“S’e shoh si hakmarrje me Kukësin”, Gvozdenoviç: Jemi të qetë, Skënderbeu bën ndeshje të madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2023 | 9:00

“S’e shoh si hakmarrje me Kukësin”, Gvozdenoviç: Jemi të qetë, Skënderbeu bën ndeshje të madhe

Fitorja me Teutën duket se rriti be simin në kampin bardhekuq, qetësoi lojtarët dhe klubin, pas një periudhe të gjatë pa fitore në këtë kampionat. Pas kësaj fitoreje, në radhët e Skënderbeut kërkojnë të përsërisin suksesin, duke marrë një tjetër rezultat maksimal në transfertë përballë Kukësit, edhe pse ndeshja do të luhet në “Arena e Demave” në kryeqytet, në orën 13:30.

gvozdenovic

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, sheh si zakonisht fitoren të vetmin rezultat, për të cilin korçarët do të hyjnë në fushën e lojës përballë Kukësit. Por sipas trajnerit, për të arritur këtë ekipi duhet të bëjë ndeshje të mirë dhe të jetë i përqëndruar në çdo moment të takimit.

“Vijmë nga një fitore shumë e rëndësishme përballë Teutës në shtëpi dhe mund të them se ishte një fitore që na dha qetësinë, veç lojës së mirë që kemi disa ndeshje që po e aplikojmë rrjedhshëm. Por kjo ndeshje ka ardhur shpejt dhe kemi filluar të mendojmë menjëherë për të. Do të jetë një takim i vështirë, ndoshta edhe më i vështirë se sa ai ndaj Teutës. Kukësi ka treguar se është një ekip që është rritur shumë dhe po merr rezultate të mira. E pamë edhe ndaj Tiranës se çfarë mundi të bënte, prandaj duhet të kemi shumë kujdes në momentin që do të zbresim në fushë. Duhet të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë, për të marrë atë objektiv që ne kemi gjithmonë në mendje. Sigurisht që fitorja është ajo që na bën punë dhe Skënderbeu vetëm për këtë rezultat hyn në çdo ndeshje. Më pas, në varësi të lojës do të shohim se çfarë do të marrim nga fusha e lojës”- theksoi fillimisht trajneri i Skënderbeut.

Revanshi: I pyetur nëse ndaj Kukësit është një ndeshje, e cila vlen edhe si një hakmarrje për atë humbje që u shkaktoi korçarëve në shtëpi në fazën e parë të kampionatit, trajneri bardhekuq nuk e mendon kështu. Për të është një ndeshje që duhet fituar për të konsoliduar pozitat e Skënderbeut në kampionat, pasi ajo që ka ndodhur tashmë nuk mund të ketë rikuperim.

“Nuk e shoh si një hakmarrje këtë takim ndaj Kukësit pasi ajo që ka ndodhur ka ndodhur dhe nuk mund të kthehet mbrapsh. Ne e shohim këtë ndeshje si një përballje, të cilën kërkojmë ta fitojmë për të konsoliduar pozitat tona në renditje. Është tipike si ndaj Teutës dhe një fitore në këtë takim për ne do të kishte një vlerë të dyfishtë, pasi do të linim pas dhe do të thellonim diferencën me një tjetër ekip që është poshtë nesh në klasifikim. Por duhet të jemi të qetë dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen. Jam i bindur që lojtarët do të dinë të bëjnë një ndeshje të madhe”, theksoi trajneri.

NDESHJA NË KRYEQYTET: Për trajnerin e Skënderbeut, caktimi i ndeshjes në kryeqytet nuk përbën ndonjë avantazh për Skënderbeun, madje për të, do të jetë një faktor i njëjtë për të dy skuadrat.

“Nuk mendoj se na avantazhon caktimi i ndeshjes në Tiranë. Madje, e shoh njësoj për të dy ekipet. Ne do të shkojmë të bëjmë lojën tonë. Pak rëndësi ka se ku luajmë”, mbylli prononcimin e tij trajneri Ivan Gvozdenoviç.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"