Sulmi i janarit nuk po përgjigjet, Egnatia nisi “agjërimin” para kohe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 17:33

Sulmi i janarit nuk po përgjigjet, Egnatia nisi “agjërimin” para kohe

Egnatia vijon të mos fitojë në kampionat duke u futur tashmë në një krizë të thellë rezultatesh. Skuadra rrogozhinase, pas barazimit me Tiranën e çon në 6 ndeshje ecurinë pa triumfe në kampionat. Ekipi i drejtuar nga Edlir Tetova në 6 takimet e fundit ka arritur të shënojë 4 gola, duke pësuar 5 herë.

egnatia

Jo vetëm kaq, por bardhejeshilët nuk shënojnë më shumë se një gol që nga 28 janari, ku Egnatia mundi me shifrat 3-2 Erzenin në shtëpi. Pavarësisht gjithë kësaj “thatësire”, rrogozhinasit vijojnë të jenë në krye, tashmë me vetëm dy pikë më pak se Vllaznia.

SULMI NUK “SHKREP” – Egnatia përtej rezultateve të fundit vijon të jetë së bashku me Tiranën, ekipi që ka gjetur më shumë rrjetën me 45 gola të shënuar. Ajo që bie në sy tek ekipi i drejtuar nga Edlir Tetova është se aktualisht, golashënuesit më të mirë të ekipit janë dy mesfushorët Zejnullai dhe Fernando.

Mario Gjata vijon të jetë i dëmtuar, ndërsa Jurguens Montenegro në 9 takime ka arritur të shënojë vetëm 2 gola. Shifra që konfirmojnë që reparti i avancuar jo vetëm nuk është garanci, por mbetet një çështje që duhet ndrequr një moment e sa më parë.

Ndonëse sezonin e shkuar mbrojtja ishte një nga pikat më të forta të bardhejeshilëve, tani reparti i prapavijës nuk e ka efikasitetin që t’i garantojë ekipit fitore. Si me Partizanin, ashtu edhe me Tiranën, Egnatian nuk arrin të mbrojë rezultatin.

NË KORÇË – Rrogozhinasit këtë javë do të luajnë në transfertë me Skënderbeun një rival, që i ka hapur jo pak punë këtë sezon. Tek Egnatia do të mungojë Fangaj, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Megjithatë, sa i takon infermierisë, pritet të rikuperohet Mario Gjata.

Ajo që mbetet shqetësim gjatë kësaj periudhe është fakti se lojtarët e ardhur në merkaton e janarit nuk kanë mundur të jenë protagonist me paraqitjet e tyre. Lubas dhe Drame janë shumë larg pritshmërive, pasi në këto javë nuk kanë mundur të shënojnë apo të asistojnë për shokët e skuadrës.

RENDITJA – Të gjithë këta faktorë kanë bërë që Egnatia të grumbullojë më pak pikë në fazën e tretë, sesa në dy fazat e para. Edhe pse e nisën vitin kalendarik me 3 fitore, në 9 takime të kësaj faze, rrogozhinasit sigluan vetëm 14 pikë, 5 më pak se në fazën e parë dhe 4 pikë më pak se në fazën e dytë.

Ajo që bie në sy, është regjistrimi i 5 barazimeve në 9 takime, që kanë mundësuar që rivalët e bardhejeshilëve të afrohen ndjeshëm duke rrezikuar tashmë vendin e parë. Kujtojmë që në fundin e muajit janar Egnatia ishte 11 pikë larg Partizanit dhe Vllaznisë. Tani shkodranët janë 2 pikë larg, ndërsa “mat”, 5 pikë.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"