“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, Ahmet Shqarri: Si e krijova para 40 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2023 | 21:56

“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, Ahmet Shqarri: Si e krijova para 40 vitesh

“Një zë kombëtar”, kësh tu e kam vlerësuar dhe i tillë ka mbetur Ahmet Shqarri, jo vetëm për mua, por edhe për Shqipërinë sportive.

Ahmet-Shqarri (1)

Një zë që më tingëllon aktual edhe sot kur e takoj e që me rikthen tek ajo mesditë e asaj të diele kur nisi emisionin aq popullor, unik, plot pasion dhe emocion “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

Ishte i ideuar dhe i realizuar prej tij. Ka qenë e diel, 2 tetor, 40 vite më parë, kur nga kanali i vetëm i “Radio Tiranës”, shqiptarët do të dëgjonin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Një befasi e madhe për kohën, që ndodhte për herë të parë në historinë e gazetarisë, emisioneve radiofonike sportive shqiptare të atyre viteve.

Z.Shqarri, kanë kaluar 40 vite, si e kujtoni sot këtë ditëlindje të atij emisioni që u bë më famshmi i kohës?

Kisha fituar një eksperiencë, pasi kisha kohë që praktikoja lidhjet, intervistat direkt në radio pas ndeshjeve të lojërave me dorë. Kështu ishin ato me Agim Fagun, Asllan Rusin, Dashamir Fagun, Marjeta Pronjarin, Ela Tasen, Pirro Dhimën, Agim Tafilin etj., por veçanërisht rrethet çiklistike që i transmetoja direkt, kur ndërpritej çdo program për të ndjekur finishet e etapave, që priteshin me interesim nga mijëra dëgjues në të gjithë vendin.

Duke u rikthyer te krijesa dhe shpikja juaj më e bukur e 2 tetorit 1983, çfarë mund të na thoni?

Emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” me historinë e tij përbën një nga ato ngjarje që për mua mbetet nga më të çmuarat. Kisha muaj që përgatitesha për t’ia filluar kësaj pune. Skicë-idenë e këtij emisioni e kisha diskutuar disa herë më shokët e miqtë profesionistë në radio dhe “TVSH”.

ahmet-shqarri

Pasi kaloi e shtuna me ndeshjen Dinamo-Flamurtari, të dielën me 2 tetor 1983 do të luheshin gjashtë takimet e tjera të javës së pestë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, të sezonit 1983-1984. Pikërisht në ndeshjet e asaj jave do të merrte rrugë emisioni që do të kishte si qëllim të transmetonte direkt në “Radio Tirana” të gjitha ndeshjet që zhvilloheshin brenda ditës dhe në të njëjtën orë.

Si model kishit ndonjë emision tjetër radiofonik sportiv?

Do të ishte një lloj imitimi i asaj që aplikohej në disa vende, ku futbolli kishte traditë, por më shumë duke pasur parasysh modelin e emisionit italian “Tutto il calcio minuto per minuto”, që kishte nisur 20 vite më parë, pikërisht në vitin 1963 dhe që në Tiranë, Shqipëri, ndiqej shumë të dielën në mesditë.

Një angazhim i madh, të gjithë në pritje… Ishte befasi e madhe apo jo?

Atë ditë, kur duheshin edhe 2 orë që të niste emisioni, unë sillesha nëpër korridore, zyrat, studiot e “Radio Tiranës”, duke u lidhur herë pas here me radiokronistët dhe teknikët e radios nëpër qytete ku do të zhvilloheshin ndeshjet, si dhe frekuencën e Postës Qendrore të Tiranës pa bashkëpunimin e së cilës nuk mund të kuptohej ekzistenca e këtij emisioni.

Nëpër të gjitha qytetet, një natë më parë ishin nisur makinat me teknikët dhe aparaturat përkatëse të improvizuara ashtu thjesht, për të vënë në provë sigurinë e tyre në transmetim. Edhe aparatet telefonike që do të bënin lidhjet me studion qendrore të radios. Disa ditë më parë, me një shkrim të hollësishëm në gazetën “Sporti”, opinioni ishte informuar për këtë emision special.

Jeni në studio, në pritje të sinjalit, pra llambës së kuqe… Çfarë ndienit?

E mbaj mend mirë çastin kur me kufje në vesh, aty brenda në studio, duke pasur asistencën e teknikëve Fadil Alimehmeti dhe Sabahete Qylafku, prisja kohën e duhur për të nisur atë që kisha projektuar prej kohësh. Ata ishin dy teknikë të turit të pasdites, ndërkohë që të tjerë të turit të paradites ishin marrë me provat nëpër rrethe, në kontaktet me teknikët.

U hodha një sy teknikëve, që ndodheshin përtej xhamit hermetik të studios, si për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit edhe nga fakti se mund të përballeshin me ndonjë defekt, problem, sidomos tekniket femra, pasi kishte edhe “ankesa të tipit, ne nuk e njohim futbollin”. Por, praktika e mëvonshme ka provuar se këtë transmetim nga studioja qendrore e kanë marrë në dorë pikërisht femrat. Bashkë me teknikët Rexhep Reçi, Hasan Stërmasi, Fatmir Dizdari, Rubin Kristo, që i kanë dhënë lustrën e duhur këtij emisioni.

Vjen ora, linja në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”…

Pasi bëmë disa prova të lidhemi para ndeshjeve me të gjitha rrethet, në orën e caktuar 15:00 u lëshua sinjali. Ishte një muzikë e huaj e ilustruar me pak ambient stadiumi, ku thuhej vetëm: “Po fillojmë emisionin ‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’”. Më vonë, sinjali do të ndryshonte me muzikë të kompozuar nga Shpëtim Saraçi.

