Rrëfimi i Ilir Dajës: Nuk e kam menduar kurrë largimin, ndeshja me Kukësin pengu im më i madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2017 | 21:59

Rrëfimi i Ilir Dajës: Nuk e kam menduar kurrë largimin, ndeshja me Kukësin pengu im më i madh

Nga lideri Shehi te Lilaj dhe deri te raporti me Taka jn. Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, rrëfen vitin 2017, pengjet e tij, si dhe atë që pret në vazhdimësi. Edhe pse një vit pa trofe, ende Daja kujton ndeshjen e 20 majit në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, ku korçarët u mposhtën pas një arbitrimi skandaloz.

daja-skenderbeu-470x313

Profesor, duket sikur mezi i keni pritur këto pushime?

Të them të drejtën, ishte momenti i duhur për të pushuar, pasi kemi bërë dy kampionate së bashku. 16 javë kemi luajtur në Superiore dhe 14 ndeshje në Ligën e Europës. Me pak fjalë ishte vërtet një lodhje e madhe dhe prandaj mezi po i prisnim këto pushime.

E prisnit më të lehtë apo më të vështirë rrugëtimin tuaj në krye të pankinës korçare?

Për të qenë i sinqertë, kur m’u dha mundësia të drejtoj Skënderbeun, e dija që, së pari, do të punoja në një ekip me shumë kualitete dhe lojtarë me eksperiencë. Pavarësisht rezultateve jo fort të mira që arritëm në fundin e kampionatit të kaluar, ne punuam edhe më fort. Gjërat u përmirësuan javë pas jave dhe jemi këtu ku jemi, falë kualiteteve që posedonte kjo skuadër.

Ju jeni “arkitekti” i këtij Skënderbeu, por nëse mund të flasim për merita, si do t’i shpërndanit te të tjerët?

Çelësi i këtij suksesi është bashkëpunimi, pasi secili ka bërë punën e vet. Pa diskutim që meritat nisin nga presidenti dhe më pas lojtarët, që janë aktorët kryesorë, por edhe mediat, të cilat kanë qenë shumë aktive, deri te punëtori më i thjeshtë i këtij klubi ka merita të mëdha.

Më 4 janar mbushni një vit nën drejtimin e Skënderbeut, çfarë ju ka mbetur më shumë në mendje?

Edhe pse lodhja ka qenë e madhe, përsëri kur rezultatet vijnë, ja vlen çdo gjë. Në Korçë kam gjetur kënaqësi në drejtimin e ekipit. Ky vend ka kulturë dhe qytetari. Për mua është qyteti më i këndshëm. Ndërsa në aspektin sportiv, rezultatet që kemi arritur në këtë gjashtëmujor të dytë kanë ardhur gjithmonë në ngritje. Për mua është historike kalimi i katër tureve dhe mbërritja deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Jemi me diferencë të konsiderueshme pikësh në kampionat dhe për të gjitha këto jam shumë i kënaqur.

Nëntë pikë nga ndjekësit. Mos ndoshta është një diferencë e ekzagjeruar?

Ne si klub fokusohemi vetëm te puna jonë dhe nuk flasim për rivalët. Kemi bërë mirë, por mos harroni se ka edhe më mirë. Këtë do të pretendojmë të arrijmë në të ardhmen.

Çfarë pengu ka Daja nga ky vit, qoftë në Europë apo kampionat?

Edhe sezonin e kaluar bëmë një kampionat shumë të mirë, por për mënyrën se si e dorëzuam trofeun në atë ndeshje në Kukës, për mua është peng i madh. Një tjetër peng është ai që në fazën e grupeve mund të kishim grumbulluar edhe më shumë pikë, por për ekipin që drejtoj, pra, për futbollistët, nuk kam asnjë pishman. E them këtë, pasi të gjithë lojtarët e kanë kryer punën vërtet mirë.

Fitorja më e bukur dhe humbja më e hidhur kush kanë qenë?

Çdo fitore ka bukurinë e vet. Ka lënë gjurmë pa diskutim ai kualifikim në “Elbasan Arena” ndaj Dinamos së Zagrebit, ku ne arritëm të siguronim kalimin në grupe. Ajo ka qenë fitorja më e madhe. Humbja më e hidhur ka qenë pa asnjë mëdyshje ajo në Kukës. Në fakt, nuk ishte humbje, pasi dihet se si e morëm dhe e panë edhe gjithë shqiptarët. Akoma në mendje më ka mbetur ajo ndeshje.

Flasim pak për lojtarët. Sabjen Lilaj u shpall “Lojtari i vitit”. E prisnit që ta votonin edhe kolegët?

