Shkëlqeu me Laçin, Selmani: Barazimi me Partizanin na dha zemër, kam 3 oferta nga Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2017 | 12:32

Shkëlqeu me Laçin, Selmani: Barazimi me Partizanin na dha zemër, kam 3 oferta nga Superiorja

Portieri i Laçit dhe Kombëtares U-21, Gentian Selmani, mbylli një sezon fantastik me fanellën bardhezi. 19-vjeçari u bë një nga pikat më të forta të kurbinasve, duke zhvilluar një kampionat mbresëlënës. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Selmani foli për sezonin e fundit, ofertat që ka, si dhe ambiciet për të ardhmen.

selmani hoxha

Gentian, mbyllët një sezon ku vuajtët shumë për të siguruar mbijetesën. Si do ta vlerësonit?

Ishte me të vërtetë një sezon shumë i vështirë për ne. Në fillim nuk e mendonim se do të rrezikonim kaq seriozisht për mbijetesën. Kemi hasur shumë vështirësi në dy fazat e para. Por, në merkaton e janarit u afruan lojtarë me eksperiencë në Superiore, që na kanë ndihmuar. Gjithashtu, ardhja e profesor Stavri Nicës na bëri edhe më të fortë për ta mbyllur sezonin me sukses, duke siguruar qëndrimin.

Keni qenë ndër ekipet më të rrezikuara. Në cilën ndeshje ju shtua bindja se do të arrinit të qëndronit në Superiore?

Përpara ndeshjes kundër Partizanit, të gjithë na mendonin të rënë nga kategoria. Por, ai barazim 0-0 i arritur në “Selman Stërmasi” na dha shumë forcë dhe besim për të arritur objektivin që kishim.

Cila ka qenë ndeshja që do të mbani mend më shumë nga kampionati i fundit?

Së pari, ishte ndeshja ndaj Kukësit, që barazuam pa gola në Laç. Ndërsa e dyta ishte pikërisht ajo kundër Partizanit në Tiranë, ku morëm një pikë pas barazimit 0-0. Kanë qenë dy ndeshje shumë të forta, ndaj dy ekipeve pretendente për titullin. Kemi bërë ndeshje të shkëlqyera dhe mendoj se e kemi merituar plotësisht qëndrimin në elitë.

Jeni i kënaqur me paraqitjen që keni bërë apo keni pritur më tepër?

Po, besoj që kam bërë një sezon pozitiv, pasi me paraqitjet e mira jam vlerësuar edhe pesë herë si pjesë e formacionit ideal të javës në Superiore. Unë kërkoj të rritem çdo ditë profesionalisht dhe të jap maksimumin në çdo moment.

Keni pasur oferta nga skuadra të tjera? Nëse nuk është sekret, çfarë mund të na zbuloni?

Po, më kanë kontaktuar tre ekipe me emër në Kategorinë Superiore. Nuk është etike të përmend emra për momentin, por dua të theksoj se janë oferta konkrete. Gjithsesi, unë mbetem ende pjesë e ekipit të Laçit.

Jeni grumbulluar edhe me Kombëtaren U-21, cilat janë ambiciet tuaja për sezonin e ri?

Në qershor kemi grumbullimin e radhës, sepse nisim ndeshjet kualifikuese. Unë do të mundohem të jap maksimumin, si çdo herë për fanellën e Kombëtares. Dëshira është e madhe që të luaj në një kampionat elitar në Europë. Jam vetëm 19 vjeç dhe besoj se jam në kohën e duhur për të punuar sa më shumë dhe për të fituar eksperiencën e duhur. Me përkushtim në stërvitje dhe me pak fat, shpresoj të arrij qëllimet e mia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"