Shifrat e Kukësit, “fotokopje” e kampionatit të kaluar. Verilindorët nuk ndryshojnë shumë, problem mbetet prapavija

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2023 | 17:35

Shifrat e Kukësit, “fotokopje” e kampionatit të kaluar. Verilindorët nuk ndryshojnë shumë, problem mbetet prapavija

Kur janë luajtur 15 takime kampionat deri më tani, është krijuar ideja e skuadrave që do të jenë në garë për titull dhe atyre që duan thjesht mbijetesën. Edhe pse për shkak të formulës, të gjitha mund të kenë shanset e tyre që në fund të edicionit të zënë një vend të katërt. Kukësi për momentin bën pjesë në ato ekipe që synon të sigurojë sa më parë mbijetesën dhe më pas të shohë se çfarë mund t’u rezervojë fati rrugës.

kukesi

Deri më tani janë në këto kushte, duke treguar se nuk i kanë munguar luhatjet në këto javë, duke iu rikthyer sërish mungesës së fitoreve. Megjithatë, ajo që ka rëndësi për momentin në Kukës është ecuria e skuadrës në vijim, ku do të kërkohet patjetër kthesa në duelin direkt me Erzenin. Edhe pse një ndeshje transferte që do të luhet në fushë asnjanëse, objektivi i vetëm është trepikëshi, i cili, përpos të gjithave, do t’i shërbejë ekipit edhe në aspektin moral.

KRAHASIMI –

Ky vit duket si një fotokopje e sezonit të kaluar, ku e arritën mbijetesën vetëm në javën e fundit. Të paktën këtë sezon janë të ndërgjegjshëm për mundësitë që kanë, ndryshe nga vjet ku hynë në kampionat si një ekip që do të pretendonte të paktën rikthimin në Kupat e Europës. Sa u përket shifrave, ekipi i sivjetshëm ka vetëm një pikë më shumë se ai i sezonit të kaluar, 16 përkundrejt 15 dhe janë gjithashtu në vendin e parafundit. Krahasimi me edicionet e tjera nuk mund të mendohet, sepse pas 15 javëve nuk kanë grumbulluar asnjëherë më pak se 20 pikë. Nga ana tjetër, bie në sy se deri më tani ky është edhe Kukësi më i dobët në aspektin mbrojtës, pasi kanë pësuar 23 gola në këto javë të luajtura, si asnjëherë më parë.

Janë plot gjashtë gola më shumë se një vit më parë që merret edhe si shembull i sezonit më të dobët të bluve në elitë. Jo më kot Nica kërkon të rregullojë sa më parë prapavijën, pasi e di ku i “pikon” çatia dhe nëse ky repart pëson sa më pak gola edhe arritja deri te fitorja bëhet më e lehtë. Ajo që e “ngushëllon” paksa skuadrën janë golat e shënuar (16), tre më shumë se një vit më parë dhe për më tepër, vetëmdy më pak sesa vitin kur u shpallën kampion me Ernest Gjokën.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"