Sallaku kritikon: Të nxirren përgjegjësitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2012 | 13:38

Sallaku kritikon: Të nxirren përgjegjësitë

I pranishëm në stadiumin “Andon Lapa” të Butrintit, për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Himarës dhe Partizanit, presidenti i të kuqve nuk ka mbetur aspak i kënaqur nga paraqitja e ekipit të tij. Partizani nuk shkoi më shumë se një barazim në shifrat 1-1, në një kohë kur duhet të kishte fituar për t’u rikthyer në vendin e dytë, dhe ky rezultat nuk ka lënë një shije të mirë te drejtuesi. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti Sallaku ka kritikuar lojën e ekipit të tij dhe ka kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive. “Nuk e di se çfarë ndodhi mes futbollistëve, por ata duhet ta kishin fituar me çdo kusht ndeshjen, pasi tashmë i kemi ndërlikuar pozitat ne tabelën e klasifikimit. Lojtarët nuk kanë luajtur aspak mirë dhe unë personalisht s’e di se pse ka ndodhur një gjë e tillë. Për këtë ndeshje duhet bërë një analizë e thellë dhe duhen nxjerrë përgjegjësit me çdo kusht, pasi kemi lëshuar vendin e dytë në renditje. Kam shumë kritika për mënyrën se si ka shkuar loja. Partizani nuk është një ekip që duhet të zgjidhë gjithçka në fund dhe të luftojë vetëm për një pikë. Objektivi ynë kryesor është ngjitja në Superiore dhe për këtë lojtarët duhet të bëjnë kthesën e menjëhershme duke nisur nga ndeshja me Naftëtarin, që do ta luajmë në shtëpi. Kanë mbetur edhe pak javë deri në fund të fazës së parë dhe lojtarët duhet të japin maksimumin e tyre për të mos bërë asnjë hap fals”, është shprehur Sallaku.
Gjykimi – Ndërkohë, presidenti i të kuqve ka pasur rezerva edhe për gjykimin, që sipas tij nuk ka qenë në nivelet e duhura. “Treshja e arbitrave ka qenë tërësisht e njëanshme, duke na mohuar dy 11-metërsha të pastër, të cilët mund të kishin ndryshuar rrjedhën e takimit. Nuk e kuptoj përse ata gjyqtarë nuk bënë një gjykim të drejtë, por shpeshherë kanë marrë vendime kontradiktore në dëmin tonë. Shpresoj që në të ardhmen të mos përballemi më me të tilla gjykime”, ka përfunduar në prononcimin e tij Sallaku.

Analiza
Në fillimin e stërvitjes së djeshme, trajneri Nikolin Çoçlli ka dashur të kalojë barazimin e marrë në Himarë dhe t’i motivojë lojtarët e tij për ndeshjen e radhës ndaj Naftëtarit në shtëpi. Për këtë arsye, ai u ka thënë lojtarëve se fitorja ishte e nevojshme, por tashmë është një diçka që nuk kthehet më prapa dhe se ata duhet të bëjnë autokritikë për të fituar takimin e radhës, me Naftëtarin që do të luhet të hënën në “Qemal Stafa”.

Pashaj
Autori i golit të barazimit në ndeshjen ndaj Himarës, Andrelis Pashaj, ka deklaruar se ndihet mjaft i lumtur, që i ka dhënë ekipit të tij një pikë në këtë transfertë. “Ishte një ndeshje që ne e kishim vlerësuar dhe na duhej fitorja me çdo kusht. Megjithatë, ashtu siç shkoi takimi, jam i lumtur që kemi marrë një barazim dhe tashmë duhet të shohim përpara për të fituar takimet e ardhshme”, tha mbrojtësi.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"