Capture-95

Kujtoj se sapo sinjali mbaroi, para se të shtypja butonin e transmetimit direkt, që do të ndizte pastaj dritën e kuqe, u kollita për të pastruar zërin. Ishte më shumë një ngarkesë emocionale që duhej ta shkarkoja.

Për të qenë i sigurt e për të mos provuar dështimin që në fillim me lidhjet telefonike që do të kishin probleme, pasi bëra një hyrje të shkurtër e dërgova linjën për ndeshjen 17 Nëntori-Labinoti në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku komunikimi për në studiot e “Radio Tiranës”, prej kohësh bëhej nëpërmjet një kabulli nëntokësor, pa pasur nevojë për telefon. E bëra edhe për faktin se ishte nga ndeshjet më të rëndësishme të javës, që do të transmetohej nga më i miri dhe më i vjetri i radiokronistëve, Ismet Bellova.

Tashmë emisioni kishte startuar, si vazhdoi?

Dhe pa e zgjatur pas Tiranës, ia nisën me radhë: Ymer Stërniqi në Shkodër për ndeshjen VllazniaLuftëtari; Vlash Pambuku në Berat për takimin Tomori-Partizani; Vladimir Ngjela në Korçë për Skënderbeu- Naftëtari; nga Durrësi, Bujar Qesja për ndeshjen Lokomotiva-Besa dhe Avni Kërtuku nga Burreli për 31 Korriku-Traktori.

Pastaj fundi, mbyllja e transmetimit, sinjalit dhe urimet që nisin të vinin pa fund. Kujtoj teknikët e asaj dite, ku veçoj Hysen Salën, që atë ditë mori përsipër transmetimin nga Burreli. Edhe pse tifoz i 17 Nëntorit, do të shkonte në një takim “pa rëndësi”, si ai në Burrel. Po kështu edhe tekniku Stavri Janaqi, apo shoferët Koço Duka, Rifat Tare, etj.

Drejtuesit e radios, kolegë që e mbështetën fillimin e atij emisioni sportiv. Dhe ajo mesditë e asaj të diele, e atij fillim tetori 1983, për emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, ka qenë hera e parë në mënyrë absolute!

Një plejadë, emra të shquar me kontribut në këtë emision. Cilin do të veçonit?

Me kalimin e viteve, radiokronistët sportiv do të shtoheshin, dhe çdo ekip qyteti do të kishte kronikanin e tij. Ndryshe nga fillimet e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën” kur së bashku me teknikët niseshin për në qytete ku do të zhvilloheshin ndeshjet e javës, edhe radiokronistë nga Tirana si: Ismet Bellova i pazëvendësueshëm, ikonë e mikrofonit; Aleko Gjergo me profesion farmacist, Veli Rada me profesion aktor, Frederik Fico mjek shumë i njohur, Sefedin Allkja e shumë të tjerë.

Tashmë emisioni vazhdonte dhe interesimi i dëgjuesve rritej nga e diela në të diel. Kudo, në çdo mjedis publik, në atë orë, njerëz me radio dore “Fatosi”, “Iliria”, kudo, në stadium, lokale, berberë, autobus, një Shqipëri e gjitha me veshët në ndjekje të atij emisioni.

Në librin tuaj trajtoni një temë “Përtej emisioneve”, për çfarë bëhet fjalë?

Historia e transmetimeve nuk përmblidhet vetëm në 500, apo 1000 emisione të “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, pasi krahas radiokronistëve, transmetimet janë pasuruar nga prania në to edhe e mjaft emrave të njohur të sportit tonë, të cilët me komentet dhe analizat e tyre i kanë shtuar vlerat këtij emisioni. Ish-futbollistë të njohur, personalitete të shquara, trajnerë, të cilët krijuan në stilin e tyre analistin dhe që ishin mjaft të kërkuar nga mijëra dëgjues. Sikurse, Sabri Peqini, Skënder Begeja, Refik Resmja, Astrit Hafizi, Hasan Lika, Ramadan Shehu, Gëzim Kasmi, Panajot Pano, Mikel Janku, etj.

Z. Shqarri, në 20 vite jeni zëri i një Mjeshtri të Madh i mikrofonit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Fundi i atij emisioni, kur jam ndarë me të ka qenë tetori i vitit 2003, që korrespondonte me 20-vjetorin e krijimit të tij. Një pafundësi emisionesh, më shumë se 1 mijë mund të jenë. Pastaj radiokronistë, teknikë, punonjës, por ajo që kujtoj ka qenë dita kur ky emision arriti shifrën e 500-të, dhe unë si krijues e drejtues i tij u përpoqa të rikujtoj disa nga gjërat që më kanë lënë shumë mbresa.

SHQARRI

Ka qenë e shtunë 14 mars 1998, java e 24-t e kampionatit të 59-të kombëtar të futbollit, emisioni radiofonik, kishte mbërritur në transmetimin e 500-të të tij, një përvjetor që e kam pasqyruar edhe në librin tim “Kujtimet e një gazetari sportiv”. Kujtoj dëgjuesit, emocionet, kënaqësi tjetër shumë e madhe kanë qenë dhe mbeten. Edhe sot pas kaq vitesh e ndiej kur më takojnë. Më rikthejnë tek ato të diela të paharruara, kur të gjitha radiot ishin në sintoni vetëm me emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

Nga UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"