I shënoi dy gola Gjermanisë, Zeka: Ëndërroj të luaj me Bajernin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2016 | 22:46

I shënoi dy gola Gjermanisë, Zeka: Ëndërroj të luaj me Bajernin

Një “xhevahir” po lind në klubin bardhekuq të Skënderbeut. Agim Zeka është njeriu i momentit pas tre golave të shënuar me ekipin kombëtar U-19, dy herë kundër Gjermanisë në atë humbje 3-2 dhe golin e fitores kundër Gjibraltarit. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, djaloshi 18- vjeçar nga Prishtina tregon gjithçka, që nga hapat e parë si futbollist, te kalimi në Korçë e deri te debutimi me përfaqësuesin kuqezi të 19-vjeçarëve.

Agim Zeka U-19

Për ata që nuk ju njohin, na tregoni kush është Agim Zeka?

Kam lindur në Prishtinë në 1998, ku që prej moshës 6-vjeçare, më saktë në vitin 2004, kam filluar të luaj futboll me ëndrrën e madhe për të qenë një herë mes më të mëdhenjve të kontinentit. Që prej asaj moshe e deri në vitin 2014 kam vijuar me ekipet e moshave në Prishtinë, derisa u bëra pjesë e ekipit të parë të FK Prishtinës.

Çfarë mbani mend nga ndeshja juaj e parë si profesionist?

Momenti i parë kur më kanë njoftuar se do të jem pjesë e ekipit të parë më emocionoi shumë. Arrita të luaj për një sezon me Prishtinën dhe të them të drejtën ajo eksperiencë më mësoi shumë.

Më pas, në jetën tuaj shfaqet Skënderbeu. Çfarë ju bindi të linit Prishtinën për Korçën?

Interesimi i Skënderbeut ishte një dhuratë shumë e madhe për mua. Kur jam lajmëruar nga menaxheri im Shkumbin Qorrmehmeti se më kërkonin u gëzova, ndaj nuk mund ta refuzoja.

Përse e quani “dhuratë”?

Sepse është ekipi më i mirë i momentit në Shqipëri dhe me 6 tituj radhazi. Për më tepër, kur menaxheri im më shpjegoi se të rinjtë janë prioritet i këtij klubi u gëzova dyfish. Ishte mënyra më e mirë që të konfirmohesha si futbollist.

Agim Zeka

Me mbërritjen në Korçë u bëtë pjesë e Skënderbeut U-19. Si ju duk si zgjedhje?

U pajtova menjëherë me këtë gjë, sapo klubi ma bëri të ditur dhe mund të them se ka qenë një eksperiencë pozitive për mua. Arritëm të fitonim titullin kampion me këtë ekip në finale kundër Partizanit dhe ishte një dhuratë shumë e mirë që i bëmë klubit.

Më pas erdhi ftesa nga Agostineli…

Po, u ndjeva i vlerësuar kur mora atë ftesë nga ekipi i parë. Madje u shokova disi, pasi nuk më besohej. Ishte si një ëndërr për mua të luaja përkrah lojtarëve si Salihi, Lilaj, Latifi, Osmani e shumë e shumë të tjerë.

Është folur shumë se keni pasur interesim nga Monako. Sa e vërtetë është kjo?

Po, ka pasur shumë interesime karshi meje nga ekipe të huaja, madje edhe Monako ka pasur interesim, por e kam gjykuar me menaxherin tim se është ende shpejt që të bëjmë një lëvizje të tillë. Preferoj që të qëndroj e të rritem fillimisht. Kam një kontratë 3-vjeçare me Skënderbeun dhe rrugës do të shohim se çfarë do të bëjmë.

Si është të punosh me Agostinelin?

Diçka e pakrahasueshme. Një person që vlerëson dhe i motivon të rinjtë. Besoj se me të do të rritem akoma edhe më shumë.

kombetarja u19

Kur u grumbulluat me U-19, çfarë menduat?

Një emocion shumë i madh. Isha i lumtur që e mora atë ftesë.

I shënuat dy gola Gjermanisë…

Nuk kam për ta harruar kurrë atë ndeshje. Isha super i karikuar. Mund të them se kam qenë në 200% tim atë ndeshje dhe kam dhënë maksimumin. Për fat të keq, nuk mundëm të merrnim rezultat.

Ku e shikoni të ardhmen tuaj në Kombëtaren e madhe, në Shqipëri apo Kosovë?

Është një zgjedhje e vështirë për mua, por jam më i vendosur për të zgjedhur Shqipërinë. Kjo pasi si unë dhe familja ime jemi shumë të lidhur me këtë kombëtare. Jemi të lidhur shumë me flamurin kuqezi.

Së fundmi, cili është idhulli i Zekës dhe kush janë ëndrrat për të ardhmen?

Idhulli im është Arjen Roben, ndoshta edhe për shkak të pozicionit në të cilin luaj dhe stilit të lojës. Besoj se i ngjaj disi. Ndërsa, për sa i përket ëndrrës, nuk besoj se ka ndonjë dëshirë më të madhe sesa të luash për Kombëtaren në të ardhmen, por ndoshta edhe një prezantim te Bajern Mynih në kampionatin gjerman.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"