Formacioni i Vllaznisë, trajneri Edi Martini ka gati skeletin e kuqebluve
Vllaznia e sezonit 2026-2027 pritet të jetë ndryshe nga ajo e një viti më parë. Merkatoja verore ka sjellë një numër të konsiderueshëm ndryshimesh në organikën e skuadrës, ndërsa trajneri Edi Martini ka nisur të krijojë konturet e formacionit që synon të përdorë në startin e kampionatit. Edhe pse merkatoja mbetet ende e hapur dhe priten afrime të tjera, një pjesë e mirë e titullarëve duket se tashmë janë përcaktuar. Në portë, besimi pritet t’i jepet Jukajt, i cili ka fituar terren dhe duket favorit për fanellën me numrin një.

Përpara tij, mbrojtja pritet të ndërtohet rreth Dumfur, Gurishtës dhe Çelikoviçit, tre futbollistë që deri në këtë fazë konsiderohen si shtyllat e repartit defensiv. Në krahë, Patrik Bardhi në të djathtë dhe Musta në të majtë duken zgjedhjet e para të stafit teknik, duke i dhënë skuadrës më shumë ekuilibër dhe mundësi për të sulmuar nga anët. Edhe në mesfushë pritet të ketë ndryshime të rëndësishme. Qato dhe Dros do të vazhdojnë të jenë pika referimi, ndërsa afrimi i Kobiljar pritet t’i japë më shumë cilësi dhe kreativitet repartit.
Treshja shihet si baza mbi të cilën Martini synon të ndërtojë lojën e skuadrës, duke kombinuar eksperiencën me aftësitë organizative dhe intensitetin në fazën mbrojtëse. Në repartin ofensiv, kapiteni Bekim Balaj mbetet lideri i padiskutueshëm i sulmit kuqeblu. Përkrah tij pritet të aktivizohet Perez, një afrim që ka rritur pritshmëritë te tifozët dhe që synon t’i japë më shumë efi kasitet skuadrës përpara portës kundërshtare.
Dyshja shihet si arma kryesore e Vllaznisë në sezonin e ri, me shpresën se do të sjellë më shumë gola sesa në edicionin e kaluar. Megjithatë, pavarësisht se formacioni bazë ka nisur të marrë formë, merkatoja e Vllaznisë nuk konsiderohet ende e mbyllur. Drejtuesit kuqeblu vijojnë punën për të afruar futbollistë të tjerë, me synimin për të rritur konkurrencën dhe cilësinë në organikë. Për këtë arsye, nuk përjashtohet që deri në fund të merkatos verore të ketë ndryshime të tjera në formacionin titullar, ndërsa skuadra e nëntë herë kampione e Shqipërisë synon të paraqitet sa më e kompletuar në nisje të sezonit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













