Situata kaotike për shkak të Koronavirusit, trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë në… stres

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2020 | 20:38

Situata kaotike për shkak të Koronavirusit, trajneri i skuadrës së Kategorisë së Parë në… stres

Situata e jashtëzakon shme e shkaktuar nga Koronavirusi ka goditur edhe futbollin. Besëlidhja po e vuan jo pak situatën, sepse ka një objektiv të rëndësishëm për këtë sezon, ngjitjen në Superiore. Për këtë objektiv është investuar shumë, por që nuk dihet si do të rrjedhin ngjarjet. Lezhjanët mbajnë vendin e dytë në renditjen aktuale dhe elitën mund ta kapin vetëm me ndeshjet shtesë, nëse nuk arrijnë të parakalojnë Kastriotin kryesues.

Plori

PLORI – Për të mësuar më shumë mbi pasojat që kjo situatë sjell te futbollistët, “Panorama Sport” ka biseduar me trajnerin e Besëlidhjes, Elvis Plori, i cili shprehet: “Normalisht, për këtë situatë që jemi, duhet të uroj së pari të mos kemi probleme shëndetësore. Është një situatë e shumë e vështirë jo vetëm te ne, por në gjithë botën. Shpresoj të kalojë sa më shpejt dhe të kthehemi në normalitet, të rinisim kampionatin. Në Shqipëri është pozitiv fakti se te njerëzit e futbollit nuk ka pasur të prekur dhe shpresoj të mos ketë. Kjo gjendje ndikon negativisht si në aspektin fizik, po ashtu edhe atë psikologjik të futbollistëve. Duhej të ishim sot në kulmin e kampionatit dhe në maksimumin e gjendjes fizike. Edhe ana psikologjike, me sa shoh, është tronditur shumë”.

elvis plori

FRIKA E DËMTIMEVE – Trajneri shkodran i Besëlidhjes nuk e fsheh aspak merakun e madh se futbollistët mund të goditen nga dëmtimet kur të rinisin ndeshjet e kampionatit, sepse vijnë pas një periudhe të gjatë pushimi. “Duke parë si do të shkojnë gjërat, ne do të punojmë për të arritur më të mirën e mundshme në fund të sezonit. Rinisja e kampionatit na gjen të gjithëve në kushte të barabarta, ndaj nuk jam shumë i shqetësuar në këtë drejtim. Më shqetëson shumë fakti se si do dalim nga kjo gjendje, si do të organizohet kampionati dhe sa kohë do të na mbetet në dispozicion për fazën përgatitore. Shpresoj që kampionati të nisë në fund të majit, por më duket vërtet e vështirë.

plori1

Sportistët e kanë të pamundur për të dhënë atë që kërkohet, nëse nuk bëjnë të paktën 3 javë përgatitje dhe në këtë periudhë stërvitja duhet të jetë e studiuar mirë, sepse mund të ketë pasoja dëmtimesh për futbollistët. Ekipet vijnë nga një pushim i gjatë. Gjithsesi, le të presim dhe të besojmë në realizimin e objektivit të Superiores. Besëlidhja ka edhe një sforco më shumë, sepse është edhe në Kupën e Shqipërisë. Uroj të dalim sa më shpejt dhe më të fortë nga kjo situatë dhe ta rinisim aty ku e kemi lënë. Kategoria e Parë ka edhe fazën e tretë që është edhe më kryesoja e kampionatit. Besoj se do t’ia dalim”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"