Shqipëria i merr Zvicrës një Xhaka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2013 | 8:29

Shqipëria i merr Zvicrës një Xhaka

Taulant XhakaKa edhe kështu: njëri luan për Zvicrën dhe tjetri për Shqipërinë. Ajo që ka ndodhur pak kohë më parë me dy vëllezërit Boateng (Kevin- Prince i lindur në Gjermani nga prindër ganezë preferoi të luante për Kombëtaren e Ganës, ndërsa vëllai i tij, Zherom, i lindur në Ganë, por edhe me pasaportë gjermane, preferoi “pancerat”), pritet të kopjohet edhe nga vëllezërit Xhaka. Siç dihet, mesfushori i Borusia Mynshegladbahut, Granit Xhaka, luan tashmë për Kombëtaren e Zvicrës, ndërsa i vëllai, Taulanti, i cili militon te Grashoper (është dhënë hua nga Bazeli), me shumë gjasa do të vishet kuqezi. Sipas medias kosovare “Tribuna”, ky i fundit pritet të jetë përforcimi i radhës në Kombëtaren e drejtuar nga De Biazi. “Taulant Xhaka i ka thënë po ftesës së Kombëtares dhe pritet të ftohet së shpejti nga trajneri i Kombëtares shqiptare. Madje, flitet që kjo gjë mund të ndodhë që në këtë grumbullim, i cili zyrtarisht nis më 29 maj”, pohon një burim i FSHF-së për këtë media. Ndërkohë, duhet thënë se lojtari ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës, madje edhe me U-21, çka mund të përbëjë problem për aktivizimin e tij të menjëhershëm me kuqezinjtë. Gjithsesi, fillimisht atij do t’i duhet të pajiset me pasaportë shqiptare dhe më pas të ndjekë të njëjta procedura sikundër edhe Migjen Basha, pra të kërkojë edhe lejen e FIFA-s, para se të zbresë në fushë me fanellën e Shqipërisë. Përveç Xhakës, De Biazi ka ftuar për ndeshjen ndaj Norvegjisë edhe Valdet Ramën, Vullnet Bashën (vëllai i Migjen Bashës), Azdren Llullakun dhe Ilir Berishën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"