Takaj karikon Skënderbeun, Frashëri: E ndalim Vllazninë, dua ta mbyllim me fitore këtë vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2023 | 11:09

Takaj karikon Skënderbeun, Frashëri: E ndalim Vllazninë, dua ta mbyllim me fitore këtë vit

Skënderbeu luan në Shkodër me synimin për të dalë me pikë nga kjo transfertë, si një mundësi për të mbyllur pozitivisht vitin 2023 pas asaj humbjeje me polemika ndaj Laçit në Korçë.

frasheri

Bardhekuqtë e kanë të qartë se kjo e sotmja është një ndeshje shumë delikate, por në të njëjtën kohë kanë bindjen se gjithçka mund të mbyllet mirë nëse përqendrimi është maksimal. I këtij mendimi është edhe kapiteni i Skënderbeut, Erlis Frashëri, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, theksoi se ekipi do të futet në fushë për të kërkuar pikët maksimale. Për Frashërin, Skënderbeu ka mundësi dhe cilësi për të dalë me tre pikët nga kjo transfertë.

“Është një ndeshje e vështirë dhe për këtë jemi të vetëdijshëm, pasi kemi përballë një kundërshtar që ka traditë në futbollin shqiptar dhe po kalon një formë të mirë së fundmi. Luajmë në Shkodër dhe kjo e bën më të vështirë këtë takim. Vllaznia është një skuadër që ne e respektojmë dhe e vlerësojmë, por do të shkojmë atje që të bëjmë maksimumin. Vijmë nga një humbje krejtësisht e pamerituar, prandaj kemi dëshirën dhe egon për t’u rikthyer tek ecuria pozitive që po kalonim. Është ndeshja e fundit dhe natyrisht që gjithkush kërkon që ta mbyllë në mënyrën më pozitive vitin 2023. Edhe ne do të shkojmë të bindur tek mundësitë tona dhe do të kërkojmë gjithmonë objektivin maksimal. Skuadra po kalon një moment të mirë dhe kjo duket nga loja që po prodhojmë. Një gjë e tillë u pa edhe ndaj Laçit, pavarësisht se humbëm. Duam të mbyllim mirë vitin 2023, i cili ka qenë i suksesshëm për ne. Këtë e them me bindje, pasi kemi bërë një pjesë të dytë të sezonit të kaluar mjaft të mirë dhe kemi arritur të rikuperojmë pozicione dhe të ngjitemi në Superiore. Kemi nisur pozitivisht sezonin aktual dhe mendoj se deri tani përgjithësisht kemi bërë mjaft mirë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Jemi si një familje e madhe dhe ku ka më mirë sesa të shijojmë festat pas një fitoreje”, deklaroi kapiteni Frashëri.

TAKIMI ME PRESIDENTIN Pas seancës së fundit, korçarët janë akomoduar në “Tropikal Resort” në Durrës, atje prej nga ku do të nisen për në Shkodër mëngjesin e sotëm. Dje skuadra ka zhvilluar edhe një takim me presidentin Ardjan Takaj, i cili në mbrëmje ka mbledhur gjithë ekipin dhe i ka kërkuar të japin maksimumin në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Gazeta mëson se Takaj, veç të tjerash, ka kërkuar që ekipi të jetë i qetë dhe të lërë pas humbjen me Laçin.

“Luajmë ndeshjen e fundit në Shkodër dhe dua që të jeni të përqendruar totalisht te ky takim. Le të harrojmë humbjen e fundit dhe ta mbyllim me një rezultat pozitiv këtë vit. Kam besim tek aftësitë tuaja, kështu që nëse jepni maksimumin në këtë takim, mund të arrijmë të marrim rezultat pozitiv. Sa i përket pjesës së dytë të sezonit, jam i bindur se së bashku do të ndërtojmë një skuadër edhe më të fortë”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera kreu i klubit korçar para ekipit.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"