Tetova paralajmëron ndryshime ndaj Vllaznisë: Menaxhojmë forcat, por fitojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2024 | 9:30

Tetova paralajmëron ndryshime ndaj Vllaznisë: Menaxhojmë forcat, por fitojmë ne

Egnatia ka udhëtuar drejt Shkodrës për ndeshjen e sotme të Kategorinë Superiore ndaj Vllaznisë, në një nga sfidat më të forta të javës.

EDLIR TETOVA 1 (1)

Para ndeshjes së orës 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, ka folur trajneri i kryesuesve të kampionatit, Edlir Tetova. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai e krahason këtë ndeshje me një minifinale. Tetova parashikon rotacion për të menaxhuar forcat. Trajneri i rrogozhinasve nuk kërkon asnjë nënvlerësim nga skuadra, teksa shton se rezultati i derbit nuk ka asnjë ndikim në mbarëvajtjen e ndeshjes së sotme ndaj ekipit të Qatip Osmanit.

Edlir, luani me Vllazninë, ekipin më në formë për momentin. Çfarë do të synoni nga ky duel?

Kemi pasur kohë të mjaftueshme për tu përgatitur për këtë transfertë delikate. Jemi munduar të analizojmë kundërshtarin dhe të marrim masa për të qenë gati në çdo moment. Objektivi unë në çdo ndeshje është maksimumi i pikëve dhe do të mundohemi të bëjmë një ndeshje të madhe. Duelet Vllaznia-Egnatia gjithmonë kanë qenë spektakolare.

E shikoni këtë sfidë si një minifinale para “Final 4”?

Natyrisht që po. Në fushë do të zbresin dy ekipet më në formë të momentit, që ndjekin njëra-tjetrën në tabelën e klasifikimit. Jo vetëm kaq, por si ne, ashtu edhe shkodranët janë ekip që kanë si synim titullin kampion në fund të sezonit. Kjo ndeshje nuk është vetëm 3 pikë, por më shumë se kaq, ndaj i kam shpjeguar futbollistëve që duhet të jenë të vëmendshëm, pasi edhe vetëm një episod mund të destinojë rrjedhën e lojës. Kam besim te skuadra dhe jam i bindur që do të dalim me kokën lart nga “Loro Boriçi”.

I druheni sulmit të shkodranëve?

Ne kemi respekt dhe vlerësim për punën e bërë të çdo rivali. Sulmi i Vllaznisë ka performuar mirë këtë sezon, duke qenë një pikë e fortë e tyre për të mbërritur këtu ku janë në tabelën e klasifikimit. Ne kemi marrë masa për të ndaluar euforinë e tyre, edhe pse duhet thënë që shkodranët në këtë pikë të kampionatit kanë uri për të bërë mirë. Mos harrojmë që në dy ndeshjet e mëparshme jo vetëm që kemi fituar, por as nuk kemi pësuar gol.

Me Laçin nuk e nisi Fernando, do të ketë rotacion me Vllazninë?

Është e vërtetë që me Laçin, Fernando nuk luajti titullar, duke pushuar disi. Braziliani është një nga lojtarët më të aktivizuar tek Egnatia dhe natyrisht që do t’i duhet që edhe të ndalet. Edhe me Vllazninë do të ketë rotacion, pasi dëshiroj që të gjithë futbollistët të marrin minutazhin e duhur që në fund të sezonit të gëzojnë një formë të kënaqshme sportive. Lojtarët e mi janë koshientë se kanë rëndësinë e tyre në skuadër dhe ata tani e tutje i duhet të dëshmojnë me aftësitë e tyre besimin e dhënë. Unë gjithmonë kam bërë rotacion këtë sezon, shpesh i kushtëzuar edhe nga dëmtimet, por edhe për të mos rrezikuar askënd kur ndjenin dhimbje.

E kushtëzon rezultati i derbit objektivin në “Loro Boriçi”?

Derbi është i vlefshëm për dy ekipet që do ndeshen me njëra-tjetrën dhe kurrsesi nuk e kushtëzon objektivin tonë. Jo vetëm në këtë moment, por asnjëherë ne nuk merremi se çfarë bëjnë rivalët, pasi ata kanë rrugëtimin e vet dhe ne kemi llogaritë tona. Egnatia udhëton drejt Shkodrës me objektiva të qarta dhe fokusi ynë është Vllaznia. Uroj dhe shpresoj të bëjmë një ndeshje pozitive për të qenë sa më solidë sa i takon pjesës së mbetur të sezonit.

Cili është sekreti i kësaj Egnatie, e cila ka pasur gjithmonë vazhdimësi në rezultate?

Sekreti ynë është puna ditë për ditë mes tre aktorëve që përbëjnë klubin si lojtarët, stafi dhe drejtuesit. Gëzojmë një partneritet efikas ku prej dy vitesh kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe falë Zotit ia kemi dalë të bëjmë realitet shumë nga qëllimet tona. Duhet të vijojmë të punojmë me intensitet çdo ditë, pasi vetëm kështu do të mundemi të ruajmë ecurinë e deritanishme. Tani më shumë se kurrë duhet të tregojmë edhe një herë tjetër se jemi këtu me meritë dhe se mundimi të konkretizohet me rezultate që të na bëjnë krenar të gjithëve.

ftghfg

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"