FLAMURTARI 1986-1987, Europa e bujshme e tij…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2017 | 20:42

FLAMURTARI 1986-1987, Europa e bujshme e tij…

BESNIK DIZDARI

SI NISI…

Është pikërisht një 30-vjetor i madh i sportit “të vogël” shqiptar. Epilogu i të cilit është një 31-vjetor. Kësisoj, pa u marrë paksa meBesnik-Dizdari këtë 31-vjetor, nuk mund të shkojmë te 30-vjetori i madh. Dhe kështu po e fillojmë në “Panorama Sport” “Dossieri”-in tonë vlonjat, siç dhe ua kemi premtuar. Po e fillojmë pikërisht në ditën kur një skuadër tjetër shqiptare, Skënderbeu i Korçës, nis aventurën e saj të dytë në grupet e asaj që sot quhet Liga e Europës. E nis me një humbje 3-1, me një prej skuadrave më historike të Bashkimit Sovjetik dje dhe të Ukrainës sot, që është Dinamo e Kievit. Një nisje me humbje, disi të thellë. 31 vjet më parë, Flamurtari i Vlorës e niste krejt ndryshe. E niste me Barcelonën e Spanjës, që nuk ishte kaq madhështore sa sot, por prapë së prapë ishte një lartësi europiane e një shteti numër 1 në futbollin botëror: ajo ishte nënkampione e Europës.

Kur shkon në “Nou Camp”, mbasi kishte barazuar 1-1 në Vlorë, me 0-0-n e tij legjendar për ne, Flamurtari regjistron eliminimin më madhështor që një klub shqiptar kishte arritur në Kupat e Europës, duke u eliminuar me kryet lart. Ka pra edhe eliminime madhështore. E vërteta ishte se futbolli shqiptar i klubeve nuk kishte ecur kë- sisoj në skenën europiane. Ishte paraprirë nga megallomania e një politike krejt të ngushtë. Sfida boshe!…

Kishin paraprirë fatalitete të tilla si Dinamo e Moskës-Vllaznia e Shkodrës për Kupën e Kupave. Dhe mospranim i rreptë për t’u ndeshur me fituesen e Kupës së Bashkimit Sovjetik. Dënimi i dytë i Vllaznisë mbas rastit Rapid i Vjenës, tash për shkaqe “madhore”, siç thoshte Partia. Shqipëria nuk bën histori kualifikuese në Kupat deri më 1982, kur 17 Nëntori i Tiranës eliminon Linfildin e Irlandës së Veriut (1-0/1-2) falë golit në fushën kundërshtare.

Vasil Ruci Flamurtari-Barcelona

Dhe prapë një fat gjeopolitik. Në turin e dytë, shorti është i pamëshirshëm te vendos çiftin Dinamo e Kievit-17 Nëntori. Përsëri Bashkimi Sovjetik. Përsëri një Dinamo sovjetike prej të cilave kishte marrë emrin një Dinamo shqiptare. Përsëri vendosmëria e Partisë për të shkatërruar ëndrra sportive të rinisë shqiptare për hir të vetizolimit komunist të pashembullt. UEFA kësaj here është e mëshirshme me kaq. Po, për çudi, do të kishim një cak të madh: vitet 1986 dhe 1987.

Ishim ende shpejt për të mbërritur këtu dhe ndërkaq, futbolli shqiptar i klubeve prodhon në këto vite disa ndeshje të tjera të paharrueshme të viteve “paralajmëruese” 80: Partizani-Celtic 1-0, Partizani-Austria e Vjenës 1-0, Dinamo-Karl Zajs Jena 1-0 (debutim i Shqipërisë në Kupën UEFA), Dinamo-Aberdin 0-0 apo Dinamo-Sporting e Lisbonës 0-0. Pritej 1986-ta, fatmadhe, “fatale”, europiane. Flasin vetë skedat që po i vëmë njëra pas tjetrës si në një ritmikë, qoftë edhe për plagjiatorët e pandalshëm:

KUPA E UEFA-S. 17.09.1986.

VLORË. ST.: “FLAMURTARI”:

FLAMURTARI – BARCELONA 1-1

FLAMURTARI: Lekbello, P.Ruci, Taho, K.Çipi, Iljadhi, Ferko, Zijaji, Ziu (Muça 90′), Gjondeda, V.Ruci, Bubeqi.

