Situatë kritike te Korabi, klubi ngec në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2017 | 11:04

Situatë kritike te Korabi, klubi ngec në merkato

Vetëm një afrim zyrtar dhe katër largime. Korabi duket se ka mbetur në vendnumëro sa i përket merkatos së janarit. Trajneri Gerd Haxhiu mësohet se ka kërkuar të paktën katër përforcime, për ta përballuar si duhet sezonin. Skuadra po vijon minifazën përgatitore në kompleksin e Pezës.

korabi stervitje

I vetmi lajm i mirë për dibranët është fakti se kampionati do të nisë më 28 janar, duke i dhënë më shumë kohë rikonstruksionit të stadiumit, në mënyrë që të plotësohen të gjitha kushtet e vendosura nga FSHF. Për momentin, ekipi ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të djathtë kosovar, Veton Shabani, i cili plotëson vendin e lënë bosh nga serbi Dushko Dukiç, që prishi kontratën me mirëkuptim.

Nga ana tjetër, pranë zyrtarizimit te Korabi mësohet se është mesfushori Besmir Arifaj. Ky i fundit pëlqehet nga trajneri Gerd Haxhiu dhe palët kanë ditë që janë futur në bisedime, por mungon zyrtarizimi i marrëveshjes. Arifaj ka luajtur për Dinamon në Kategorinë e Parë gjatë këtij sezoni dhe tashmë pritet të veshë fanellën e Korabit.

Burime të gazetës pranë klubit treguan dje se po tentohen disa lojtarë cilësorë, por edhe pse ofertat që kanë bërë drejtuesit janë në nivele të kënaqshme, mësohet se ata që trajneri synon kanë refuzuar. Vendi i fundit dhe mungesa e garancisë financiare duket se step lojtarët për të pranuar ofertën e Korabit, që synon mbijetesën në elitë.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"