“Skënderbeu do kualifikim në Durrës”, Nikaj beson te kthesa ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2024 | 22:45

“Skënderbeu do kualifikim në Durrës”, Nikaj beson te kthesa ndaj Teutës

Skënderbeu lë Korçën e temperaturave të ulëta që kanë shkuar deri në minus 13 gradë për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës, këtë herë për kupë ndaj Teutës. Bardhekuqtë janë vendosur në “Tropikal Resort” atje ku do të vijojnë përgatitjet me shpresën dhe qëllimin e arritjes së një rezultati të mirë në këtë ndeshje në transfertë.

nikaj

Për vetë specifikën e kupës, korçarët duhet të bëjnë më të mirën e mundshme nëse duan të vazhdojnë rrugëtimin në kupë, ndaj edhe për faktin që luhet me një takim kjo fazë, fitorja është rezultati i vetëm për Skënderbeun. Pikërisht për këtë edhe sulmuesi shkodran Ardit Nikaj e sheh këtë takim si të rëndësishëm edhe për kthesën e ekipit edhe për të vijuar aventurën në kupë.

“Kemi një ndeshje për të luajtur në një tjetër kompeticion dhe jemi dyfish të motivuar për t’u rikthyer tek ato rezultate pozitive. Kupa është një tjetër kompeticion dhe ne duam të shkojmë sa më larg edhe këtu pasi për Skënderbeun dhe filozofinë e këtij klubi çdo kompeticion është i rëndësishëm.

Jemi gati për të luajtur me kokën lart dhe më të përqendruar se kurrë drejt objektivit maksimal. Duam që të bëjmë mirë dhe të tregojmë se humbjet e fundit në kampionat kanë qenë një moment që ka kaluar tashmë dhe të shohim vetëm përpara.

Teuta është duke kaluar një moment të mirë dhe e kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim dhe kundërshtarin. Do të shkojmë me respektin maksimal atje por të bindur në forcat tona”, theksoi sulmuesi shkodran i Skënderbeut.

Situata – I ndalur më pas te ndeshja e anuluar ndaj Dinamos dhe si do të ndikojë ky takim i shtyrë për vijimësinë e korçarëve, Nikaj nuk sheh asnjë avantazh tek korçarët pasi skuadra ka treguar që formën fizike e ka mjaft të lartë.

“Nuk besoj se fakti që nuk kemi luajtur këtë fundjavë do të jetë një plus për ne pasi skuadra ishte gati dhe ka përgatitur gjithçka ndërkohë që nuk kemi zhvilluar ndeshjen dhe nuk kemi mbyllur si duhet mikrociklin javor. Ekipi gëzon një formë mjaft të mirë fizike dhe nuk do të ishte çështje lodhjeje edhe nëse do të luanim në këtë ndeshje që mund të kthehej në një motivim më shumë për skuadrën.

Gjithsesi, tani jemi duke menduar vetëm te Teuta dhe besojmë se do të bëjmë gjithçka duhet për të dalë me një fitore nga kjo ndeshje e të vijojmë aventurën në kupë”, mbylli prononcimin e tij, sulmuesi shkodran i Skënderbeut, Ardit Nikaj, një pikë e rëndësishme e ofensivës korçare për këtë sezon.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"