Siguroi Frashërin, Teuta kërkon të “djegë” Kukësin për Shkurtajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2018 | 11:40

Siguroi Frashërin, Teuta kërkon të “djegë” Kukësin për Shkurtajn

Teuta fiton duelin me Partizanin. Erlis Frashëri është zyrtarisht pjesë e “djemve të detit”. Pas 8 vitesh, korçari do të rikthehet në Durrës, aty ku ka luajtur 36 ndeshje dhe shënuar 7 gola sezonin 2010- 2011. Këtë herë durrsakët ia dolën që të mposhtnin rivalitetin me kryeqytetasit për shërbimet e 30-vjeçarit.

Frasheri

Ky është i pari afrim konkret për merkaton të janarit, paçka se që të mbyllet njëherë e mirë transferimi duhet fillimisht të gjendet dakordësia edhe për disa terma kontrakutalë dhe të hidhet firma. Gjithsesi, këto detaje mund të konsiderohen thjesht një formalitet. Lajmin për “Panorama Sport” e ka konfirmuar edhe vetë korçari.

“Po, është e vërtetë që do të jem pjesë e Teutës. Drejtuesit e dy klubeve kanë rënë dakord dhe unë tashmë pres të firmos kontratën. Jam i kënaqur, pasi do të luaj në një ekip pretendent, për më tepër në një ambient që e njoh, sepse kam qenë edhe më parë. Falënderoj presidentët Hasanbelliu dhe Qarri për konsensusin, por gjithashtu trajneri, Shkëmbi për besimin që ka tek unë”, deklaroi dje Erlis Frashëri. Pas largimit të Bojan Gjeorgievskit, Teuta i vendosi objektiv vetes që të merrte pikërisht mbrojtësin e djathtë për të kompletuar vendin e lënë bosh. Edhe pse futbollisti, i cili prej 2016-ës ka qenë pjesë e Kamzës ishte në planet e Partizanit kryesues, në fund drejtuesit kanë vendosur që destinacioni i tij të ishte Durrësi. Ai do të jetë një forcë e shtuar për skuadrën, ndërsa me kualitetin dhe eksperiencën do të ofrojë shumë më shumë siguri në mbrojtje. Erlis Frashëri bën kështu një hap përpara në aspektin personal, pasi tashmë nga një ekip që luftonte mbijetesën, do të luajë për si pretendent i titullit kampion.

SHKURTAJ Por, Teuta është futur “frikshëm” në merkato dhe këtë herë janë hedhur në sulm për lojtarin, të cilin Kukësi pret që ta zyrtarizojë nga momenti në moment. Vasil Shkurtaj mund të jetë pjesë e durrsakëve. Sulmuesi më i kërkuar i merkatos së dimrit mësohet se ka pasur takim dje me drejtues të lartë të klubit durrsak. “Panorama Sport” mëson se ka pasur kontakte dje rreth orës 14:00 mes sulmuesit të Luftëtarit dhe bashkëpresidentit Ardian Bardhi. Po ashtu, bëhet me dije se ka pasur një ofertë joshëse për vlonjatin, duke i vënë në dispozicion atij afro 70 mijë euro deri në fund të sezonit, si dhe duke i ofruar të njëjtën shumë klubit të Luftëtarit për kartonin. 26- vjeçari dhe klubi janë duke e shqyrtuar ofertën dhe nuk përjashtohet mundësia që Teuta “të djegë” edhe Kukësin, i cili është gjithashtu në garën për bomberin, ashtu sikundër bënë me Frashërin me Partizanin.

shkurtaj

IDRIZAJ Me Erlis Frashërin që do të jetë pjesë e Teutës për ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, Partizani që po kërkon me insistim një lojtar për linjën e djathtë dhe i mbetet si opsion Hektor Idrizaj. Vlonjati i Kamzës është në planet e kuqve prej kohësh dhe konsiderohet si një element që do u bënte punë jo vetëm në krahun e djathtë, por edhe në rolet e tjera të defensivës, pasi ai fare mirë mund të përshtatet majtas dhe në qendër. Ashtu si gazeta njoftonte në numrin e tri ditëve më parë, drejtuesit kanë nisur edhe negociatat konkrete me të. Madje, me këtë operacion është duke u marrë vetë drejtori Olsi Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"