“Skënderbeu i etur për sukses”, Gvozdenoviç i bindur: Me tifozët e thyejmë Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 11:22

“Skënderbeu i etur për sukses”, Gvozdenoviç i bindur: Me tifozët e thyejmë Teutën

Skënderbeu do të kërkojë fitoren në ndeshjen e sotme në shtëpi përballë Teutës. Pas barazimit me Tiranën, korçarët janë të bindur se ekipi ka formën dhe forcën e duhur për të marrë 3 pikët në këtë ndeshje. Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç,

gvozdenovic

Teuta është një sfidë e vështirë, por ai beson se Skënderbeu është i përqendruar për të marrë maksimumin. Me mungesën e Rabiut të skualifikuar nga kartoni i kuq i marrë me Tiranën dhe atë të Frenklin, tashmë i larguar nga Skënderbeu, vështirësitë për formacionin janë shtuar, por trajneri i bardhekuqve nuk gjen justifikime. Ai shpreson se do të bëjë zgjedhjet më të mira, bashkë me stafin.

Ivan, në Korçë vjen Teuta. Si e parashikoni këtë ndeshje?

Jemi Skënderbeu dhe mendojmë gjithnjë për pikët maksimale në çdo takim, në shtëpi apo në transfertë. Edhe  sot situata është e njëjtë, detyrim janë tri pikët. Presim të njëjtën mbështetje nga tifozët, siç ndodhi me Tiranën, ku kanë krijuar vërtet një atmosferë shumë të bukur dhe shpresoj të vijojnë të na mbështesin në këtë mënyrë. Të gjithë bashkë ia dalim të marrim maksimumin.

Sa i vështirë është ky takim me një kundërshtar, që i ka hapur Skënderbeut shumë probleme në kampionat dhe kupë?

Është një ndeshje shumë e vështirë, kjo nuk ka asnjë diskutim. Është një nga ato ndeshje ku do të hyjmë në fushë duke menduar vetëm për veten tonë dhe jo për pozitën e kundërshtarit. Ne shohim se çfarë kërkon të kapë Skënderbeu, jo çfarë kërkon Teuta. Jemi të përqendruar për të luajtur një ndeshje të fortë, që vlen tri pikë. Kemi një gjendje të mirë psikologjike dhe fizike, ekipin e kam parë të përqendruar ndaj do të kërkojmë maksimumin.

Sa e ndërlikon ndeshjen mungesa e Rabiut?

Padyshim që të gjithë lojtarët që kemi në ekip janë të rëndësishëm. Rabiu është një titullar i këtij sezoni dhe ka luajtur mjaft mirë gjithë kampionatin. Normalisht është një mungesë e rëndësishme, por përsëris atë që kam thënë që në fillim: kemi 25 lojtarë të gatshëm dhe do të mundohemi të bëjmë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Së bashku me stafin po punojmë për të gjetur alternativën e duhur për të zëvendësuar një mesfushor me vlera si Rabiu.

Sa i takon çështjes së mbijetesës, a është Skënderbeu i qetë tashmë?

Nuk mund të them se jemi të qetë plotësisht. Kemi 6 ndeshje të forta për të luajtur dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Duhet të menaxhojmë me kujdes gjithçka, duke filluar nga sot e deri në fund të sezonit.

Mendoni më shumë të siguroni mbijetesën apo për vendin e katërt?

Mendojmë si do të fitojmë ndeshjen ndaj Teutës. Kjo ka qenë ajo që kam komunikuar edhe me stafin dhe ekipin. Jemi të përqendruar fillimisht te ky takim e më pas të shohim si do të shkojnë gjërat. Duam të fitojmë dhe përqendrimi ynë do të jetë maksimal.

sk

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"