Skënderbeu e bën rrugë, turpëron sërish Himarën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2014 | 21:15

Skënderbeu e bën rrugë, turpëron sërish Himarën

Skenderbeu dhe imara pozojne bashke para ndeshjes se KupesSKËNDERBEU-HIMARA 10:0
GOLAT: Sefa 2′, Martins 28′, 29′, 32′, Jashanica 36′, Ribaj 51′, Berisha 62′, Nimaga 71′, Lulaj 78′, Lilaj 80′
SKËNDERBEU: Llapanji, Kame, Jashanica, Lulaj, Abazi, Berisha, Shkëmbi (Dimo 46′), Souza (Lilaj 46′), Ribaj, Martins (Nimaga 39′), Sefa. Trajner: M.Josa
HIMARA: Këllçiu, Meta, Kacanaj, Kënella, Dhrami (Guaci 46′), Dervishi, Prifti, Qurdukaj, Rreshani (Kasaj 46′), Hyskaj, Shenaj (Shehaj 63′). Trajner: Sh.Imeraj
KARTONË TË VERDHË: Berisha/ Qurdukaj
GJYQTARË: E.Demiraj, A.Mema, G.Kamolli (Pogradec)

Skënderbeu përsëriti dje në Durrës go leadën e ndeshjes së parë, duke i shënuar edhe dhjetë gola të tjerë ekipit të Himarës. Takimi i kthimit, i vlefshëm për raundin e parë të Kupës së Shqipërisë, u dominua tërësisht nga kampionët, të cilët edhe pse me një formacion ku dominonin rezervat, nuk e patën aspak të vështirë të shënonin plot 10 herë në portën himarjote. Korçarët fituan edhe takimin e parë 10-1 ndaj skuadrës që militon në Kategorinë e Dytë. Ajo që ra në sy dje ishte edhe prania nga minuta e parë e sulmuesve kryesorë Sefa dhe Ribaj, por edhe e mesfushorëve të avancuar Martins dhe Berisha.
Ndeshja – Ashtu siç edhe pritej, Skënderbeu e nis në sulm dhe pa u mbushur ende dy minuta lojë, Berisha depërton bukur nga e majta, shërben për Sefën, i cili fare pranë portës nuk gabon dhe shënon. Minutat në vijim flasin totalisht për korçarët, të cilët tentojnë në çdo formë. Për t’u shënuar përgjatë këtyre minutave janë edhe shtyllat spektakolare të Ribajt dhe Martins. Ky i fundit në minutën e 28-të shërbehet bukur nga Berisha dhe shënon golin e dytë. Vetëm një minutë më pas Berisha përsërit aksionin e parë, shërben për Martins dhe 3-0. Tri minuta më vonë Martins shënon golin e tretë personal pas një goditjeje ballore. Në minutën e 36-të Shkëmbi fut bukur një top në zonë, aty kërcen fuqishëm Jashanica, i cili godet me kokë dhe e mbyll pjesën e parë 5-0. Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtën mënyrë. Korçarët, zot të fushës, dhe himarjotët që përpiqen të bëjnë ç’të mundin. Ribaj pas 6 minutash hap serinë e golave të këtij fraksioni, kur godet fuqishëm nga kufijtë e zonës. Më pas është Berisha që në minutën e 62-të, me një aksion personal, i çon shifrat në 7-0. Deri në fund ka kohë edhe për tre gola të tjerë nga ana e Nimagës, Lulajt dhe Lilajt, duke bërë që rezultati i përgjithshëm pas dy ndeshjeve të shkojë në 20-1 për Skënderbeun.

Josa: Mundësi e mirë për sulmuesit
Në përfundim të ndeshjes, trajneri Mirel Josa u shpreh: “Ekipi në tërësi ishte mirë, më pëlqyen disa lojtarë të rinj që luanin shumë të motivuar. Megjithatë, ju e patë, diferencat në fushë ishin të mëdha, prandaj nuk mund t’i gëzohemi gjatë këtij rezultati. E rëndësishme është që kalojmë për më tej. Kjo ishte një provë e mirë edhe për sulmuesit, me të cilët jam i kënaqur për aq sa dhanë në ndeshje. Në fundjavë kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj Vllaznisë, si rrjedhojë këto ditë do punojmë shumë që të marrim më të mirën nga ajo përballje. Do të shihet edhe një herë gjendja e çdo lojtari në stërvitjet e ardhshme”, përfundon Mirel Josa.
ROLAND GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"