhaja, Peposhi, Reçi, Lleshi, Njebza, Doku.

Tirana shpërthen në miqësore dhe pikërisht brenda familjes. Bardheblutë janë ndeshur dje me 19-vjeçarët e drejtuar nga Agustin Kola dhe kanë fituar me shifrat e thella 10-0. Ky ishte takimi i tretë në radhë për këtë periudhë përgatitoreje dhe kryeqytetasit, pas dy përballjeve të dobëta, dje kanë dhënë shenja pozitive. Në orën 14:00 nisi ky takim, ku u luajtën dy pjesë nga 40 minuta. Nën reshjet e shiut, ekipi i Maganit e nisi mbarë lojën, duke sulmuar. Dhe vetëm në të 11-tën gjejnë golin, në fakt me ndihmën e mbrojtësit të ekipit të të rinjve, Sallaku, i cili shënon autogol. Megjithatë, bardheblutë shtojnë presionin dhe Mario Morina nuk vonon që të shënojë golin e parë personal dhe të dytin për ekipin. Në të 27′, me një veprim të mirëmenduar, sulmuesi i afrohet zonës, godet dhe nuk gabon. Të njëjtën gjë e përsërit pas tri minutash, teksa trefishon rezultatin në 3-0, duke e dërguar me lehtësi topin në portën e mbrojtur prej Saraçit. Ky fraksion nuk mbyllet me kaq, pasi edhe Çota zhbllokohet. Lojtari në të 38′ i afrohet zonës, gjuan dhe 4-0. Mbyllet pjesa e parë me këto shifra, ndërsa e dyta nis me shumë ndryshime në formacionet respektive. Lojtarët që trajneri Magani i kishte në stol, u futën që të gjithë në fushë. Ky 40-minutësh shoqërohet me jo pak gola, por me 6 të tillë. Siparin e hap Sorra, edhe ky sulmues, që pas një krosi nga krahët, godet dhe 5-0. Golat janë të shpejtë në fakt, dhe në të 55-tën është Ivan Deliç, edhe ky blerje e re, i cili bind që në provën e parë. Malazezi shfaq aftësitë e tij, jo vetëm në mesfushë, por edhe para porte. Në të 57-ën dhe 60-ën është radha e Peposhit, i cili realizon një dopietë. Por asgjë nuk mbyllet, pasi Tirana shfaqet e etur për gola. Është Hoxha që shënon golin e nëntë, në minutën e 65-të me një goditje të saktë. Kur po afrohej fundi, kryesori akordon edhe një 11-metërsh në favor të ekipit të madh. Taku ekzekuton nga pika e bardhë e penalltisë dhe nuk gabon, duke shënuar kështu golin e 10-të, i cili ishte edhe i fundit për këtë miqësore. Një provë që solli shpërthimin e sulmuesve, të cilët dje në “Skënder Halili” bënë atë që nuk mundën ta realizonin gjatë pjesës së parë të sezonit.

Çështja “Morina”, te Tirana e quajnë të mbyllur
Mario Morina po kthehet në çështje. Ardjan Takaj lëshoi një deklaratë shokuese nga Portugalia, e cila krijoi paqartësi në transferimin e sulmuesit në kryeqytet. Por te Tirana nuk shqetësohen. Bardheblutë e konsiderojnë të mbyllur këtë operacion. Duke qenë se tregojnë se presidenti i korçarëve ishte ai që ka dhënë “viston” për këtë lojtar. Sakaq, vetë Morina ka mbetur deri diku i habitur nga deklarata e presidentit të Skënderbeut, ndonëse drejtuesit e Tiranës janë munduar që ta qetësojnë. Më zyrtarisht kjo histori do të marrë zgjidhje vetëm pasi drejtuesit e Skënderbeut të kthehen nga Portugalia. Pritet që të ketë një tjetër takim mes klubeve, që të konkretizohet transferimi i sulmuesit te Tirana për pjesën e mbetur të sezonit. A

Grumbullimi, skuadra sot nis “ngujimin”
Tirana do të startojë sot grumbullimin. Pasi ra pista e transferimit jashtë vendit, por edhe ajo e Durrësit, i vetmi opsion i mbetur tashmë është kryeqyteti. Drejtuesit kanë gjetur një hotel brenda qytetit, ku skuadra do të akomodohet për disa ditë me radhë. Kjo me qëllimin e vetëm që stafi teknik ta ketë skuadrën nën kontroll në këtë periudhë, dhe lojtarët të jenë sa më të distancuar nga zhurmat dhe daljet në orët e vona. Stafi teknik gjatë kësaj kohe ka programuar nga dy seanca stërvitore me ngarkesa. Por, në të njëjtën kohë, janë programuar edhe disa miqësore, me skuadra të cilat nuk do të largohen jashtë vendit. Grumbullimi do të nisë sot, pas stërvitjes së mesditës.

Batuta dhe nerva në miqësore
Te Tirana e fushës atmosfera duket ndër më të mirat. Atmosfera duket pozitive dhe këtë e kupton duke parë qoftë një seancë stërvitore. Por, kjo sigurisht nuk mund të shmangë as batutat, ose ndonjë fjalë më tepër. Kështu ndodhi dje gjatë miqësores, teksa Magani kritikoi mbrojtësin Pashaji. Ky i fundit, duke i kërkuar llogari arbitrit për një vendim, sjell edhe reagimin e trajnerit i cili ndodhej në pankinë. Nisur edhe nga një debat i ditëve të fundit, po në stërvitje, trajneri i është kthyer duke i thënë: “Vazhdo lojën, jeni bërë të gjithë komandantë së fundmi”. Shprehje që u shoqërua edhe me të qeshura nga të pranishmit.

Sot bien ngarkesat, të shtunën në Shkodër
Tirana ka vijuar edhe dje me përgatitjet, teksa u vu re që ngarkesat ishin të larta. Edhe pse pasdite kishin programuar zhvillimin e një ndeshjeje, ekipi bëri stërvitje edhe në mëngjes. Në miqësore nuk u aktivizuan vetëm Ilion Lika dhe Reinaldo Kalari, të cilit kishin disa probleme të vogla fizike, dhe u lanë pushim që të mos rëndoheshin. Pas zhvillimit të tri miqësoreve që me startin e fazës përgatitore, trajneri Gugash Magani ka programuar atë të radhës. Kundërshtar do të jetë ekipi i Vllaznisë, dhe konkretisht të shtunën skuadra do të udhëtojë drejt Shkodrës. Ndërsa javën e ardhshme mendohet që të ndeshen me ekipin e Elbasanit, ndonëse s’ka ende konfirmim zyrtar.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"