TRAJNER: L.Çuri.

BARCELONA: Zubizarreta, Herardo, Miguel, Manolo, Viktor (Esteban 83′), Moratalja, Markos (Fradera 83′), Pedroso, Urban, Lineker, Hjuxh.

TRAJNER: T.Venables.

GOLAT: V.Ruci 67′, Esteban 88′.

GJYQTARE: Sherri (Malta).

SHIKUES: 15.000.

 

KUPA E UEFA-S. 01.10.1986.

BARCELONË. ST.: “NOU CAMP”:

BARCELONA – FLAMURTARI 0-0

BARCELONA: Zubizarreta, Herardo, Miguel, Pedroso (Esteban 76′), Julio Alberto, Moratalja, Markos, Urban (Viktor 69′), Roberto, Lineker, Hjuxh.

TRAJNER: T.Venables.

FLAMURTARI: Lekbello, P.Ruci (Iljadhi 84′), Taho, K.Çipi, Lushaj, Ferko, Zijaji, Ziu, Gjondeda, V.Ruci (Muça 76′), Vbubeqi.

TRAJNER: L.Çuri.

GJYQTARE: A.Da Silva (Portugali).

SHIKUES: 35.000.

 

KUPA E KUPAVE. 17.09.1986.

TIRANË. ST. KOMBËTAR: “Q.STAFA”:

17 NENTORI – DINAMO BUKURESHT 1-0

17 NENTORI: Mersini, Baçi, Hodja, Lekbello, Bimo, Liti, Josa, Omuri, Muça, Minga, Kola.

TRAJNER: E.Shehu.

DINAMO B.: Moraru, Varga, Nikolae, Movlla, Stanesku, Rednic, Andone, Mihaesku (Dragnea 72′), Damaskin, Balaci (Sucu 80′), Camataru.

TRAJNER: M.Luçesku.

GOLAT: Kola 86′.

GJYQTAR: Diakanovic (Poloni).

SHIKUES: 18.000.

 

KUPA E KUPAVE. 01.10.1986.

BUKURESHT. ST.: “DINAMO”.

17 NENTORI – DINAMO BUKURESHT 2-1

DINAMO B.: Moraru, Varga, Nikolae, Movlla, Stanesku, Rednic, Andone, Mihaesku, Balaci Camataru, Damaskin.

TRAJNER: M.Luçesku.

17 NENTORI: Mersini, Baçi, Hodja, Lekbello, Bimo, Alimehmeti, Josa, Muça (Mema 85′), Omuri, Minga, Kola.

TRAJNER: E.Shehu.

GOLAT: Minga 2′, Camataru 82′, Josa 89′.

GJYQTAR: Aksentiu (Qipro).

SHIKUES: 18.000.

Mjafton të shohësh shifrat e dy barazimeve famëmëdha të Flamurtarit me nënkampionen e Spanjës, Barcelonën e Linekerit – ndër sulmuesit më të mirë të botës – për të kuptuar gjithë madhështinë e këtij dueli që i përngjet atij të Davidit me Goliadhin. Mjafton të shohësh dy skedat e ndeshjeve të 17 Nëntorit (sot SK Tirana e Kategorisë së Dytë për shkak të organizmit rrënues të Kampionatit të sotëm Kombëtar) për të kuptuar madhështinë edhe të veprës së skuadrës kryeqytetase, kur mendon se futbolli rumun ishte në kulmin e tij po në këtë vit 1986.

Steau e Bukureshtit kishte fituar Kupën e Kampioneve. E po në këtë vit ’86, finalist me Steau kishte qenë po kjo Barcelonë që nuk arrin të mposhtë në 180 minuta lojë Flamurtarin e Vlorës. Ndërkaq, nuk mund të rri pa kujtimet e paharrueshme të gazetarisë. Lind gjëja më e rrallë që ka të bëjë me gjeopolitikën “tonë”: Regjimi vendos të ketë një gazetar të Radio Tiranës në “Nou Camp” të Barcelonës.

