Sahit Prizreni: Vetëm pushtetarët s’i lejoj të më quajnë tradhtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2016 | 12:17

Sahit Prizreni: Vetëm pushtetarët s’i lejoj të më quajnë tradhtar

Ish-olimpisti kuqezi, Sahit Prizreni, do të garojë për Australinë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, nga Fshati Olimpik ku ai është akomoduar me përfaqësuesen e “kangurëve”, kampioni i mundjes në stilin e lirë u shpreh i emocionuar që mundi të takohet me bashkëkombësit e tij përgjatë paradës, por kësaj here me destinacione të ndryshme.

sahit prizreni

Ndërsa, e pranon se dikush në Shqipëri, mund ta quajë tani edhe tradhtar për zgjedhjen që ka bërë, Prizreni nuk do t’ia lejonte këtë vetëm pushtetarëve, pasi sipas tij, ishin pikërisht këta që i mbyllën derën.

“Së pari krenarinë e të qenit shqiptar nuk mund të ma largojë asnjë. Dhe duke qenë se, ëndrrat i shoh akoma shqip dhe me Shqipërinë që një ditë do të jemi edhe ne një shtet që i njeh dhe i vlerëson njerëzit që kontribuojnë për imazhin e vendit, do të thotë që zemra është kuq e zi. Dikush mund të më quaj tradhtar si popull i ndjeshëm që jemi kur bëhet fjalë për flamur, dhe i kuptoj.

prizreni

Por, nuk do të lejoj asnjë drejtues sporti apo pushtetar ta bëjë një gjë të tillë, sepse i kam dhënë Shqipërisë 20 vite të rinisë sime dhe si shpërblim më mbyllën dyert dhe shteti heshti. Nuk dua të flas gjatë sepse vetë ekipi olimpik është dëshmi e gjallë e dështimit të drejtuesve të sportit me në krye dyshen e mirënjohur të mashtrimit: Viron Bezhani dhe Stavri Bello”, deklaroi fillimisht mundësi kuksian, prej kohësh i natyralizuar si shtetas australian.

Ceremonia

Ndonëse nuk e ka për herë të parë një përfaqësim të tillë si ajo në një Olimpiadë, përsëri Prizreni nuk i fsheh ndjesitë pozitive. “Për sa i përket emocionit në natën e hapjes nuk kam sesi ta fsheh sepse fakti që t’i ndodhesh mes më të mirëve të botës mjafton të kuptosh rëndësinë e këtij evenimenti madhështor.

prizreni hoxha calja

Sahit Prizreni ne ceremonine e hapjes perkrah sportisteve Sidni Hoxha dhe Briken Calja, si dhe trajnerit Taulant Stermasi

Dhe të takoje shokët kuq e zi ishte një tjetër emocion dhe me të vërtetë me dukej vetja si një prej tyre, vetëm se veshja bëri dallim në foto. Shpresoj që ekipit shqiptar kjo ndrydhje dhe injorim që po u bëhet atyre dhe sportit ndër vite, nga këta drejtues që mendojnë se sporti është pronë e tyre, t’u kthehet në forcë dhe t’i sigurojnë Shqipërisë medalje”.

Konkurrimi

hqiptari Prizreni ka pretendime për të hyrë në zonën e medaljeve. “Unë jam këtu për të garuar dhe absolutisht nuk ndjehem inferior ndaj kundërshtarëve që kam, përkundrazi jam shumë i motivuar dhe me ndihmën e Zotit do të luftoj për zonën e medaljeve. Datën e garës e kam më 21 gusht në peshën 65 kg.

Konkurrenca dihet, vetëm të lehtë nuk ka rivalë në kësi eventesh madhore. Megjithatë, do të hyj me pretendim për podium, përderisa matematika ma lejon”, e mbylli deklaratën e tij mundësi i kombëtares australiane, Sahit Prizreni.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"