Rusët refuzojnë kosovarët, Partizani ankohet në UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2016 | 12:31

Rusët refuzojnë kosovarët, Partizani ankohet në UEFA

Përballja me Krasnodarin në turin “play off” në Ligën e Europës me Krasnodarin i ka nxjerrë shumë probleme Partizanit. Në dallim nga transfertat e tjera europiane, kësaj radhe zyrtarët e klubit duhet të merren me një “mal” dokumentesh, pasi të gjithë pjesëtarët e delegacionit nevojiten të pajisen me vizë nga Ambasade Ruse në Shqipëri.

ramadani partizani

Që kur u hodh shorti, më 5 gusht, janë evidentuar problemet, pasi Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe qytetarët me pasaportë kosovare e kanë të pamundur që të sigurojnë vizë. Kjo politikë e rusëve bën që Partizani të mbetet pa shërbimet e dy titullarëve për transfertën e 18 gushtit, që do të luhet në Krasnodar, me mbrojtësin Labinot Ibrahimi dhe mesfushorin Ylber Ramadani.

Për të sqaruar problemin e udhëtimit të dy futbollistëve kosovarë, por edhe detajet e tjera për delegacionin që do të udhëtojë drejt Krasnodarit, dje një përfaqësi e klubit kryeqytetas ka zhvilluar një takim me titullarët e Ambasadës së Rusisë në Shqipëri. Në përfundim nuk është gjetur ndonjë zgjidhje për lejimin e udhëtimit të të dy lojtarëve kosovarë drejt Rusisë.

berisha ibrahimi

Në këto kushte, për problemin në fjalë, Partizani ka njoftuar përmes një letër ankese UEFA-n, që është organizatorja e aktivitetit, Federatën Shqiptare të Futbollit, si dhe klubin rus të Krasnodarit, që është pritës në takimin e parë, si dhe Federatën Ruse të Futbollit.

Klubi kryeqytetas këmbëngul në të drejtën e tij, pasi në fillim të aventurës europiane, askush nuk i ka lajmëruar se nuk i lejohet që futbollistët kosovarë të luajnë në Rusi. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Partizanit, Genc Tomori, përgjegjësia në këtë rast është e klubit pritës, Krasnodarit, që duhet të gjejë zgjidhjen për udhëtimin e Ramadanit dhe Ibrahimit. Përndryshe ata do të përballen me penalitete që u takojnë, sipas rregullores së aktivitetit.

Genc Tomori

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori, në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, tregon për bisedimet e kryera dje në Ambasadën Ruse në Tiranë, si dhe rrugën që kanë ndjekur për zgjidhjen e problemit të dy futbollistëve kosovarë. “Kemi vajtur sot (dje) në Ambasadën Ruse, por morëm konfirmimin se lojtarët me pasaportë kosovare nuk mund të pajisen me vizë për në Rusi.

tomori

Shqetësimin tonë ua kemi dërguar UEFA-s, FSHF-së dhe klubit të Krasnodarit. Për ne ata janë dy lojtarë formacioni, kështu që mbetemi në pritje, pasi nuk kemi marrë përgjigje nga institucionet të lartpërmendura. Në fillim të aktivitetit, ne nuk na ka njoftuar askush se lojtarët me pasaportë kosovare nuk lejohen që të luajnë në Rusi.

Kështu që përgjegjësitë t’i marrë ekipi tjetër, pasi ne po kërkojmë thjeshtë të drejtën tonë, pasi privohemi nga dy lojtarë të formacionit bazë. Ashtu siç ne marrim masa për ekipin kundërshtar që vjen në Shqipëri, të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe klubi Krasnodarit për çështjen e dy futbollistëve tanë që kanë pasaportë kosovare”, u shpreh Tomori për “Panorama Sport”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"