Superliga e Kosovës/ Drita fiton derbin me Gjilanin. Trajneri Mezani paralajmëron: Disa lojtarë nuk e meritojnë të jenë pjesë e ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2023 | 19:02

Superliga e Kosovës/ Drita fiton derbin me Gjilanin. Trajneri Mezani paralajmëron: Disa lojtarë nuk e meritojnë të jenë pjesë e ekipit

Gjatë ditës së diel janë zhvilluar  dy ndeshjet e fundit të javës së 17-të të Superligës së Kosovës. Drita ka fituar derbin e Anamoravës kundër Gjilanit. Ndeshja përfundoi me rezultat minimal 1-0 për skuadrën e trajnerit Zekeria Ramdani. Golin e fitores e shënoi Blerim Krasniqi në minutën e 67-të.

derbi

Pas kësaj fitore, Drita e sheh vetën në vendin e dytë në renditje me 31 pikë, kurse Gjilani në vendin e tetë me 17 pikë.

Fitore ka arritur të marrë edhe Feronikeli ndaj Dukagjinit. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” përfundoi me rezultat 1-0.

Golin e fitores e shënoi Florent Avdyli në minutën e 33-të. Me këtë fitore, Feronikeli pozicionohet në vendin e shtatë me 18 pikë, ndërsa Dukagjini në një vend më lartë me 21 pikë.

Gentjan Mezani

Pas  ndeshjes, trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani ka shprehur keqardhje që skuadra e tij mbeti pa pikë në derbin ndaj Dritës. Sipas Mezanit, paraqitja e Gjilanit ishte e mirë.

“Kemi luajtur një ndeshje të mirë. Në pjesën e parë jemi mbrojtur mirë. Mendoj që kemi pasur mundësi në pjesën e parë për të shënuar. Ishim më ofensivë, krijuam edhe raste. Por ky është futbolli. Jemi futur me dëshirën për ta fituar ndeshjen.  Deri te momenti i golit ishim stabël prapa. Lëndimi i Melos Bajramit na destabilizoi, mbrojtja ra te goli. Hyri një lojtar me përvojë dhe është dashur të jetë më i kujdesshëm. E kishim rastin e fundit me Kelmendin dhe nuk shënuam. Duhet të shfrytëzojmë më mirë rastet që krijojmë. Luajtëm ndaj një kundërshtari që ka kualitet”, ka theksuar Mezani.

Ai ka paralajmëruar largime të lojtarëve.

“Skuadra ka nevojë për përforcime. Do të studiojmë mirë pozicionet ku kemi nevojë. Nuk guxojmë të gabojmë në përzgjedhjen e lojtarëve. Disa lojtarë nuk e kanë merituar të jenë pjesë e Gjilanit. Këtë ua kam thënë edhe atyre dhe e them edhe publikisht. Në futboll vlen ajo që jep e jo ajo që ke dhënë. Do të marrim lojtarë që ndihmojnë skuadrën”, ka shtuar Mezani.

kos

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"