Terapi psikologjike dhe taktikë, Gvozdenoviç do një tjetër Skënderbe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2024 | 13:45

Terapi psikologjike dhe taktikë, Gvozdenoviç do një tjetër Skënderbe

Një sezon me luhatje dhe i paqëndrueshëm! Kështu mund të quhet deri tani paraqitja e Skënderbeut në këto dy faza të para të kampionatit.

gvozdenovic

Korçarët u rikthyen në Superiore dhe në fillimin e këtij sezoni krijuan një grup me lojtarë të rinj e të talentuar, të ndërthurur edhe me eksperiencën, pjesë ku duket se Skënderbeu “çalon” më shumë sa i përket luhatjeve. Nisja ishte mjaft pozitive me 2 fitore në dy javët e para, por më pas filluan oshilacionet. Një Skënderbe ndryshe nga ndeshja në ndeshje, që fitonte dhe humbiste atëherë kur nuk pritej. Në dy fazat e para korçarët grumbulluan 22 pikë, duke u pozicionuar në vendin e gjashtë.

Bardhekuqtë kanë marrë 6 fitore, 4 barazime dhe 8 humbje. Gjetja e ekuilibrave është një nga pikat ku trajneri Ivan Gvozdenoviç dhe stafi i tij janë ndalur më shumë në këtë pragnisjeje të fazës së tretë të kampionatit. Për të shmangur luhatjet dhe uljengritjet brenda një ndeshjeje, numri një i pankinës korçare ka kërkuar nga të tijtë më shumë përgjegjshmëri. Veçanërisht ai është fokusuar te lojtarët me eksperiencë, për të nxjerrë ekipin nga momentet e errëta dhe paniku i lojës. Natyrisht, ai pret që të ketë përqendrim nga pjesa e të rinjve, për të mos ulur asnjëherë ritmin gjatë një ndeshjeje. Trajneri bardhekuq është parë të punojë këto ditë më shumë me aspektin psikologjik të lojtarëve, por edhe anën tekniko-taktike të ekipit.

GOLAT – Problem mbeten edhe golat, pasi korçarët kanë shënuar 16 herë dhe pësuar 24 herë deri më tani, duke qenë në grupin e skuadrave që realizojnë më pak dhe pësojnë më shumë në kampionat. Gvozdenoviç duhet të rregullojë edhe disa gjëra në sulm, ndaj edhe për këtë, veçanërisht ditën e djeshme numri një i pankinës ka ndarë ekipin në dy pjesë. Një gjysmë seance iu dedikua fillimisht aspektit mbrojtës. Numri një i pankinës ka kërkuar agresivitet nga mbrojtësit dhe mbulim të rreptë të zonave të lojës, duke mos lënë hapësira të shfrytëzueshme për kundërshtarët.

Pjesë e udhëzimeve ishin edhe dy mesfushorët afrikanë, tek të cilët trajneri mbështetet mjaft edhe në fazën defensive, siç janë Rabiu dhe Randi. Më tej, fokusi i stërvitjes është spostuar në sulm. Skënderbeu është ekipi që shënon pak (vetëm Teuta ka bërë më keq se korçarët) dhe kjo nuk i pëlqen aspak Gvozdenoviçit. Ai ka kërkuar nga sulmuesit të jenë më të përqendruar në momentin e finalizimit, duke pasur sa më shumë goditje drejt portës. Nga ajo që iu ka shprehur lojtarëve, ndryshimi i skemës i jep më shumë forcë sulmit, pasi veç sulmuesit kryesor dhe dy lojtarëve anësorë, edhe Liço mund të jetë një forcë e shtuar. Për serbin, e rëndësishme është shmangia e individualitetit të theksuar dhe bashkëveprimi në 30 metrat e fundit të fushës. Të gjitha këto, trajneri ua ka përsëritur lojtarëve edhe përmes ushtrimeve të caktuara taktike për të rritur bashkëpunimin.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"