Te Flamurtari kanë vetëbesim, Çelhaka: : Mos e diskutoni ngjitjen, shkojmë larg në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 15:59

Te Flamurtari kanë vetëbesim, Çelhaka: : Mos e diskutoni ngjitjen, shkojmë larg në Kupë

Flamurtari është i pathyeshëm prej 8 javësh dhe plani është që të vazhdojë me të njëjtin ritëm, për të mos kompromentuar për asnjë moment misionin final.

alked celhaka

Alked Çelhaka as që e diskuton ngjitjen dhe mendon se janë në rrugën e duhur. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori ndalet edhe te Kupa e Shqipërisë, ndërsa paralajmëron se do të shkojnë larg. Flamurtari nuk po njeh humbje.

Është ky Flamurtari që doni?

E them me bindje të plotë se ky është Flamurtari që duam. Jemi konsoliduar më së miri dhe kemi kapur formën ideale. Eksperienca është ajo që bën diferencën në këtë grup dhe dihet tashmë që shumica kanë përvojë në elitë. Me cilësitë që nuk na mungojnë dhe dëshirën që kemi për të bërë mirë, do shkojmë larg.

Megjithatë, skuadra shpërdoron shumë…

Është normale. Rastet në futboll edhe humben. E rëndësishme është që po shënojmë 2-3 gola për ndeshje. Kjo është gjë shumë pozitive dhe që na bënë shumë optimist për të ardhmen.

Kur do t’ju shohim në elitë?

Lus Zotin ta mbyllim me sukses këtë vit dhe pastaj të shohim për vazhdimësinë. Megjithatë, unë jam i bindur se shumë shpejt Flamurtari do të shkojë aty ku e ka vendin. Projekti i drejtuesve të klubit është shumë ambicioz. Pikërisht është ky projekt që na ka bindur që të jemi në Vlorë dhe për të dhënë kontributin tonë për këtë skuadër me emër të madh dhe me mjaft kontribut në futbollin shqiptar. Shumë shpejt do ta shikoni Flamurtarin ku e ka vendin.

E shikoni të vështirë Kategorinë e Dytë?

Është, pasi edhe fushat janë të vështira. Nuk ka infrastrukturë si në Superiore. Megjithatë, ne shfaqim vlerat tona edhe në këtë kategori. Jemi respektuar në çdo fushë që kemi shkuar. Ne jemi Flamurtari dhe këtë e tregojmë në çdo ndeshje.

Flamurtari u kualifikua për në turin e tretë të Kupës. E synoni?

Nuk e di pse ju bën habi kjo gjë. Flamurtari është emër i madh dhe nuk përbën surprizë. Synojmë, pse jo, të shkojmë sa më larg në Kupën e Shqipërisë. Por, patjetër që jemi më të fokusuar te kampionati.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"