Bruno Telushi: Më frymëzon Stiven Zherard. Në verë më kërkoi Kukësi, por dhe Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2013 | 11:57

Bruno Telushi: Më frymëzon Stiven Zherard. Në verë më kërkoi Kukësi, por dhe Vllaznia

TelushiIshte pa dyshim jo vetëm lojtari super në fushën e lojës në takimin me Lushnjën, por dhe ai që garantoi me dopietat e tij me ekzekutimin e saktë të goditjeve të dënimit. Bruno Telushi vjen në një rrëfim të veçantë. Tregon për jetën e tij private, dëshirat, por edhe të ardhmen, ndërsa kërkon t’i ngjajë Stiven Zherardit të Liverpulit, një lojtar që ai e adhuron. Telushi tregon edhe ofertat e refuzuara gjatë verës, ndonëse dëshiron të vazhdojë sa më gjatë te Flamurtari.
Telushi, kishit kohë që e prisnit atë moment si në takimin me Lushnjën?
Në fakt e parandieja para ndeshjes se ne do fitonim dhe se unë do të isha protagonist i fitores. Nuk e di, por kisha një ndjenjë të çuditshme sikur do shënoja në këtë takim dhe parandjenja u bë realitet.
Ishte hera e parë apo kishit provuar edhe në stërvitje të ekzekutonit goditje dënimi?
Jo, nuk është se kisha provuar në stërvitje, por nuk është as hera e parë që provoj. Kam ekzekutuar disa dhe kam qenë i suksesshëm.
Kujt ja dedikoni fitoren dhe golat që shënuat në takimin me Lushnjën?
Golat ja dedikoj babait tim, ndërsa fitoren presidentit Gjika dhe të gjithë ekipit.
Me kë festuar pas ndeshjes?
Pas ndeshjes festova me ekipin. Ndërsa në darkë vonë me familjen time, prindërit, vëllanë dhe nusen.
Keni marrë urime?
Po, kam marrë shumë.
Cilët kanë qenë ata që ju kanë uruar?
Shokët dhe miqtë e mi.
Cili është pasioni juaj, përveç futbollit?
Jo, nuk është se kam ndonjë pasion tjetër. Ëndrra ime është topi.
Në merkaton e verës patët një ofertë nga Kukësi, pse nuk e pranuat?
Ishte një vendim i imi, nuk është se më penguan drejtuesit e klubit. Unë u kisha premtuar atyre se nuk do të largohesha. Me presidentin e Kukësit ishte një takim kortezie, pasi i kisha mbyllur gjërat teFlamurtari. Unë e falënderojpresidentin e Kukësit për vlerësimin.
Veç Kukësit, ofertë nga ndonjë klub tjetër?
Po, morra edhe një ofertë nga Vllaznia.
Do të qëndroni gjatë te Flamurtari?
Për këtë sezon po. Më vonë të shohim se si do shkojnë gjërat.
Si e shikoni të ardhmen e Flamurtarit?
Nuk e shikoj të keqe. Do të ringrihemi këtë sezon, ngërçi më i madh kaloi.
E prisni një grumbullim në Kombëtare?
Kjo besoj se është ëndërr e çdo futbollisti. Dëshirë shumë e madhe për mua.
Cili është regjimi juaj?
…(qesh). Nëse kam një gjë që e kam 10, është regjimi. Jam shumë i kujdesshëm për të, e vlerësoj në maksimum.
Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Nuk është se kam diçka të preferuar. Nuk jam sqimatar, pak nga të gjitha.
I frekuentoni shpesh rrjetet sociale?
Jo dhe aq shumë.
Po jetën e natës?
Jo, fare. Jam djalë për shtëpi (qesh).
Kujt futbollist të shquar botëror do të donit t’i ngjanit?
Stiven Zherardit të Liverpulit. Është lojtari që unë preferoj, pasi është edhe në rolin tim.
Me cilin lojtar te Flamurtari shoqëroheni më shumë?
Unë jam tip i shoqërueshëm, por më shumë qëndroj me Micin. Na shkon muhabeti më shumë.
Cili është filmi më i preferuar?
Filmi më i preferuar për mua mbetet “Gladiatori”.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"