Shkumbini-Elbasani, paqe në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2019 | 12:11

Shkumbini-Elbasani, paqe në derbi

Shkumbini dhe Elbasani nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1 në takimin miqësor të zhvilluar dje në stadiumin e Peqinit.

shkumbini

Golit të realizuar nga Bodani për verdheblutë në pjesën e parë i është përgjigjur një tjetër elbasanas, sulmuesi Sadiku, i cili rikthehet në Peqin, duke realizuar golin e barazimit. Trajneri Sokol Branica e ka kaluar me sukses provën e parë në krye të skuadrës së Shkumbinit, pavarësisht se bëhej fjalë për një takim miqësor, ndërsa të besuarit e trajnerit Lleshanaku kanë shfaqur mjaft grintë në fushë, por është mungesa e eksperiencës ajo që ra në sy te skuadra e Elbasanit.

Takimi ka nisur i shpejtë, me të dyja skuadrat që u munduan të fitonin terren në fushë, por futbollistët e rinj elbasanas u dukën më të freskët fizikisht dhe kërkuan ta zinin në befasi ekipin bardhekaltër. Në minutën e 21-të, sulmuesi Bodani, pas një veprimi të zgjuar, e dërgoi topin në rrjetë, duke e kaluar skuadrën e Elbasanit në avantazh. Me gjithë përpjekjet e peqinasve për të barazuar shifrat, pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Elbasanit.

PJESA E DYTË

Në pjesën e dytë, loja u bë edhe më interesante, kjo për faktin se peqinasit arritën të merrnin në dorë “frenat” e lojës dhe pa kaluar shumë minuta, sulmuesi Sadiku realizoi në portën e Elbasanit. Loja kishte ritëm, por edhe shumë gabime, sidomos në vijat e sulmeve respektive, ku nga nxitimi lojtarët nuk arritën të konkretizonin me gol aksionet e shumta. Trajneri Shkëlqim Lleshanaku provoi një numër të madh lojtarësh të rinj, të cilët nuk është se bënë diferencën në fushë. Përfundimisht, derbi miqësor i Prefekturës së Elbasanit u mbyll në paqe, 1-1.

Branica: Presim lojtarë të tjerë, nuk flas me emra

Trajneri Sokol Branica ka vetëm tri ditë që është emëruar në krye të skuadrës së Shkumbinit. Megjithatë, futbollistët që ai aktivizoi në këtë ndeshje miqësore e përligjën besimin e trajnerit. “Mendoj se në përgjithësi zhvilluam një ndeshje pozitive dhe pavarësisht rezultatit, mund të them se pashë dëshirë dhe grintë te lojtarët. Nuk mund të flas për emra konkretë në merkato, megjithatë, ashtu siç erdhi sulmuesi Sadiku, presim që të afrohen edhe lojtarë të tjerë në reparte të ndryshme. Kam besim se Shkumbini do të jetë i plotësuar shumë shpejt me lojtarët e duhur”, tha mes të tjerash trajneri i ri i peqinasve, Branica.

Lleshanaku: Kemi nevojë për liderë në ekip

“Në përgjithësi jam i kënaqur me lojën e futbollistëve që u aktivizuan në këtë ndeshje, pavarësisht se djemtë vinin nga një ngarkesë e lartë fizike që e kanë marrë gjatë javëve të fundit. Mendoj se jemi të hapur për afrime dhe sigurisht që në çdo repart kemi nevojë për lojtarë që të kenë cilësi dhe eksperiencë. Kemi nevojë për lojtarë që mund të marrin rolin e liderit në skuadër dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë”, theksoi pas miqësores së djeshme në Peqin trajneri i Elbasanit, Shkëlqim Lleshanaku. Për elbasanasin ishte miqësorja e dytë, pas asaj me Sopotin disa ditë më parë.

FATMIR AHMETI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"