SEKRETI I FITOREVE/ Taktikisht është fantastik, Pioli në versionin Guardiola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2023 | 9:30

SEKRETI I FITOREVE/ Taktikisht është fantastik, Pioli në versionin Guardiola

Milani kampion Italie (2 sezone më parë) u ngjit në majën më të lartë të Serisë A, duke u kapur fort në shpatullat e Kesit, trekuartist muskuloz dhe i zoti në inkursione në zonë. Ai i sezonit të kaluar arriti gjysmëfinalen e Champions-it, duke i besuar shpirtit luftarak të Tonalit dhe talentit të Leaos. Por këtë sezon, evoluimi vazhdon dhe Milani nuk varet më vetëm nga korsia e majtë e Rafës, pasi merkatoja dhe Pioli i kanë shtuar peshën e duhur skuadrës edhe në të djathtë.

pioli

Ky Milan nuk mbështetet më vetëm te regjia e Benaserit, por ka shtuar dozën e lojtarëve ndërtues; nuk i lë Zhirusë të gjithë përgjegjësinë e zonës së rreptësisë, por ka gjetur disa bashkëpunëtorë të golit. Idetë e reja, të paktën duke gjykuar atë çfarë është parë në 270 minutat e para, janë fituese. Kundër Bolonjës ishte një inkursion i Reijndersit ai që theu murin kuqeblu. Kundër Torinos ishin decizivë pasimet në shpejtësi të Pulisiçit e Luftus-Çikut, jo më nga krahët, por pas zhvendosjes së tyre në qendër të fushës. Ndërsa kundër Romës, Pioli arriti që të surprizojë “Olimpikon” dhe Murinjon me Kalabrian.

Edhe pse prej 10 vitesh ka luajtur si mbrojtës i djathtë, në Romë kaloi nga korsia anësor në ndërtuesin e lojës nga qendra, një organizator i shtuar përkrah Kruniçit. Gjetja e fundit e Piolit, në pritje të asaj të radhës, duke kujtuar se në të kaluarën transformoi Kesin nga mesfushor shkatërrues në trekuartist pas dy sulmuesve; Kalulun nga anësor në mbrojtës qendre; Teon nga sprinter të korsisë së majtë në një lojtar që synon qendrën e fushës; Tonalin nga qendërmesfushor në anësor mesfushe; Ibrahimoviçin si regjisor të zonës së sulmit; Diazin nga numër 10 në numër 7, por akoma më shumë edhe një Menja asistmen, duke shfrytëzuar aksin me Leaon që luante në kundërsulm shumë i hapur në të majtë. Dhe të gjitha këto nuk janë thjesht një rastësi, por një intuitë taktike, e cila meriton të gjitha duartrokitjet për një ndër trajnerët më të nënvlerësuar në Itali.

FRYMËZIM – Për dizenjon e fundit kuqezi, Pilli është frymëzuar nga piktori më i madh i kohës, Pep Guardiola. Detyrat që ai i urdhëroi Kalabrias në Romë kujtojnë transformimin që spanjolli i detyroi Kimishit te Bajerni i Mynihut, apo edhe Stonsit te Siti në ditët e sotme, të cilët kaluan nga mbrojtës krahu në regjisorë të lojës nga qendra, përpara mbrojtjes. Pastaj, edhe rolet e Reijnders e Loftus-Çikut kundrejt së kaluarës së tyre janë shumë të rinj, duke qenë se nga krahët atë janë tashmë mesfushorët e qendrës, të cilët lëvizin mes hapësirave që krijohen, falë punës në zgjerim që bëjnë Leao dhe Pulisiç nga krahët. Nëse kujtojmë mirë, Mançester Siti i Pepit shoqëronte drejt portës Gyndoanin dhe De Bryjnen, duke shfrytëzuar lojën e anësorëve Mahrez e Foden apo edhe të Bernardos Silvës e Grilishit. Në këtë mënyrë, Pep mund të mbështetej çdoherë te të paktën 4 lojtarë në zonën e sulmit, pas Halandit. Dhe të njëjtën gjë po bën edhe me Piolin, me Zhirunë që mbështetet bindshëm nga anësorët dhe dy mesfushorët e qendrës në inkursion. Pastaj, nëse kësaj i shtojmë edhe Teon, i cili vrapon gjithmonë me shpejtësi dhe di se si të ofrojë supremaci numerike, padyshim që Milani di se si të dominojë në gjysmëfushën rivale dhe përreth zonës kundërshtare.

NDËRTIMI – Pioli madje e shpjegoi hapur idenë e lojës së tij, pas suksesit kundër Romës, ndonëse Milani i tij ishte dhe do të vazhdojë që të mbetet i lexueshëm për të gjithë rivalët. “Ideja ime është që të ndërtojmë lojën duke nisur nga Menja, plus 5 lojtarë të tjera. Pastaj, nëse këta janë 4 mbrojtës plus 1 mesfushor, 3 mbrojtës apo 2 mesfushorë apo edhe 2 mbrojtës e 3 mesfushorë, kjo nuk ka rëndësi. Çështja është që nëse djemtë e tij arrijnë që të lexojnë në kohën dhe në mënyrën e duhur hapësirat se ku mund të luhet, për të shkuar sa më të sigurt dhe me sa më pak pengesa drejt zonës rivale, për ne do të jetë më e lehtë të shënojmë. Fakti që kam edhe dy anësorë si Kalabria e Teo që kanë cilësi që mund të luajnë jo vetëm në krahë, por edhe mes trafikut në qendër të fushës, kjo na lehtëson dhe mundëson shumë zgjedhje”. Dhe kjo recetë e Piolit është vetëm për t’u duartrokitur dhe mbi të gjitha kjo punë nuk kërkon vetëm rezultate në Itali, por akoma më shumë në futbollin modern që kërkon Europa, Champions-i, ku më së shpeshti fiton skuadra që sulmon më shumë dhe ky Milan di se si ta bëjë këtë, madje në shumë forma të ndryshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"