flamurtari-barcelona

I takon Ahmet Shqarrit, njeriu i cili papritmas ia arrin të marrë për gjithë kohën mikrofonin e stadiumit mitik dhe t’u japë shqiptarëve emocionet e ndeshjes dramatike, kujtim i paarritshëm i jetës së tij profesionale. Më vjen për shtat ky pasazh – i marrë nga tregimi i Shqarrit prej librit të tij me kujtime – pikërisht për synimin e trajtimit gjeopolitik të tregimit tonë të sotëm në “TemA”:

“…Ato ditë, – shkruan Shqarri, – sapo ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Spanjës dhe që të krijohej, me sa duket një imazh i mirë për vendin tonë të izoluar, duhej dërguar në Barcelonë edhe një gazetar në përbërje të ekipit vlonjat. Aq më tepër bëhej e domosdoshme prania e gazetarit në delegacionin tonë sportiv, sepse për ndeshjen e parë së bashku me futbollistët e Barcelonës kishin ardhur në Shqipëri gati 50 gazetarë!

Mbaj mend se ditë para ndeshjes në Vlorë, u organizua një banket në hotel ‘Dajti’ për gazetarët e huaj që shoqëronin Barcelonën, ku merrnin pjesë edhe një grup i madh intelektualësh të Tiranës për të dhënë idenë e hapjes së Shqipërisë ndaj botës, sepse gazetat spanjolle, në prag të ndeshjes së parë të Barcelonës në Shqipëri, ‘e kishin nxirë realitetin tonë’, siç thuhej ato ditë… ‘El mundo deportivo’ shkruante se ‘Barcelona fillon një nga udhëtimet e veta më ekzotike të viteve të fundit, sepse realisht Shqipëria konsiderohet si vendi më hermetik dhe misterioz në Evropë…

‘” Kjo ishte Shqipëria staliniste që refuzonte të ndeshej me skuadrat e themeluara nga Stalini. Kjo ishte Shqipëria që mendohej një muaj për të dërguar apo jo një gazetar në Barcelonën legjendare të futbollit pasi thuajse e kishte mposhtur në fush- ën e lojës. Për futbollin shqiptar, rasti ishte i paprecedentë. Për herë të parë në histori, dy skuadrat shqiptare në dy Kupa të Evropës nuk humbisnin asnjë ndeshje. Madje njëra, 17 Nëntori i Tiranës, i fiton të dyja, ndërsa tjetri, Flamurtari i Vlorës barazon dy herë me Barcelonën – nënkampione e Spanjës dhe e Europës!

Ishte si një vezullim meteorik që, për skuadrën vlonjate të Vasil Rucit e Kreshnik Çipit me shokë me në krye trajnerin Leonidha Çuri, edhe pse e eliminuar, nuk do të shuhej. Ishte një vezullim që për skuadrën tiranase të Baçit, Josës, Kolës e Mingës me shokë, me në krye trajnerin Enver Shehu, për fat do të shuhej shpejt në turin tjetër prej një 3-0 të palëkundshëm nga Malmoe e Suedisë. Regjimi ishte kënaq edhe me kaq. Shqipëria e izoluar qe përmendë jo pak, për dy javë me radhë në Europë falë futbollit. Dhe krenohej pa iu rrahur shpatullat futbollistëve të saj të këtyre dy skuadrave të mrekullueshme, që ajo vetë do t’i izolonte duke mos treguar asnjë kujdes më tepër të mëpastajmë… Ishte 1986.

Po bashkoj këtu botimin anastatik të shkrimit me titull “Pa mbivlerësim” botuar vetëm dy ditë mbas barazimit 1-1 të Flamurtarit me Barcelonën – nënkampione e Europës në fuqi. E, për fat, një nga shkrimet më pak të politizuara të kohës. Përse e bëj këtë?

Sporti Popullor

Përveç të një kujtese gazetarije të “shekullit të kaluar”, e bëj edhe për të paraqitur çudinë e madhe të besimit që kishim për skuadrat tona, sado modeste që mund të kenë qenë. Besim që ata e përligjen në mënyrën më bindëse. Skënderbeu i sotëm nuk ka pse të shqetësohet prej 3-1 të Kievit. E ndërsa historia vlonjate nuk ndal për ne, gara korçare vazhdon për të… Do të takohemi në historitë e më- pasme të këtij 30-vjetori, po këtu në “Panorama Sport”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"