Pa diskutim që po. Lilaj ka qenë i vetmi futbollist i kampionatit që luajti edhe në formacion me Kombëtaren në atë ndeshje të fundit në Turqi. Sabjeni është një lojtar me shumë cilësi dhe tepër korrekt.

A mund të na tregoni se cilët kanë qenë lojtarët që ju kanë zhgënjyer në këtë periudhë në Korçë?

Unë në fakt nuk dua të flas për zhgënjimet, pasi në fund të fundit kemi pasur ecuri shumë pozitive. Por, ka lojtarë që kanë mbetur të pakënaqur nga unë, pasi nuk më janë përshtatur me skemat dhe fizionominë time. Mosmirënjohja është ajo që spikat dhe le gjurmë, por që nuk po qëndroj aspak te kjo pjesë.

Po ata lojtarë që kanë spikatur dhe që nuk kanë gabuar në asnjë moment gjatë këtij viti kush janë?

Që nga kapiteni Orges Shehi, që ka më shumë eksperiencë se gjithë të tjerët, dhe më pas Radas, Jashanica, Vangjeli, Lilaj, Osmani, Soue, Taku, Muzaka, Xhejms, Gavazaj, por edhe të tjerë që nuk i përmenda në këtë moment. Secili ka dhënë maksimumin për këtë Skënderbe.

Gjithsesi, nëse duhet të veçoni dikë, kush mund të jetë?

Nuk mund t’i kategorizoj ashtu si edhe ju më pyesni, por shtylla e skuadrës është Shehi. Pavarësisht moshës, ai është lider brenda ekipit.

Martin Nespor mund të quhet tashmë i larguari i parë?

Ne si klub veprojmë në bazë të rregullave. Ai duhet të bëjë një marrëveshje me drejtuesit. Gjithsesi, Nesporm që nga vera e kaluar dhe deri në ndeshjen e fundit, nuk ka qenë prezent në ekip.

Po për Donjet Shkodrën që është kthyer në një alternativë prej kohësh?

Do bëjmë një analizë pas disa ditësh dhe duke parë edhe interesin e Skënderbeut, e më pas të lojtarëve, do të veprojmë. Nëse do të kemi prurje të reja në janar, atëherë do të shikojmë në vazhdim për merkaton në lidhje me ata që do të huazojmë.

Marrëdhëniet tuaja me presidentin Takaj si kanë qenë?

Na tregoni se kur keni debatuar për herë të fundit? Kam marrëdhënie korrekte pune. Nuk kemi debatuar ndonjëherë, as të kemi shkëmbyer fjalë. Thjesht kemi bërë debat për punën me argumente. Mbi gjithçka, raporti ynë ka qenë shumë korrekt.

Gjithsesi, pak javë më parë pati aludime për një krisje të raporteve me presidentin…

Nuk ka qenë lajm i vërtetë, pasi vetë presidenti Ardjan Takaj e ka sqaruar me prononcimin e tij.

Ju keni një kontratë deri në fund të këtij sezoni, çfarë do ndodhë?

Dihet që puna e një trajneri ka kohë të caktuar. Këtu te Skënderbeu kam gjetur kushte të shkëlqyera. Nuk e kam menduar kurrë se mund të largohem nga skuadra.

Kalojmë te merkatoja dimërore. Kur do të zyrtarizohet blerja e parë dhe sa afrime keni menduar të bëni?

Nga java e ardhshme do të flasim me presidentin për të vendosur për huazimet apo edhe për afrimet në skuadër. Do të studiojmë me shumë kujdes minutazhin për çdo futbollist, si dhe ekipet që duan huazime nga ana e Skënderbeut, por pasi të kemi plotësuar së pari organikën. Skënderbeu është më i rëndësishëm dhe parësori përpara veprimeve që do të bëjmë.

Viti 2018 nis me grumbullimin në Durrës, cilët lojtarë keni lajmëruar që të mos vijnë më për të mos qenë pjesë e ekipit?

Nuk kemi lajmëruar asnjë. Kemi përcaktuar vetëm datën se kur do të fillojmë grumbullimin që është 3 janari. Madje kam bërë edhe programin individual për çdo lojtar dhe ua kam shpërndarë. Asgjë tjetër përveç këtyre nuk kemi bërë apo kemi menduar.

Çështja e titullit të këtij sezoni mund të quhet e mbyllur?

Do të jetë gabim shumë i madh nëse do ta mendojmë të mbyllur çështjen e titullit që në këtë moment. Duhet të luftojmë më fort në pjesën e mbetur dhe unë besoj që do të jemi më mirë, pasi pres që gjërat të shkojnë në progres.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"